Kroatët, kontratë me qeverinë “Berisha”
Zamir Alushi
Pas CEZ-it, një tjetër gjyq i Arbitrazhit ndërkombëtar kundër Shqipërisë zgjidhet me mirëkuptim, por me një faturë 6.8 milionë euro (afërsisht 7.8 milionë USD) për t’u paguar. “Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST) dhe kompania kroate ‘Dalekovod’ nënshkruajnë një marrëveshje ku pala shqiptare angazhohet për të paguar shumën e specifikuar, duke i dhënë fund mosmarrëveshjes për projektin e ndërtimit të linjës së transmetimit prej 400 kV Tiranë – Podgoricë, që zgjati nga viti 2007 deri në vitin 2011”, thuhet në deklaratën zyrtare të kompanisë kroate “Dalekovod”, të botuar në faqen web më 15 tetor 2015. “Vendimi, jo vetëm që sjell kompensimin financiar, por gjithashtu, duke pasur parasysh praninë e madhe të ‘Dalekovod’ në rajon dhe veçanërisht në Kosovë, hap mundësinë e marrëveshjeve të reja në Shqipëri, të cilat janë planifikuar për periudhën e ardhshme”, njofton kompania. Lajmi citohet edhe nga agjencia “See news”, e specializuar për biznesin në rajonin e Ballkanit. Sipas kompanisë, kontrata e lidhur më 2007 u zvarrit dhe u vonua zbatimi i projektit. Shkaku i vonesës ishin autoritetet shqiptare, të cilat nuk iu përmbajtën kushteve të kontratës, duke mos nxjerrë në kohë lejet dhe licencat për ndërtimin e linjës, çka solli vonesën trevjeçare të projektit. Për këtë arsye, në vitin 2012, kompania e paditi qeverinë në Arbitrazhin e Vjenës. Një vit më parë, gjykata vendosi në favor të kompanisë kroate duke e detyruar qeverinë shqiptare t’i paguajë asaj 7.5 milionë euro si dëmshpërblim. Burime nga OST i thanë “Top Channel” se pavarësisht fitores, kompania kroate e apeloi vendimin duke kërkuar 12 milionë euro.
Serbët në mes
Vonesat e linjave të interkonjeksionit të Shqipërisë me fqinjët, sipas akuzave publike të opozitës së atëhershme, kanë ndodhur për shkak të lobimit të kompanive serbe që i shesin energji vendit tonë. Sipas raportit të mbajtur nga drejtori i shitjeve i EFT Grup në Beograd, Mladen Apostolovic, më 7 mars 2012, projekti i ndërtimit të linjës Podgoricë-Tiranë (Elbasan) u zbatua nga kjo kompani. Pra, një kompani e orientuar në tregun shqiptar të energjisë, ka ndërtuar të paktën një segment të kësaj linje të financuar nga qeveria gjermane përmes Bankës KfW. Linja e përfunduar është inauguruar në Shkodër në maj 2011. Projekti që kapte vlerën prej 43 milionë eurosh e financuar nga qeveria gjermane nëpërmjet bankës KfW, konsistonte në ndërtimin e linjës së interkonjeksionit 400 kV midis nënstacioneve Tirana 2 (Shqipëri) dhe Podgoricë (Mali i Zi). Në përurim ishte i pranishëm kryeministri i atëhershëm Sali Berisha, zv.kryeministri i Malit të Zi, Vuica Llazoviq, si dhe ministri për Bashkëpunim Ekonomik i Gjermanisë, Dirk Niebel. “Ne kemi resurse të mëdha hidroenergjetike dhe jemi një Norvegji e dytë në Europë”, u shpreh Berisha. Kjo linjë ishte pjesë e interkonjeksionit 400 kv Elbasan-Tiranë-Podgoricë. Ndërtimi i kësaj linje ishte një nga kushtet që OST të bëhet anëtare me të drejta të plota të rrjetit europian të operatorëve të sistemit të transmetimit për energjinë elektrike (ENTSO-E).
Përsëritja e historisë
E njëjta kompani kroate, “Dalekovod” është fituese e tenderit të anuluar për ndërtimin e linjës së interkonjeksionit Kosovë-Shqipëri. Pas vlerësimit nga komisioni i tenderit, ku merrnin pjesë OST, KOST, si dhe konsulenti gjerman ‘Intech Gopa’, fitues i tenderit u shpall kompania roate ‘Dalekovod’. Në tender merrnin pjesë 34 kompani. Por fitorja u diskutua me kompaninë boshnjake “Energo Invest”. Me gjithë këmbënguljen e financuesit KfW, qeveria shqiptare e zvarriti dhe më pas e anuloi tenderin. Pas përsëritjes së tenderit, kroatët nuk u paraqitën, ndërsa fituese u shpall “Energo Invest”. Në fakt, kompanisë kroate iu dha për ndërtim pjesa kosovare e linjës, me vlerë 30.8 milionë euro. Marrëveshja me kompaninë kroate për zgjidhjen e konfliktit në arbitrazh është negociuar nga Avokatura e Shtetit dhe Ministria e Energjisë.
Ky shkrim OST zgjidh Arbitrazhin me mirëkuptim, fatura 7.8 milionë dollarë u publikua me pare te Gazeta SHQIP Online.