Një djalë 14-vjeçar ka humbur jetën ndërsa babai i tij është plagosur rëndë si pasojë e një aksidenti rrugor të ndodhur në orët e para të kësaj të premteje. Ngjarja ka ndodhur në aksin nacional Korçë-Kapshticë, në afërsi të fshatit Belorta, teksa automjeti me të cilin po udhëtonin ka dalë nga rruga dhe është përplasur me murin rrethues të një banese.
Sipas të dhënave, drejtuesi i mjetit Kristaq Prifti 41 vjeç, së bashku me djalin e tij, A. Prifti, 14 vjeç po udhëtonin nga Korça në drejtim të banesës së tyre, në fshatin Pendavinj, me një “Mercedez” me targa AA 387 MG, por dyshohet se 41-vjeçari ka qenë me shpejtësi dhe nën efektin e pijeve alkoolike në momentin e aksidentit.
Pas përplasjes, kanë qenë banorët ata të cilët kanë sinjalizuar policinë, ndërsa është dashur edhe ndërhyrja e forcave zjarrfikëse për nxjerrjen e tyre nga automjeti.
Mësohet se 14-vjeçari ka gjetur vdekjen e menjëhershme, ndërsa 41-vjeçari po mjekohet në spitalin rajonal të qytetit të Korçës.
29 prill 2016 (gazeta-Shqip.com)