Partia Demokratike i është drejtuar sërish me një letër kreut të Kuvendit, Ilir Meta, këtë radhë për çështjen e dekriminalizimit.
Letra e dërguar nga kryetari i komisionit për dekriminalizimin, Oerd Bylykbashi kërkon nga kryeparlamentari që iniciativat ligjore të dekriminalizimit të jenë objekt diskutimi vetëm i komisionit të posaçëm për dekriminalizimin të drejtuar nga opozita.
“Për adresimin e fenomenit të kriminalizimit të jetës publike, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka propozuar për shqyrtim dhe miratim në Kuvend të dy iniciativave ligjore, që përfshihen tërësisht brenda fushës së veprimit të Komisionit të Posaçëm Parlamentar. Mirëpo, në kundërshtim me vendimin e Kuvendit si dhe me nenin 24 të Rregullores së Kuvendit, në Programin e Punës së Kuvendit dhe Kalendarin e Punimeve, janë përcaktuar si struktura përgjegjëse për shqyrtimin e tyre Komisioni Parlamentar i Ligjeve dhe Këshilli i Legjislacionit. Në këtë pikë, sjellim në vëmendjen tuaj se këto struktura do të ishin përgjegjëse për shqyrtimin e këtyre iniciativave vetëm në rast se Kuvendi nuk do të kishte ngritur një strukturë të posaçme (siç është Komisioni i Posaçëm). Në programin e punës dhe kalendarin e punimeve të Kuvendit duhet të përcaktohet si strukturë përgjegjëse për shqyrtimin e të dyja iniciativave pikërisht Komisioni i Posaçëm”, thuhet në letrën e Bylykbashit drejtuar Metës.
18 tetor 2015 (gazeta-Shqip.com)
Ky shkrim PD letër Metës për dekriminalizimin: Të shqyrtohet vetëm në komisionin e posaçëm u publikua me pare te Gazeta SHQIP Online.