Quantcast
Channel: Kryesoret – Gazeta SHQIP Online
Viewing all articles
Browse latest Browse all 12748

Hetim tregut bankar, AK në kërkim të ekspertit

$
0
0

konkurenca dhe tregu bankarTender për konsulentin. Studimi i BSH: Konkurrenca në rënie

Tenderi – Autoriteti i Konkurrencës, në mungesë të kandidatëve, anulon për herë të dytë tenderin për bashkëpunëtorin e jashtëm

Niveli – Vlerësimet e indeksit Lerner për 15 bankat tregojnë se nuk jemi as në situatë monopoli e as në konkurrencë të plotë

Indeksi – Indeksi Lerner është një matës i fuqisë së tregut të bankave, bazohet në teorinë e oligopolit për të vlerësuar konkurrencën

Studimi – Në fund do të hartohet raportit i studimit të tregut në sektorin bankar, që do të miratohet në bordin e komisionerëve

Zamir Alushi

Autoriteti i Konkurrencës (AK) do të zhvillojë një hetim të përgjithshëm në tregun e sektorit bankar për të parë nivelin e konkurrencës. Burime të AK-së i thanë gazetës “Shqip” se ky do të jetë një studim i plotë që përmbledh të gjitha elementet e tregut.

Tenderi

indeski lerner_1Komisioni vazhdon përgatitjet duke thirrur bashkëpunëtorë të jashtëm për ekspertizën në sistemin bankar. Në një thirrje të AK-së për aplikime për konsulentë (ekspertë të fushës) vihet re se për herë të dytë nuk është arritur të kontraktohet një ekspert i tillë. Tenderi i zhvilluar më 2 tetor 2015, për shërbim konsulence, për studim tregu në sektorin bankar është anuluar në mungesë të kandidatëve. Megjithatë, AK-ja njofton se do të kontraktojë një ekspert të fushës duke vazhduar procedurën e parashikuar në ligj (procedura shkresore). Fushat e ekspertizës së kërkuar janë: njohuri të thella të sektorit bankar, kryesisht të sistemeve të informacionit për shërbime bankare për individë, biznese dhe korporata; kredisë, riskut financiar, menaxhim portofoli, analizës financiare, auditim dhe kërkime tregu. Sipas AK-së, eksperti do të punojë nga tetori 2015 deri në hartimin e raportit përfundimtar të studimit të tregut. Grupi i punës do të hartojë metodologjinë e studimit, si dhe do të ndërtojë pyetësorë për marrje shpjegimesh. Gjithashtu do të realizohen takime me aktorë të ndryshëm në këtë treg. Një pjesë të studimit të tregut do ta zërë hulumtimi i praktikave të ngjashme në nivel europian ose më gjerë. Në fund do të hartohet raportit final i studimit të tregut në sektorin bankar, që do të miratohet në bordin e komisionerëve.

Indeksi Lerner

Deri tani, niveli i konkurrencës në sektorin bankar nuk është matur zyrtarisht nga asnjë institucion. Mes studiuesve të financës ka diskutime për metodën që duhet përdorur për këtë qëllim. Në një studim të Elona Dushkut, departamenti i kërkimeve i Bankës së Shqipërisë, publikuar në qershor 2015, prezantohet matja e nivelit të konkurrencës sipas indeksit Lerner. Nga ky studim del se privatizimi i ish-Bankës së Kursimeve është shoqëruar fillimisht me një rritje të indeksit Lerner, pra një përkeqësim të konkurrencës dhe më pas nga viti 2005 deri në vitin 2009 vërehet një rënie e indeksit. Vlerësimet tregojnë se gjatë kësaj periudhe vihet re një rritje e konkurrencës midis bankave dhe uljes së fuqisë së tregut nga ana e tyre. Kjo ka ardhur si rezultat i uljes si të çmimit të aktiveve ashtu edhe të kostos marzhinale. Ndërsa pas vitit 2009, vërehet një rritje e indeksit Lerner, që tregon për një ulje të konkurrencës nga ana e bankave. Vlerësimet e indeksit Lerner për 15 bankat e sistemit bankar, që përbëjnë rreth 90% të totalit të sistemit bankar, tregojnë që mesatarisht ky indeks për të gjithë periudhën është në nivelin 0.48, pra nuk jemi as në situatë monopoli e as në situatë të konkurrencës së plotë, por diku në mes, me një fuqi tregu të moderuar. Studimi thekson se nga viti 2009 dhe deri në vitin 2014, vihet re një tendencë rritëse e indeksit Lerner, që nënkupton një rritje të fuqisë së tregut nga ana e bankave dhe ulje të konkurrencës. Kjo tendencë është ndikuar nga një ulje e kostos marzhinale të bankave nga njëra anë, por edhe nga një rritje e çmimeve të aktiveve, si rrjedhojë e përkeqësimit të kushteve makroekonomike, shtimit të pasigurisë në treg dhe asimetrisë së informacionit. “Përgjithësisht, në terma mesatarë, mund të themi që konkurrenca në sistemin bankar është midis konkurrencës së plotë dhe monopolit”, konkludon raporti i departamentit të kërkimeve. Vlerësimi i konkurrencës është bazuar në indeksin Lerner, që është një matës i fuqisë së tregut të bankave. Arsyet e zgjedhjes së këtij indeksi, përkundrejt treguesve të tjerë, kanë të bëjnë me faktin se ai është matës më i mirë i konkurrencës sesa treguesit e përqendrimit, bazohet në teorinë e oligopolit dhe mund të llogaritet për bankat në mënyrë individuale për të parë evoluimin në kohë të tij. Duke shpjeguar arsyet e përzgjedhjes së indeksit Lerner, autorja e studimit thekson se ky është një tregues fleksibël dhe mund të masë fuqinë e tregut të bankave, bazuar në produkte të ndryshme bankare apo fuqinë e tregut të bankave sipas shpërndarjes gjeografike të tyre. Gjithsesi, kjo është vetëm një nga metodat, sepse AK-ja mund të përdorë edhe rrugë të tjera për matjen e konkurrueshmërisë së tregut bankar.

Ky shkrim Hetim tregut bankar, AK në kërkim të ekspertit u publikua me pare te Gazeta SHQIP Online.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 12748


<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>