Quantcast
Channel: Kryesoret – Gazeta SHQIP Online
Viewing all articles
Browse latest Browse all 12748

Nishani rrëzon 5 prokurorët e Antikorrupsionit

$
0
0

Presidenti nuk dekreton emërimet e Lallës në krye të njësisë elitë

Presidenti-Bujar-Nishani-dhe-Prokurori-i-Pergjithshem-Adriatik-LlallaPresidenti i Republikës ka rrëzuar katër kandidaturat e Kryeprokurorit Llalla për sa i përket strukturës elitë Antikorrupsion, që heton zyrtarët e lartë. Kësisoj, mosdekretimi nga Nishani i emrave që kishte sjellë Prokurori i Përgjithshëm ka sjellë një vakum emërimesh, pasi momentalisht këta prokurorë janë të komanduar. Edhe pse në shtator numri një i organit të akuzës kreu lëvizjen e radhës, duke tentuar ta kthejë këtë institucion ashtu siç u besua se do të funksiononte pas ndryshimeve në ligj për hetimin e gjykimin e korrupsionit tek kjo prokurori, duke emëruar 4 prokurorë shtesë në këtë strukturë, firma e tij është kundërshtuar nga kreu i shtetit, Bujar Nishani. Në krye të kësaj njësie në muajin shtator, Llala emëroi prokurorët Armand Gurakuqi, Anisa Qilimi, Enkelejda Minollai, Gent Osmani dhe Gentian Rreshkën, shefin që do t’i drejtojë ata. Prokuroria vijon të shënojë rekorde të papërfillshme për zyrtarë që do të merreshin si të pandehur për çështje korrupsioni edhe një vit pas ngritjes së strukturës antikorrupsion tek Prokuroria e Krimeve të Rënda. Madje pati deklarata të herëpashershme nga Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, se në vjeshtë do të ketë arrestime surprizë.

“Rrëzimi” i prokurorëve

Me përjashtim të Gent Osmanit, i cili u transferua nga Prokuroria e Elbasanit te Krimet e Rënda, katër të tjerët u votuan nga Këshilli i Prokurorisë, e më pas u emëruan nga Prokurori i Përgjithshëm në strukturën që vijon të jetë e brishtë, pavarësisht pritshmërive. Por, me sa po shikohet kjo lëvizje e Prokurorit të Përgjithshëm nuk është konsideruar e duhura nga Presidenti, pasi të katër emërimet nuk janë dekretuar prej tij. Argumenti që rrëzon Prokurorin e Përgjithshëm e që me sa duket shfaq një marrëdhënie jo të mirë mes Llallës dhe Nishanit, thuhet në rrugë jozyrtare të jetë mosndjekja e të gjitha kritereve për këto emërimeve, kjo pasi për katër prokurorët, së pari duhej kryer shpallja e vendeve vakante tek Krimet e Rënda e më tej ata duhet t’i nënshtroheshin konkursit, thonë burimet. Me gjithë refuzimin e Presidentit Nishani për t’i dekretuar, Prokurori i Përgjithshëm ka zgjedhur që t’i qëndrojë firmës së tij, duke i lënë ata tashmë si të komanduar në këtë detyrë, çka do të thotë se aktualisht në Prokurorinë e Krimeve të Rënda janë me pëlqim vetëm prokurori Gentian Osmani dhe prokurori amerikan Gjon Junçaj. Edhe pse ka një vit që ka kaluar ligji që i jep kompetenca të plota Prokurorisë së Krimeve të Rënda për dosjet e korrupsionit, deri më tani Prokuroria e Krimeve të Rënda ka marrë vetëm dy vendime fajësie që janë pesë vjet nga gjykimi i shkurtuar i ish-kryekomunarit të Bërzhitës, Genci Drita, dhe tre vjet të konvertuar në shërbim prove për ish-gjyqtarin e Pogradecit, Dhimitër Pojanaku, ndërsa janë ende nën gjykim gjyqtarja e Lezhës, Parashqevi Ademi, për të cilën prokuroria kërkon 6 vjet burg, kurse për gjyqtarin e Sarandës, Rasim Doda, gjykata është në pritje të dëgjimit të dëshmitarëve.

Antikorrupsioni

Më 11 shtator të këtij viti, prokuroria krijoi njësinë antikorrupsion, ku pavarësisht mungesës ligjore për të hetuar persona me imunitet (ministra, deputetë apo gjyqtarë të Gjykatës së Lartë), akuza qendrore thotë se kjo zyrë do të hetojë zyrtarët e lartë, pikërisht ata që deri më tani kanë qenë “të paprekshëm”. Megjithatë, ajo çka tërhoqi vëmendjen e opinionit ishte kërkesa e vazhdueshme e numrit një të akuzës qendrore që, në muajt e parë të funksionimit, të hetohen e ndëshkohen zyrtarë të lartë që bëjnë korrupsion. Gjatë takimit, ku të pranishëm ishin dhe përfaqësues të ambasadës amerikane dhe ODAPT, Llalla ka kërkuar nga vartësit e tij finalizimin e hetimeve në proces. Mësohet se kjo njësi do t’u japë zgjidhje ligjore qindra çështjeve, hetime pasurore për individë kriminalë apo edhe për disa çështje korrupsioni që po hetohen në këtë prokurori. “Kjo njësi numëron rreth 400 raste, mbi të cilat po kryhen veprimet procedurale sa u përket hetimeve pasurore për persona dhe grupe të strukturuara kriminale, si edhe për raste të dyshuara korrupsioni në nivele të larta drejtuese. Po ashtu, në mbështetje të kësaj njësie, tashmë do të jetë i atashuar me kohë të plotë edhe një ekspert i misionit OPDAT të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i cili do të ofrojë ekspertizën e drejtpërdrejtë mbi çështjet e kriminalitetit ndërkombëtar, si edhe hetimit pasuror”, thotë akuza qendrore.

 

Hetimet për deputetët

Dosjet VIP të ish-ministrave dhe hetimet për kryebashkiakët

Mes dosjeve ndaj ish-ministrave përmendet ajo e Spiro Kserës. Ish-ministri i Punës është denoncuar nga ish-ministri Erion Veliaj për abuzime me detyrën. Edhe më parë Ksera u hetua, por nuk u mor i pandehur. Në listë është edhe Arben Imami, ish-ministri i Mbrojtjes, i cili ka edhe një llogari të hapur me drejtësinë. Prokuroria e Elbasanit po e heton për shitjen e skrapit të Mjekësit. Ridvan Bode, ish-ministri i Financave, ka aktualisht dy çështje të hapura, e para për kredinë për Durrës–Kukës dhe e dyta për fshehje pasurie. Lulzim Basha, ish-ministri i Brendshëm, aktualisht lider i opozitës, u denoncua disa javë më parë për ngjarjet gjatë demonstratës së 21 janarit. Myqerem Tafaj, ish-ministri i Arsimit, akuzohet në lidhje me akreditimet e universiteteve private, ku prokuroria ka regjistruar procedim penal. Akuza qendrore në kohën kur godet njërin krah, siç ishte edhe rasti i Arben Ndokës e Pjerin Ndreut për shpullën ndaj Strazimirit, goditi edhe anën tjetër, Astrit Veliajn e së djathtës për ndërtim pa leje. Më parë, akuza deklaroi në një njoftim se kishte marrë të pandehur dy ish-krerët e inspektorateve ndërtimore, Zyhdi Dajtin e INUK-ut dhe Florenc Hoxhën e INUV-it të Bashkisë së Tiranës. Prokuroria ka ngritur akuzë ndaj dy kryebashkiakëve, Shpëtim Gjikës të Vlorës dhe Xhelal Mziut të Kamzës.

Ky shkrim Nishani rrëzon 5 prokurorët e Antikorrupsionit u publikua me pare te Gazeta SHQIP Online.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 12748


<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>