Zëdhënësi i ambasadës së SHBA-së: Shqipëria, shans kritik për reformën
Investitorët e huaj nuk kanë besim te sistemi i drejtësisë në Shqipëri. Ambasadori gjerman, Helmuth Hoffman, nga qyteti i Beratit ka shprehur shqetësimin që biznesi i huaj, veçanërisht ai gjerman po has te drejtësia shqiptare për marrjen e vendimeve në çështjet e ndryshme, veçanërisht tek ajo e koncesioneve. “Tema qendrore në këtë kontekst do të ishte shteti ligjor. Investitorët që kanë këtu aktivitetet e tyre do të duhet të kishin besim në sistemin e drejtësisë, në mënyrë që ata kur kanë një problem t’u drejtohen gjykatave dhe të kenë besim se do të merret vendimi i drejtë, sepse herë pas here ndodh që mund të kenë probleme mes firmave private gjermane dhe ato në kontekstin e këtyre problemeve prej strukturave shtetërore, drejtohen ose këshillohen t’u drejtohen gjykatave. Për shembull, bëhet fjalë për çështje të interpretimit të kontratave të koncesionit dhe në këtë kontekst duhet të kishin besim. Në fakt, kjo nuk është se i ndihmon shumë firmat gjermane këtu, pasi e para, procedurat gjyqësore zgjasin dhe e dyta besimi nuk është se ekziston plotësisht”, deklaroi ambasadori Hoffman. Ambasadori gjerman ka inspektuar investimet që po kryhen nga qeveria e vendit të tij në qytetet e Beratit dhe të Kuçovës. Fillimisht ambasadori gjerman ndoqi projektin 65 milionë euro që synon rehabilitimin e ujësjellësit si edhe zëvendësimin e tubacionit që do të furnizojë 130 mijë banorë të kësaj zone. Ambasadori theksoi edhe gjatë takimit në shoqërinë që eksporton bimë medicinale se përmes investimeve kërkohet të rritet standardi i jetës së banorëve, në mënyrë që ata të mos emigrojnë e as të mos kërkojnë azil. Këtë mesazh ambasadori e përsëriti edhe në fshatin Goricë teksa vizitoi fermën e Gëzim Kuqit, me 2.5 hektarë dru frutorë.
Ambasada e SHBA-së
Reforma në drejtësi shihet si jetike për ndërkombëtarët, duke theksuar se Shqipërisë i paraqitet një shans kritik. Zëdhënësi i ambasadës, Ryan Roberts në një koment për Ora News shprehet se nëse reforma në drejtësi realizohet ajo do të jetë më e rëndësishmja pas rënies së regjimit komunist. “Në sistemin e drejtësisë ka nga ata që duhen shkarkuar për korrupsion dhe disa duhet të shkojnë në burg. Profesionistët e shumtë shqiptarë të drejtësisë që janë me përvojë, të kualifikuar dhe të ndershëm meritojnë mundësinë për të punuar në një sistem gjyqësor që është i çliruar nga korrupsioni, që është mjaftueshëm i pavarur për t’i rezistuar ndikimit politik dhe që është në gjendje të ndjekë penalisht krimet e rënda. Ne e njohim nevojën urgjente për këtë reformë dhe vazhdojmë të punojmë me Shqipërinë për të. Kemi shprehur mbështetjen tonë për këtë reformë publikisht dhe në takime me politikanë, ekspertë dhe të tjerë aktorë në të gjitha nivelet”, reagon Roberts. SHBA vijon të mbajë një qëndrim konstant sa i takon kërkesës së opozitës për hetim ndërkombëtar ndaj çështjes së CEZ. Sipas tij, SHBA mbështesin institucionet ndërkombëtare për këtë proces. “SHBA do të vazhdojnë të mbështesin institucionet ligjzbatuese të Shqipërisë në përpjekje për të ndërtuar kapacitete dhe efektshmëri. Ambasada ofron këshilla ekspertësh, promovon reforma dhe nxit veprime të prokurorisë kundër korrupsionit. Oficerët e policisë dhe prokurorët shqiptarë janë të vetmit përgjegjës për të drejtuar hetime mbi çështje që ndikojnë popullin shqiptar dhe institucionet e tij”. Për reformën në drejtësi, komisioni i posaçëm i ka dërguar në Venecia opinionet mbi ndryshimet e ligjeve dhe të Kushtetutës. Gjithashtu, dhe opozita ka dërguar oponencën e saj në lidhje me draftin e përgatitur nga ekspertët e komisionit të posaçëm. Ndërsa PD-ja nuk ngurron të akuzojë mazhorancën se i gjithë drafti, veçanërisht ai për ndryshimet kushtetuese, është kryer në fshehtësi. Brenda muajit dhjetor, Komisioni i Venecias pritet të paraqesë opinionin e tij mbi propozimet për ndryshimet që Kuvendi shqiptar do të realizojë si pjesë e reformës në drejtësi.
Socialisti
Braçe: Nishani, në shërbim të Berishës dhe Bashës
Nënkryetari i grupit të PS-së, Erjon Braçe, i është kundërvënë qëndrimit të Presidentit Bujar Nishani, i cili kërkon referendum për ndryshimet kushtetuese. Duke e cilësuar reagimin e kreut të shtetit si një bllokim, Braçe shprehet se reforma në drejtësi as që duhet të kërkojë e presë konsensusin e “Të pandëshkueshmëve”. “Nishani thotë: vendimi për referendum duhet të merret me konsensus”; Pa konsensus nuk ka as referendum. A e kuptoni apo jo? Zotnia që është vënë në shërbim të Berishës për të ndalur “Reformën ne Drejtësi” me çdo kusht, tani angazhohet që: populli, të mos ketë as të drejtën të vendosë për reformën në drejtësi, nëse nuk jep konsensusin “koalicioni 2b plus 1”, Berisha, Basha, Bujari!! Secili duhet të kuptojë një gjë; E drejta e popullit për të rrëzuar Qeverinë e Korruptuar të Drejtësisë, nuk ka dhe nuk do ketë fare nevojë për konsensusin politik të krerëve të drejtësisë së korruptuar. Populli nuk mund të rrëzohet me standardin e dyfishtë që bën të paktën dy prej treshes, të pabarabartë para ligjit, thjesht të pandëshkueshëm. Ndaj reforma në drejtësi as që duhet të kërkojë konsensusin e tyre; Të popullit, vetëm të popullit patjetër!”, shkruan Braçe në “Facebook”.
Europarlamentari
“Shpresoj që negociatat të nisin vitin e ardhshëm, do ishte më e ndershme kështu”
Fleckenstein: Mos prisni shumë nga raporti i KE-së
Socialdemokrati gjerman, Knut Fleckenstein, raportues i PE për Shqipërinë has vështirësi për të besuar shtyrjen e dytë të datës së publikimit të raportit të progresit nga ekzekutivi europian, qoftë për Turqinë, qoftë për sebepin e PPE-së. Në një intervistë për “Top Channel”, europalarmentari këshillon shqiptarët të vazhdojnë në rrugën e duhur, por dhe që të mos kenë pritshmëri të larta nga raporti i radhës. “Unë do ju thosha mos prisni shumë. Kësaj radhe do të përmendet vetëm se ku ka pasur progres, sigurisht, për 5 prioritetet kyçe ka pasur progres dhe se cilat janë hapat e radhës për t’u marrë, që ju i dini më mirë se Komisioni. Kështu që shpresoj se vitin tjetër do të mund të ecim para me hapin e mëtejshëm”, shprehet ai. Ndërsa kërkon që Shqipëria të ecë në rrugën e saj të reformave ku fokusi kryesor është ai i drejtësisë. “Unë nuk do doja të bëhej kjo (shënim: shtyrje), por nuk besoj se këta zëra janë të vërtetë. Nuk arrij ta besoj dot se komisioneri përgjegjës për këtë paketë tani, nuk e prezanton dot pse nxiton për një takim partiak të PPE-së në Madrid. Unë nuk mendoj se zgjerimi nuk është më kaq i rëndësishëm. Por, mesazhi im kryesor për Shqipërinë është “vazhdoni të ecni”, sepse Shqipëria është në një rrugë mjaft të mirë. Edhe pse e dimë se ka ende shumë për t’u bërë, por, për shembull për reformën në drejtësi është bërë shumë punë dhe tani priten komentet e Komisionit të Venecias dhe më pas, ka shumë më tepër rëndësi madhore, që kjo reformë të marrë me shumicë të gjerë në Parlamentin tuaj, të gjitha ndryshimet kushtetuese, sepse kjo reformë është baza për gjithçka tjetër, si dekriminalizimi, lufta ndaj korrupsionit e me radhë, ndaj mendoj se jemi tashmë në një fazë emocionuese”, thekson Fleckenstein. Ndërsa ka të qartë se negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë mund të nisin vitin e ardhshëm. “Unë shpresoj vërtet kështu, që ato të nisin vitin e ardhshëm, dhe jam i bindur se do ishte e drejtë dhe e ndershme të veprohej kështu”, shton raporteri i PE-së.
Ky shkrim Hoffman: Investitorët e huaj nuk kanë besim te drejtësia shqiptare u publikua me pare te Gazeta SHQIP Online.