Ish-kryeministri Sali Berisha ka akuzuar edhe një herë maxhorancën qeverisëse për korrupsion në lidhje me aferën e CEZ-it, ku sipas tij janë të përfshirë kreu i qeverisë Rama dhe kryetari i Kuvendit, Ilir Meta.
Në akuzat e tij nga foltorja e sallës së Parlamentit, Berisha tha se kjo është grabitja më e madhe në historinë e një vendi.
“CEZ-i është vjedhja më e madhe, plaçkitja më e madhe, grabitja më e madhe që ka bërë ndonjë kryeministër në historinë e vendit. Mediat kanë zbuluar një akt tjetër korruptiv, sipas të cilave, njëra nga kompanitë e kontraktuara nga vetë CEZ, e Kastriot Ismailaj, i ka dhënë ryshfet Ministrit të Jashtëm të asaj kohe, Ilir Meta, – theksoi Berisha. – Po ashtu thuhet se Ilir Meta e ka takuar në Pragë dhe ka negociuar me Hasek për kompaninë e Kadstriot Ismailaj”.
Sipas Berishës, “Ilir Meta, si Ministër i Jashtëm, nuk ka pasur asnjë detyrë për të negociuar me CEZ për asgjë. Për CEZ-in, ka qenë i ngarkuar të flasë ministri i tij, Haxhinasto, por në asnjë rast, asnjë zyrtar i Ministrisë së Jashtme. Cili ka qenë motivi, ato duhet t’i shpjegojë ai, ndaj dhe ne kemi kërkuar dorëheqjen e tij”.
Braçe: Kompanitë dhe përfitimet, i kanë njerëz të Berishës
Ndërkohë ka reaguar Kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Erion Braçe, i cili i është përgjigjur akuzave të ish-kryeministrit në lidhje me CEZ-in dhe sistemin energjetik.
“Kompania e dytë e kontraktuar për mbledhjen e borxheve të këqija, Albania Telecomutacion Union, adresa e kompanisë, Tiranë, rruga “Papa Gjon Pali 2”, kati 14 zyra 7, ti ça kati je, 18 apo 20? Ke zyrën 5 apo 6, – iu drejtua Braçe, Berishës në Kuvend. – Si ka mundësi që t’i gjithmonë del o në pallatin e këtij zotërisë për të banuar, o në pallatin e tij me zyrë? Të gjitha kompanitë, bashkë me përfitimet, 40-45% të shtatë të nënshkruara mes kompanisë CEZ, janë njerëz ekskluzivë të tutë, të cilët janë parapaguar për të kryer këtë shërbim”.
Braçe theksoi se “kjo histori duhet të hetohet e plotë dhe të përfshijë dhe ato godinat ku mbarten pronarët e vërtetë dhe përfituesit e vërtetë të këtyre aferave”.
10 shtator 2015 (gazeta-Shqip.com)
Ky shkrim Afera e CEZ, Berisha: Grabitja më e madhe në historinë e një vendi. Reagon Braçe u publikua me pare te Gazeta SHQIP Online.