Një tjetër ditë pa makina ka qenë kjo e sotmja në Tiranë. Me një nismë të bashkisë është kufizuar qarkullim në disa rrugë dhe bulevardi kryesor i kryeqytetit i është lënë plotësisht biçikletave dhe këmbësorëve. Duke e cilësuar këtë nismë mjaft pozitive për qytetin, kreybashkiaku Erjon Veliaj paralajmëroi zhvillimin e shpeshtë të ditëve pa makina, një herë në muaj, apo deri edhe në çdo javë.
Kjo ditë e veçantë është gërshetuar edhe me nismën ‘Tirana Dhuron’, me anë të të cilës do të konkretizohet dita e shenjtërimit të Nënë Terezës, jo me fjalime boshe, por me vepra konkrete, tha Veliaj.
“Suksesi i kësaj dite të dytë do të vijojë pse jo të përshkallëzohet gjatë ditëve të ardhshme të ditëve pa makina, derisa ta kthejmë në një traditë që qytetin të mos ua përshtatim makinave, por njerëzve dhe banorëve të tij që duan të jetojnë me një ajër më të pastër dhe me një jetë më të shëndetshme”, u shpreh kryebashkiaku.
Po sot kreu i bashkisë së Tiranës ka inauguruar të parin parkim publik me administrimin e bashkisë, ai i ndërtuar në sheshin ‘Italia’, pranë stadiumit ‘Qemal Stafa’. Pasi paralajmëroi se në ditët në vazhdim qytetarëve do t’iu rikthehen hapësirat e zëna publike përmes sipërmarrjeve të ngjashme, Veliaj e cilësoi si mjaft të rëndësishëm këtë parkim, jo vetëm për të rregulluar trafikun e ngarkuar në rrugët e Tiranës, por edhe për të përmirësuar buxhetin e bashkisë në mënyrë që projekte në shërbim të komunitetit të jenë gjithnjë e më të shumta.
18 tetor 2015 (gazeta-Shqip.com)
Ky shkrim Tjetër ditë pa makina në Tiranë, Veliaj përuron parkimin u publikua me pare te Gazeta SHQIP Online.