“Beteja” mes KLD-së dhe ministrit për gjyqtarin Arjan Aliaj zhvendoset në akuzën qendrore. Llalla ka pranuar padinë e firmosur nga Nishani
Prokuroria e Përgjithshme ka regjistruar procedimin penal ndaj ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Regjistrimi i këtij procedimi për Tahirin vjen pas kallëzimit të bërë nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë për intimidimin e gjyqtarit Arjan Aliaj. Burime nga akuza qendrore pohojnë se pas regjistrimit të kallëzimit, është caktuar një prokuror për hetimin e çështjes, i cili ka nisur verifikimin e fakteve të pretenduar nga KLD-ja. Sipas prokurorisë, fillimisht janë dërguar shkresa zyrtare pranë televizioneve kombëtare, ku kërkohet sekuestrimi i regjistrimeve të konferencave për media të ministrit Tahiri, nga data 6 qershor dhe në vazhdim. Pas këtyre procedurave, prokuroria do të vlerësojë nëse në deklaratat e ministrit Tahiri ka elemente të veprës penale të “kanosjes” ndaj gjyqtarëve. Në kallëzim, KLD-ja pretendon se ministri, me daljet e tij publike, ka kanosur gjyqtarët dhe në veçanti gjyqtarin Arjan Aliaj. Deklaratat e ministrit, sipas kallëzimit, kanë fyer, denigruar dhe kanosur gjyqësorin në tërësi dhe në veçanti gjyqtarin Arjan Aliaj. Ky i fundit, me kërkesë të prokurorisë më 6 qershor të këtij viti, vendosi pezullimin nga detyra të drejtorit të Policisë së Shtetit, Haki Çako. Pezullimi erdhi pas dyshimeve të ngritura nga prokuroria për përfshirjen e drejtorit Çako në skandalin e përgjimeve.
Kallëzimi i KLD-së
Denoncimi ndaj ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, erdhi pas reagimeve të shumta të të gjithë njerëzve të drejtësisë, të cilët dënonin ashpër gjuhën fyese e denigruese të ministrit ndaj gjyqtarit. Veç shoqatave të gjyqtarëve dhe prokurorëve, ka reaguar edhe KLD-ja e cila e cilësonte të papranueshëm fjalorin e ministrit. Për këtë fakt, anëtarët e KLD-së në një mbledhje të zhvilluar gjatë fundjavës, jashtë radhës së parashikuar, vendosën dhe kallëzuan penalisht ministrin. KLD e akuzon për deklaratat e Tahirit ndaj gjykatësit Arjan Aliaj dhe të tjerat pas kësaj, me një fjalor më të rënduar ndaj tij dhe trupës gjyqësore në tërësi. Sipas KLD, ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, duhet të mbajë përgjegjësi penale. Neni 317 i Kodit Penal e dënon kanosjen e gjyqtarit me gjobë deri në 3 vjet burg, kurse neni pasues parashikon nga gjobë deri në 3 muaj burg për fyerje të gjyqtarit. Me anë të këtij denoncimi, KLD-ja kërkon nga prokuroria të ndjekë penalisht ministrin Tahiri për akuzat e “fyerjes së gjyqtarit” për shkak të detyrës dhe kanosjes, duke intimiduar në tërësi gjyqtarët.
Bashkë me kallëzimin, mësohet se drejtoria juridike e KLD-së i ka bashkangjitur edhe deklaratat publike të ministrit Tahiri, që fyen e denigron gjyqtarin për vendimin e dhënë.
Akuzat e Tahirit
Menjëherë pas kallëzimit, Tahiri akuzoi anëtarët e KLD-së si pjesëtarë të atij që e ka quajtur “fronti i së keqes”, i cili, sipas tij, po përpiqet të pengojë reformën në drejtësi dhe reforma të tjera të kësaj qeverie. “Anëtarët e KLD-së që ishin në mbledhje ku u ngrit padija ndaj meje më japin mundësinë të konstatoj se ky është këshilli i lartë i pasurisë dhe i padrejtësisë. Këta anëtarë janë pjesë e frontit të së keqes për të ndalur reformën në drejtësi, për të goditur qeverinë në luftën kundër krimit e korrupsionit dhe betejën tonë për një shoqëri të hapur e transparente, që bazohet te shteti ligjor”, ka deklaruar Tahiri. Ai u shpreh i gatshëm të përballet me akuzat ndaj tij dhe theksoi se, pavarësisht kësaj ai nuk do të heshtë. “KLD, me padinë penale ndaj meje ka vënë një bast me të cilin jam gati të përballem në çdo kohë, për sa kohë besoj në paligjshmëritë që konsumohen nga gjyqtarët, që janë peng i mëkateve të tyre”, ka thënë Tahiri, i cili nuk ka tërhequr akuzat ndaj gjyqtarit që pezulloi nga detyra drejtorin e përgjithshëm të policisë, Haki Çako.
Mësohet se Tahiri bëri katër deklarata, ku në të fundit përmendi shifrën prej 5.7 miliardë lekësh që, sipas tij, përbën pasurinë e përbashkët të 9 anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Por me formulimin e dy akuzave të protokolluara pranë Prokurorisë së Përgjithshme, KLD ka parasysh “fyerje dhe kanosje të gjyqtarit”. Kurse Saimir Tahiri nuk ka depozituar ndonjë kallëzim penal ndaj tyre, por vetëm përmendi shifrën e lartë të pasurisë të “Fronit të së keqes”, siç e etiketoi ai. Tanimë beteja mes kupolës së drejtësisë dhe kreut të Ministrisë së Brendshme, është shndërruar në lojë nervash, pasi të dyja palët kanë hyrë në fazën finale.