Fiks Fare
Krimet e Rënda arrestojnë Parashqevi Ademin dhe Gjovalin Ndokajn
Bisedat – Investigimi i emisionit “Fiks Fare” vërteton korrupsionin e gjyqtares në bashkëpunim me avokatin






Emisioni investigativ Fiks Fare ka denoncuar një tjetër skandal në drejtësinë shqiptare, ku janë implikuar një gjyqtare dhe një avokat, të cilët kërkojnë dhe marrin 200 mijë lekë nga dy qytetarë, që ata të mos dënohen me burg, por me kusht. Gjyqtarja Parashqevi Ademi dhe avokati Gjovalin Ndokaj janë vënë dje në pranga nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, pasi akuzohen se i kanë marrë dy milionë lekë të vjetra dy qytetarëve.
Gjithçka nisi disa ditë më parë, kur një grua me djalin e saj janë paraqitur në redaksinë e emisionit Fiks Fare, për të kërkuar ndihmë për hallin që i kishte zënë. Historia e tyre kishte nisur rreth një vit më parë kur dhëndri i familjes V. J. kishte bërë një denoncim për dy qytetarët që ankohen pranë Fiks Fare në Prokurorinë e Lezhës, sipas të cilit nëna e bashkëshortes së tij së bashku me vëllain dhe dajën e bashkëshortes, kërkonin ta ndanin atë nga gruaja.
Pas 15 muajsh, kjo dosje ka shkuar në Gjykatën e Shkallës së Parë të Lezhës, ku fillon dhe procesi gjyqësor ndaj dy qytetarëve që kërkuan ndihmën e emisionit investigativ Fiks Fare. Në këto kushte, nënë e bir janë paraqitur në gjykatë, ku gjyqtarja e çështjes u ka kërkuar të gjejnë një avokat për t’i përfaqësuar në procesin gjyqësor. Në pamundësi për të paguar një avokat, gjyqtarja u ka caktuar një avokat kryesisht. Në gjykatë nënë e bir janë njohur me akuzat që rëndonin mbi ta, që ishin “ushtrim dhune psikologjike ndaj vajzës së tyre” dhe “prishje të marrëdhënieve familjare”. Avokati u bën të ditur se për këto dy akuza rrezikonin të dënoheshin me nga tre muaj burg secili.
Për t’i shpëtuar burgut, avokati Ndokaj u ka kërkuar M. P. dhe A. P. që të hynte në pazar me gjyqtaren Parashqevi Ademi. Të gjetur në të tilla kushte, M. P. dhe A. P. vendosin të paguajnë më mirë “kafen” e gjyqtares Parashqevi Ademi, duke u ofruar me një shumë që ua mbante deri diku xhepi. Por vlera monetare më e madhe që avokati Gjovalin Ndokaj u ka kërkuar si “kafe” për gjyqtaren Ademi dhe pamundësia e tyre për t’i paguar ka detyruar nënë e bir t’i drejtohen emisionit investigativ Fiks Fare, i cili menjëherë nisi investigimin.
Në bisedën e parë të regjistruar nga Fiks Fare, avokati Gjovalin Ndokaj i është shprehur se “kam folur me gjyqtaren Parashqevi Ademi, e cila më ka kërkuar 2 milionë lekë për të dhënë një dënim tjetër alternativ. Duke dënuar me kusht M. P., 18 muaj dhe djalin e saj A. P. me punë të detyruar. Kushti ishte që lekët e kërkuara nga avokati për llogari të gjyqtares Parashqevi Ademi të jepeshin para fillimit të gjyqit, në të kundërt gjyqtarja do të dilte me një vendim negativ për nënë e bir.
Pas sigurimit të kësaj bisede, emisioni Fiks Fare vijoi sërish investigimin, duke asistuar në dhënien e lekëve dhe ndjekjen e arrestimit të avokatit dhe gjyqtares. Avokati Gjovalin Ndokaj, pasi ka marrë lekët nga ana e M. P. dhe A. P. ka shkuar në seancën gjyqësore, e cila është zhvilluar dje në orën 11.30 në Gjykatën e Shkallës së Parë të Lezhës.
Pas përfundimit të gjyqit me të akuzuar A. P. dhe M. P., Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe oficerët e policisë gjyqësore kanë ndërhyrë menjëherë, duke e arrestuar në flagrancë në zyrën e tij avokatin Gjovalin Ndokaj. Në të njëjtën kohë, një grup tjetër specialistësh të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, kishte bërë të mundur ndalimin në flagrancë në zyrën e saj në Gjykatën e Shkallës së Parë Lezhë, edhe të gjyqtares Parashqevi Ademi.
Bisedat e transmetuara në “Fiks Fare”
Avokati merr përsipër të bëjë pagesën te gjyqtarja
Avokati – Në gjykatë do rrish urtë, dakord me avokatin. A je dakord me avokatin, po, çdo gjë dakord me avokatin. Fjalët i kam unë. Nuk duhet absolutisht mos me fol. Të lutem, kryet e fëmijëve.
Qytetari 1 – Jo nuk fol
Avokati – Sepse i thashë ka krijuar një psikologji nga halli mos e merre për keq. Ju betova se ajo (gjyqtarja) është më e vjetër se ti se është nënë fëmijësh. I kam bërë rixha se ka qenë sëmurë, dje i kam thënë për kryet e fëmijëve është më ngrit mishi kokrra kur ma ka treguar vëllai i vetë i thashë e mani ajo. Ti je nënë vetë dhe ti e kupton çfarë shqetësimi ka nëna për fëmijën. I thashë në këtë prizëm mos ja merr për keq. Në këtë gjyq i thashë s’ka për të fol asnjë fjalë ajo ma…. Kena ra dakord tashi, ajo don qikaq (tregon dy gishtat).
Qytetari 1.– 2 milionë?
Avokati – Hë
Qytetari 1 – Ajo vetë?
Avokati – Mos fol me të madhe. Për mua sa të duash vetë, s’ka problem.
Qytetari 1 – Po prokurori?
Avokati – Ajo ka thënë do merrem vetë me prokurorin. Domethënë e zgjidh ajo. Se i thashë a të flas unë apo flet vetë. Më tha flas unë. Prandaj e lashë kështu se më tha ma le mua të flas me prokurorin. I thashë a të flas unë, jo, jo tha ma le mua. Tani vetëm me qenë shumë të kujdesshëm për fjalët e gjanat.
Qytetari 1 – Mirë.
Avokati – I thashë për gjobën jo, i thashë nuk kanë mundësi me paguar gjobën, i thashë. Ç’ke me atë punë tha ti. Do përpiqem ose me kushte ose me një lloj dënimi që është pak më i lehtë. S’më dha garanci, se nuk donte me ba, por donte edhe garancinë e prokurorit. Flas me prokurorin tha. Për nënën i thashë me kushte nuk ka rëndësi fare, për atë djalin se janë hallexhi të këputur se i duhet me dalë një tremujorsh (jashtë vendit) me punu.
Qytetari 2 – Po, po.
Avokati – Për këtë tjetrën s’ta jap fjalën, po për kushtin ta jap me garanci. Por 90% do bëjmë këtë tjetrën, po s’u bë kjo, kushti është e garantume. Për kushtin e ke të zgjidhun atë punë (I drejtohet djalit) me atë inspektorin edhe unë flas. Shko e paraqitesh në fillim i rregullt a e kupton. Se tre muaj, nuk të lë kush më shumë se tre muaj a e kupton se të japin ekspuls. Bahet keq për ty.
Qytetari 2 – Jo atë tre muajsh kam hall, biles më bën nder të madh.
Avokati – Në qoftë se na jep dënim alternativ sikurse i thashë unë, ti me pas mundësi me ikë i lirë. Unë do flas tani prapë me të e kam ndërmend me taku para se të filloj gjyqi. T’ia kujtoj këtë punë se ajo ka 300 gjyqe në ditë. Unë shkoj në mëngjes, ajo vjen në 7.30 te puna. Unë i rri gati, në 8.00 fiks kam qenë te zyra. Se ndryshe nuk mundet të flasësh me të, sekretarja aty. Unë nuk flas në sy të kujt.
Qytetari 2 – Si mja ba,. Tash me lekët me t’i dhan ty apo…
Avokati – Me mua se s’ka sesi ja çon
Qytetari 2 – S’ka mundësi me ta taku?
Avokati – Jo
Qytetari 2 – Se kam mja ashtu çunit të hallës a më kupton
Avokati – O …., ato janë punët e mia, ç’ke ti me atë punë.
Qytetari 2 – Pa merak.
Avokati – Jena të njohur. S’jam kalama. Të bëjmë gjyqin sot njëherë, se gjyqi nuk mbaron sot. Nuk mbaron sot.
Qytetari 2 – Nuk mbaron sot?
Avokati – Jo, nuk mbaron gjyqi sot e di unë edhe një herë do bëhet seancë tjetër. Mos u shqetëso për atë punë, punë ditësh është.
Qytetari 2 – Unë kam hallin e punës, i takoi që fundin e qershorit me nejtë këtu në Shqipëri.
Avokati – Po s’ka lidhje me të shkumen, a e kupton?! Maksimumi për tri-katër ditë e shtymë. Ça është sot, e martë, o të premten o të hënën. Tani unë s’kam fol fiks për datën e fundit. Nesër s’e mbarojmë s’të lënë procedurat edhe me ba me deshtë me krye një gjyq nuk të lë procedura ligjore. Për arsyeje se janë vetë rrethanat ashtu. Më ka kërkuar një milion herë. Të lutem, më ka thënë të mos flas, Ju jeni duke e parë se si janë duke u ndjekur këto punë. S’ka nevojë me i thanë kërkujt, për më tepër se ajo e dinë se është vëllai i Gjok Jakut, del ndonjë informacion a gjë. Ç’ke i thashë, biles koncidoi bukur i thashë i kam patriot. E kam frikë më tha punën e Gjokës. Mos folni ju se i kena dhënë lekë a i kena dhënë gjë. I kena mbyll punët tona.
Avokati pasi hynë në gjykatë, del jashtë e takon qytetarët
Avokati – Fola me të me mbaru sot, a je i kënaqur ta mbarojmë sot?
Qytetari 1– Po, po me mbaru.
Avokati – Po më duhet nja dy orë kohë, për të dhënë konkluzionet. A mundeni me u ba gati për dy orë.
Qytetari 2– Na?
Avokati – Hë
Qytetari 2 – Po mirë në rregull
Avokati – Se unë s’e dita. Se unë shkova në bazë, e mbarojmë sot. Po e mbarojmë. Unë duke u nxitu prej teje me mbaru, unë e shtyj. Në dëshirë të tanë se ata nuk e kishin problem me shty.
Qytetari 2 – Fola me të më tha nuk kam mundësi për sot. Të më kishe thënë në mëngjes.
Avokati – Jam duke e shty për pasnesër atëherë.
Pas gjyqit
Avokati –Tani në 11.30 pasnesër ë?
Qytetari 2 – Po.
Qytetari 1 – Pasnesër.
Avokati – Në orën njëmbëdhjete gjysmë. Mirë është me u taku përpara pasnesër.
Qytetari 1 – Vjen ai.
Qytetari 2 – Tani pasnesër me u taku përpara.
Avokati – Po, po normal, shkoj unë krejt punën e mbarojmë gjyqin direkt. Me 99.9% do bëjmë variantin me kusht ma ka dhënë fjalën.
Qytetari 1 – Ça është ky kushti se nuk di gja unë?
Avokati – Kushti për ty nuk është kurgja. Kushti është kështu, ku dënohet një person
Qytetari 1 – po
Avokati – Me kusht, rasti i yt p.sh neni 59 për shkak të rrezikshmërisë të paktë të personit, kushteve mendore, jetësore, përndjekje familjes etj., etj., e pezullon vendimin, nuk shkon vendimi për të bërë burg e ven me kusht gjatë kësaj kohe që është me kusht të mos kryejë veprime penale. Dhe është nga 18 muaj që është minimalja deri në 5 vjet. Ti një herë në muaj, një herë në dy javë do shkoj te shërbimi i provës që është këtu, paraqitesh një orë e masanaj shko. Masanaj mbaron 18 muaj e s’ke punë ma. Nuk shkon me ba burg. I kërkova për këtë (për djalin) i kërkova për orë punë me interes publik është një nen të jetës 63. Sa orë punë të vendos gjykata, i mbaron e më pas je i lirë.
Ky shkrim Gjyqtarja dhe avokati, 200 mijë lekë që dy veta të mos dënohen me burg u publikua me pare te Gazeta SHQIP Online.