Reforma në drejtësi
Felaj: Nuk ka skenar për zgjedhje të parakohshme. Të hapur për negociatat me opozitën
Edi Rama mësohet se u ka kërkuar deputetëve të partisë së tij që të qëndrojnë në gatishmëri, duke nënkuptuar se mund të mbahet seanca për ndryshimet kushtetuese
Raportimi – Në mbledhjen e grupit, kryekomisioneri Fatmir Xhafaj ka raportuar para deputetëve socialistë duke i bërë një ekspoze mbi punën e kryer deri më tani për reformën në drejtësi
Kryesia – Rama më pas ka mbledhur Kryesinë e PS-së, si dhe ka zhvilluar disa takime me disa prej ministrave. Organizimi i punës dhe i zgjedhjeve brenda PS-së ka qenë në fokus
HERION MESI
Kryeministri Edi Rama ka drejtuar mbledhjen e grupit parlamentar, në fokus të të cilit kanë qenë projektligjet e parashikuara për votim në seancën plenare të së enjtes, si dhe depozitimi i nismës për ndryshimet kushtetuese të firmosur fundjavën e kaluar nga 33 deputetë të PS-së në kuadër të miratimit të reformës në drejtësi. Nisur dhe nga zhvillimet e djeshme në mbledhjen e radhës të Komisionit të Posaçëm për Reformën, ku socialisti Fatmir Xhafaj artikuloi mesin e muajit të ardhshëm si datën e fundit që drafti do të miratohet në Kuvend, mësohet se kryesocialisti u ka kërkuar të tijve që të mos mungojnë në punimet parlamentare, sidomos pas javës së parë të korrikut. Burime nga selia rozë thanë dje për gazetën “Shqip”, se në mbledhjen e mbajtur me dyer të mbyllura, kreu i mazhorancës i ka njohur ligjvënësit socialistë edhe me zhvillimet më të fundit të negociatave intensive që po zhvillohen me përfaqësuesit e opozitës, e kryesisht të Partisë Demokratike, ku nuk përjashtohet dhe mundësia e një kompromisi të minutave të fundit mes palëve. Por, nga ana tjetër, prezencën e tyre në Shqipëri gjatë kësaj periudhe, Rama mësohet se e ka lidhur edhe me mundësinë e kalimit të votave nga kampi i djathtë për reformën në drejtësi, duke thënë se mazhoranca aktuale nuk i ka votat e domosdoshme për të miratuar e vetme ndryshimet në Kushtetutë. Pikërisht për këtë arsye kanë detyruar kryetarin e PS-së që deputetët të jenë në gjendje gatishmërie për çdo situatë që do të krijohet në ditët e ardhshme. Por, në përfundim të diskutimeve, Rama do të pyetej nga gazetarët e mbledhur në oborrin e PS-së nëse ka ndonjë zhvillim të ri mbi negociatat me opozitën për reformën në drejtësi, por ai u përgjigj shkurt se vijonte të shijonte fitoren e kombëtares shqiptare të futbollit ndaj Rumanisë. Ndërsa ministrja e Shtetit, Ermonela Felaj, në një intervistë televizive, deklaroi se nuk ka ndonjë skenar për zgjedhje të parakohshme në Shqipëri në rast se nuk votohet reforma në drejtësi. “Mundësia për negocim është një kohë, jo një kohë e pafund. Kjo është një reformë që nuk i shërben vetëm interesave të dikujt, por i shërben të gjithë shqiptarëve. Do të ishte mirë që opozita jep konsensusin e saj për këtë reformë. Por nëse ata nuk vendosin, kjo nuk është një llogaridhënie e mazhorancës para publikut por opozita duhet të japë llogari para publikut”, deklaroi Felaj, ku sipas saj, bisedimet me opozitën duhet të mbyllen përpara këtij sesioni.
Mbledhja e Kryesisë
Pas këtij takimi me disa prej anëtarëve të grupit parlamentar, Rama ka vijuar një tjetër mbledhje në selinë rozë, kësaj radhe vetëm me përfaqësuesit e Kryesisë së PS-së dhe disa ministra të kabinetit qeveritar, të cilët janë njëherësh dhe koordinatorë të PS në qarqet e vendit, të cilët janë ngarkuar për të ndjekur nga afër procesin e zgjedhjeve brenda socialistëve në kuadër të ristrukturimit të degëve të PS-së në bazë. Në një kohë që sapo ka përfunduar zgjedhja e kryetarëve të degëve në përputhje me ndarjen territoriale, e vetmja degë e mbetur ende pezull është ajo e Tiranës. Kjo mesa duket ka qenë dhe një tjetër temë e diskutuar në këtë takim, ku mësohet se ende nuk ka një vendim përfundimtar për zgjidhjen e kësaj çështjeje. Burime nga selia rozë, saktësojnë se janë dy variante për drejtimin e kësaj strukture të rëndësishme, ku më i mundshmi është që të lihet në fuqi drejtimi i Tiranës sërish nga Saimir Tahiri. Drejtimi i degës më të madhe në vend, do të mundësohet përmes shfrytëzimit të kryetarëve të çdo njësie administrative të kryeqytetit, pa pasur një kryetar të madh për të gjithë bashkinë. Një praktikë kjo që aktualisht ndiqet edhe nga Partia Demokratike. Në këto kushte, për çdo njësi administrative do të funksionojë një kryetar njësie, proces ky i përfunduar, pasi kryetarët e njësive janë zgjedhur. Me këtë variant pa një kryetar të madh për degën e PS-së së Tiranës, subjekti që do të koordinojë të gjitha këto njësi të vogla brenda bashkisë, është pikërisht drejtuesi politik i rajonit Tiranë-Durrës, Saimir Tahiri. Në këto kushte, ministri i Brendshëm ruan pozitat politike si kryetar ekzistues i kësaj dege. Por nga ana tjetër, nuk përjashtohet mundësia, që pavarësisht se krerët e degëve të njësive administrative të Tiranës janë zgjedhur, anëtarësia e Tiranës të ftohet sërish në votime për të zgjedhur kryetarin e ri që do të zëvendësojë Saimir Tahirin, i cili për shkak të postit që ai ka në qeveri, sipas statutit të PS-së, atëherë ai nuk duhet të jetë drejtues i ndonjë dege të partisë.