Shtyhet në Belgjikë seanca gjyqësore ndaj deputetit Mark Frroku. Shkak për këtë vendim duket se është bërë mungesa e prokurorit të çështjes. Deputeti i Kuvendit të Shqipërisë akuzohet se në vitin 1999 ka vrarë shtetasin Aleksandër Kurti.
Ngjarja mendohet se ka ndodhur me 5 mars, në një stacion treni në Bruksel. Për këtë akuzë, deputeti i Parlamentit shqiptar ishte dënuar me 10 vjet burg, por çështja u kthye për rigjykim pas ankimimit të avokatëve për shkeljet procedurale. Kurti mendohet se shoqërohej nga një vajzë me inicialet L.A, e cila shfrytëzohej për prostitucion nga njëri prej vëllezërve të tij.
Procesi do të zhvillohet në mungesë të Mark Frrokut edhe pse kërkoi të jetë në gjyq dhe të dëgjohet nga drejtësia belge. Kërkesa u rrëzua nga Gjykata e Krimeve të Rënda. Nesër pritet që të mblidhet Këshilli i Mandateve, Rregullores dhe Imunitetit, për të diskutuar mbi heqjen apo jo të mandatit të Frrokut si deputet, i cili ka munguar prej 6 muajsh në Kuvend.
19 tetor 2015 (gazeta-Shqip.com)
Ky shkrim Akuza për vrasje në ’99, Gjykata e Brukselit shtyn seancën ndaj Mark Frrokut u publikua me pare te Gazeta SHQIP Online.