Gjykata e Krimeve të Rënda burgos Pajtim Braçajn, pronari i një kompanie nafte. Burg pa afat për Ajet (Alket) Sulajn, vëllai i biznesmenit Besnik Sulaj. Në qeli Bejto Kotaj, zotëron një pub në Tiranë, dhe të akuzuarit e tjerë
Gjykata e Krimeve të Rënda burgos shtatë të arrestuarit e operacionit “Koordinata”, të cilët akuzohen për trafik të lëndëve narkotike. Të pandehurit dolën dje para gjyqtares Flora Hajredinaj, ndërsa prokurori Gentian Trenova lexoi aktakuzën paraprake. Sipas prokurorit, Iqmet Pashollari, Festim (Naim) Xhelilaj, Lutfi Xeka, Qerim Xeka, Pajtim Braçaj, Ajet (Alket) Sulaj dhe Bejto Kotaj dyshohet se kishin krijuar një grup për mbledhjen e lëndëve narkotike nga zonat e Shkodrës, Krujës dhe të Jugut. Megjithatë, nga verifikimet e gazetës “Shqip” në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit (QKR) disa nga të arrestuarit apo familjarët e tyre, janë edhe biznesmenë të fuqishëm. Kështu, Pajtim Braçaj ka në pronësi kompaninë “TPD-Trading Petrol”, teksa xhiroja vjetore e saj është qindra milionë lekë. Ndërkohë, Ajet (Alket) Sulaj është vëllai i vogël i biznesmenit Besnik Sulaj (nuk ka lidhje me trafikun), që ka shumicën e aksioneve të kompleksit “Taiwan” në parkun “Rinia” në Tiranë. Bejto Kotaj zotëron një pub në zonën e Bllokut në kryeqytet, ndërsa Iqmet Pashollari ka në pronësi vilën që shërbente si laborator në qytetin e Durrësit. Të gjithë të arrestuarit e tjerë kanë pasur lidhje të ngushta me këta persona, që ishin edhe financues të këtij grupi.
Masat e sigurisë
I pari që ka dalë para gjykatës ishte Bejto Kotaj. Ai është me origjinë nga Kopliku dhe akuzohet për trafik narkotikësh. Kotaj i tha gjyqtares Flora Hajredinaj vetëm gjeneralitetet, ndërsa pohoi se nuk ishte dënuar asnjëherë më parë. Në fund të seancës dhe pasi dëgjoi prokurorin Gentian Trenova, gjyqtarja vendosi masën e arrestit burg pa afat. Gazeta “Shqip” kontrolloi në QKR me emrin e këtij të arrestuari dhe rezultoi se ai figuron pronar i një bar-kafe në rrugën “Pjetër Bogdani”, në zonën e Bllokut në Tiranë. Kotaj ka të gjitha aksionet e PUB CHEERS, ndërsa e ka regjistruar në këtë biznes në muajin mars të këtij viti. Pas Kotajt, në gjykatë u paraqit Iqmet Pashollari. Mësohet se ky i arrestuar është pronari i vilës dykatëshe në Durrës, e cila ishte shndërruar në një laborator të përpunimit dhe ambalazhimit të kanabisit, atje ku u sekuestruan rreth 700 kilogramë hashash. Mësohet se djali i tij, Valter Pashollari, rezulton ende në kërkim nga policia. Në gjykatë u paraqit edhe Ajet (Alket) Sulaj, 40 vjeç. Prokurori Trenova tha se ky i arrestuar kishte një rol kyç në këtë grup, pasi arrinte të siguronte lëndën narkotike nga Shkodra, Kruja dhe nga zona e Jugut. Gazeta “Shqip” mësoi zyrtarisht nga Prokuroria e Krimeve të Rënda se Ajet Sulaj është vëllai i vogël i biznesmenit Besnik Sulaj, që ka shumicën e aksioneve të kompleksit “Taiwan”, në qendër të Tiranës. Ndërkohë, rezulton se edhe Ajeti ka në pronësi disa biznese. Në gjykatë u paraqit edhe Pajtim Braçaj. Nga verifikimet e gazetës “Shqip” rezulton se 52-vjeçari është administrator dhe aksioneri kryesor i kompanisë së naftës “Trade Petrol & Drilling”, kompani e cila merret me përpunimin e naftës bruto të prodhuar nga ARMO. I arrestuari tjetër, ndaj të cilit gjykata vendosi masën e sigurisë arrest me burg, është 39-vjeçari Festim Xhelilaj me banim në Tiranë. Sipas akuzës, Xhelilaj është transportues i kanabisit nga Kruja ne Durrës. Ai dyshohet se mbante edhe lidhjet me trafikantët italianë dhe rezulton pronar i një firme ndërtimi në Itali. Edhe për 47-vjeçarin Qerim Xeka me banim në Krujë, gjyqtarja vendosi masën e arrestit burg pa afat, ndërsa nën akuzë është vënë edhe djali i tij, Lutfi Xeka.
Rolet e të arrestuarve
Prokuroria thotë se këta persona akuzohen për trafik narkotikësh, pasi gjatë muajve qershor-korrik 2015, e në vazhdim, kanë grumbulluar sasi të mëdha lënde narkotike, kryesisht të llojit kanabis sativa, e cila magazinohej në qytetin e Shkodrës, në objektin e Bejto Kotaj për qëllime të trafikimit jashtë vendit. Qerim Xeka mblidhte lëndë narkotike kanabis të papërpunuar në fshatrat e Krujës, ndërsa Bejto Kotaj siguronte lëndë narkotike kanabis në zonën e Shkodrës. Ajet Sulaj siguronte hashashin në tri drejtime, së pari në zonën e Jugut, në zonën e Krujës te personi i dyshuar Qerim Xeka, në zonën e Shkodrës te Bejto Kotaj. Në gjetjen dhe transportimin e lëndës narkotike Qerimi ndihmohej nga djali i tij Lutfi Xeka dhe Bejto Kotaj. Mësohet se Ajet Sulaj organizonte transportin e saj nëpërmjet personave nën hetim Naim (alias Festim) Xhelilaj dhe Pajtim Braçaj. Transportimi i lëndës narkotike bëhej duke u shoqëruar në distancë nga një automjet tjetër nga Pajtim Braçaj ose Ajet Sulaj. Droga dërgohej në një vilë dykatëshe në afërsi të Porto Romano në Durrës. Në këtë shtëpi lënda narkotike vendosej në ambiente të ndryshme dhe përpunohej për t’u paketuar. Mësohet se grupi ka dërguar më shumë se katër ose pesë herë lëndë narkotike në këtë shtëpi. Shtëpia ku grumbullohej lënda narkotike mbahej në mbikëqyrje nga personat e dyshuar Valter Pashollari dhe Euglen Pashollari. Kontaktet me mbikëqyrësit e shtëpisë ku grumbullohej lënda narkotike mbaheshin nga personi nën hetim, Ajet Sulaj. Akuza thotë se më 15 tetor, një nga mbikëqyrësit e vilës, ka dërguar një mesazh se ishin gati 30 pako të përpunuara, të cilat mund të largoheshin nga vila. Një ditë më pas, policia ndërhyri dhe arrestoi në kohë dhe vende të ndryshme të pandehurit. Në banesë u gjetën rreth 700 kilogramë hashash.
Red. Akt.
Ky shkrim Trafikuan hashash, lihen në burg biznesmenët u publikua me pare te Gazeta SHQIP Online.