“Top Story”
“Bojaxhiu dhe Tafaj, diversione të Ramës, pasi Veliaj kandidat i dobët”
Dy kandidaturat e pavarura për kryetar të Bashkisë së Tiranës, Gjergj Bojaxhi dhe Arben Tafaj, janë dy diversione të sponsorizuara nga mazhoranca për të bërë përçarjen e të djathtëve të kryeqytetit në dëm të Partisë Demokratike në zgjedhjet vendore të 21 qershorit. Për kreun e kësaj partie, Lulzim Basha, ky diversion u bë, pasi kandidati i së majtës, Erion Veliaj, është kandidatura më pak e votuar nga të gjitha figurat e së majtës, dhe mazhoranca ndihej e kërcënuar nga sondazhet e saj. Deklaratat e tij, kryedemokrati Basha i bëri mbrëmjen e djeshme në një intervistë në emisionin “Top Story”, ku theksoi se të gjitha këto lëvizje mazhoranca i bëri në funksion të fitores së gatshme. “Dy kandidaturat (Gjergj Bojaxhi dhe Arben Tafaj) janë diversione të investuara nga kundërshtari ynë politik. Kandidati i së majtës ishte kandidati më i dobët i saj në sondazhe dhe në funksion të kësaj fitoreje, i ka marrë të gjitha masat. Kandidaturat ishin në kuadër të kësaj frike dhe jam i bindur se të dyja këto kandidatura janë të sponsorizuara nga Partia Socialiste”, tha Basha. Dhe për të ilustruar qëllimin e këtij diversioni, Basha solli në vëmendje spotin elektoral të Veliajt. “Rama është futur në spotin e kandidatit, duke treguar pasigurinë dhe frikën e tij në këto zgjedhje”, tha ai. Basha theksoi gjithashtu, se edhe vetë reforma territoriale u miratua pikërisht për qëllime elektorale. “Kush është ligji për decentralizimin? Ligji për pushtetin vendor. Por ky është një tjetër debat i madh, që sot më shumë se kurrë është një tregues se këtë e bën për qëllime politike. Me diktatura orientale nuk shkohet drejt Europës. Pasi këto bën kur rri gjithë ditë nëpër televizione. Dhe kjo është beteja që duhet të luftojnë qytetarët më 21 qershor”, u shpreh Basha. Ndërsa i pyetur se pse u zgjodh Halim Kosova për kandidat në Tiranë, teksa renditi arsyet e kësaj vendimmarrjeje, kreu i PD-së deklaroi se Kosova u propozua nga Rama për President të Republikës në 2012-n. “Për shkak të mbështetjes së madhe qytetare që na rezultonte në studimet e opinionit që PD-ja kreu për disa bashki të vendit. Shifrat janë shifra dhe kokëforte. Një njeri i ndershëm, punëtor, shumë punë dhe pak fjalë, i përkushtuar dhe mbi të gjitha i vërtetë. Integriteti i tij është sprovuar dhe është përtej çdo kontestimi politik. I propozuar për president nga Edi Rama”, tha ai. Ndërsa ka sqaruar se përse nuk kandidoi për këto votime, duke theksuar se Tirana ka nevojë për një kryetar bashkie me kohë të plotë. “Nuk kam bërë asnjë gabim që kandidova në 2011-n. Kisha dhe kam një vizion për Tiranën, kisha dhe tregova një vullnet për Tiranën. Por në 2011-n, e thashë edhe tani, Tirana ka nevojë për një kryetar me kohë të plotë. Rrethanat e sollën që në mes të mandatit të gjendesha në pozicionin e kreut të PD-së, si zoti Rama në atë kohë, por ndryshe nga zoti Rama, unë bëra një zgjedhje, t’i qëndroj fjalës sime. Tirana ka nevojë për një kryetar me kohë të plotë. Besoja se me ish-kryebashkiakun 11-vjeçar të Tiranës, kryetari i bashkisë në detyrë nuk do të gjendej në luftën e paprinciptë që u ushtrua ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës me ardhjen e Edi Ramës Kryeministër. Nuk ma merrte mendja që Edi Rama do të bllokonte bulevardin e ri dhe kantierin e lumit të Tiranës”, theksoi lideri i PD-së.
Dekriminalizimi
Duke shpjeguar arsyet e vendimit për të tërhequr kandidatin e PD-së nga gara në Bashkinë e Këlcyrës, Lulzim Basha deklaroi se në forcën që ai drejton nuk ka asnjë person me rekorde kriminale dhe ky, sipas tij, është një standard tashmë i konsoliduar në atë që ai e quajti shtëpinë e tij, Partinë Demokratike. “Ne jemi shumë konsekuentë në qëndrimet tona të shprehura edhe nga ambasadori i SHBA-së. Ne jemi kundër përfshirjes së njerëzve të rinj në politikë me precedentë penalë. Ndaj në PD nuk ka asnjë person që të ketë pasur një rekord sado të vogël kriminal. Kandidati i Këlcyrës solli dëshminë e penalitetit, por më pas doli informacioni. E thërrita dhe i thashë: Zotëri çfarë janë këto, ju nuk mund të kandidoni, sepse unë kam vendosur standarde. Sipas këtij standardi, dy rrugë ka: ose të pranosh verifikimin ose nëse refuzon do të largohesh nga kandidimi”, u shpreh Basha. Ndërsa lidhur me qëndrimin për të bojkotuar zgjedhjet në Bashkinë e Kurbinit, Basha theksoi se opozita realisht atje nuk ka asnjë kandidat. Por ndryshe nga kandidati i dorëhequr Altin Biba, i cili dorëheqjen e lidhi me shkaqe shëndetësore, Basha dha një tjetër variant: se ndaj Bibës është ushtruar presion nga persona të lidhur me mazhorancën në Kurbin. Nga ana tjetër, edhe pse ndaj kandidatit të PD-së në Kamzë Xhelal Mziu ka një vendim të Gjykatës së Shkallës së Parë për abuzime me tenderë dhe shpërdorim detyre, Basha e cilësoi si të pafajshëm Mziun. “Kur të flasë Gjykata e Apelit, atëherë do të flasë drejtësia. E kundërta ndodh me projektin Lungo Mare, ku arkitekti i saj është në burg sot në Belgjikë”, tha kryedemokrati.
Zgjedhjet
Duke u ndalur te zgjedhjet vendore të 21 qershorit, Lulzim Basha deklaroi se në rast se shqiptarët do të mbështesin me votë platformën e PD-së për ulje të çmimeve të energjisë, karburanteve dhe mallrave të shportës, ulje të taksave, atëherë Partia Demokratike do të kërkojë zgjedhje të parakohshme. “Të gjithë kandidatët tanë kanë platformat e tyre në bashkitë ku ata kandidojnë. Por ne si Parti Demokratike kemi edhe një platformë kombëtare, sepse ne jemi alternativë qeverisëse. Dhe alternativën tonë kombëtare, ne po e ofrojmë si një paketë emergjence shpëtimi të ekonomisë së vendit. Nëse qytetarët e Shqipërisë do të votojnë numrin 15 më 21 qershor, kanë votuar platformën e Lulzim Bashës. Qytetarëve po u ofroj zgjidhje shpëtimi, dhe nëse unë marr votat për këto çështje, atëherë do t’i shkoj kësaj pune deri në fund”, tha Basha. Sipas tij, ka një padurim nga qytetarët, nga biznesi dhe nga një grup i madh njerëzish për 21 qershorin dhe për t’u shprehur me votë. Dhe për këtë, arsye tha Basha, mazhoranca ka nisur një fushatë për ta intimiduar, frenuar dhe kërcënuar votuesin. “Ka një angazhim të drejtpërdrejtë të krerëve të mazhorancës, të cilët prej ditësh kanë braktisur detyrën e tyre për të qenë në krye të këtij grupi, të njerëzve që kërcënojnë votën”, tha Basha. Dhe si shembull të këtyre kërcënimeve, kreu i PD-së iu referua presionit politik që po i ushtrohet kandidatit të opozitës në Bashkinë e Vorës, Fiqiri Ismailit. “Unë nuk e kisha imagjinuar kurrë të isha as më shumë se tri herë në Vorë, por tri herë jam detyruar të shkoj, sepse aktivistët e kandidatit tonë shoqëroheshin çdo natë në polici pa asnjë arsye, pa asnjë argument. Kam qenë në Vorë, sepse kandidatit tonë iu bë një padrejtësi e madhe tipik oligarkik, o biznesin, o mandatin”, tha Basha.
Ky shkrim Basha: Po fituam, zgjedhje të parakohshme u publikua me pare te Gazeta SHQIP Online.