Quantcast
Channel: Kryesoret – Gazeta SHQIP Online
Viewing all articles
Browse latest Browse all 12748

Ndërkombëtarët pajtojnë PS dhe PD, ekspertët ulen në një tryezë reformën në drejtësi

$
0
0

Lu dhe VlahutinPresioni

Mazhoranca hap prapa, tërheq draftin e miratuar në mbledhjet pa opozitën

Bojkoti i PD-së – Më 5 janar, opozita shpalli bojkotin nga puna e grupit të ekspertëve për reformën në drejtësi. Kjo, pasi kushti kryesor i tyre ishte që anëtarët e gjykatave të zgjidhen me një shumicë prej 2/3 të votave të Kuvendit dhe jo me 3/5-at

Misioni i SHBA-së – Pas kalimit të atmosferës festive të fundvitit, ambasadori amerikan, Donald Lu, zhvilloi takimet direkte me kryeparlamentarin Ilir Meta. Dy ditë më parë, Lu pati një bisedë treorëshe me Metën, duke dalë jashtë protokollit zyrtar të takimeve

Afati, marsi – Ndërkombëtarët kanë vendosur muajin mars si afat të mbylljes së të gjithë procesit të reformës në drejtësi dhe paketës kushtetuese. Kjo ka qenë deklarata e mbajtur nga ana e ambasadorit Lu gjatë një takimi të mbajtur në dhjetor me grupin e ekspertëve

Venecia, më 21 janar – E gjithë puna e Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi duhet të mbyllet përpara datës 21 janar. Kjo, për faktin se pritet të mbërrijnë sërish ekspertët e Komisionit të Venecias, të cilët do të zhvillojnë takime para publikimit të opinionit final të tyre mbi ndryshimet në Kushtetutë 

HERION MESI

Ndërkombëtarët arrijnë të pajtojnë socialistët dhe demokratët për të rinisur punën për reformën në drejtësi. SHBA-ja dhe BE-ja, respektivisht ambasadorët Donald Lu dhe Romana Vlahutin, kanë zhvilluar një takim të përbashkët mes ekspertëve të PS-së dhe PD-së, si dhe përfaqësuesve politikë të tyre, kryekomisionerin socialist Fatmir Xhafaj nga e majta dhe deputeti i PD-së, Oerd Bylykbashi. Për dy orë, Lu dhe Vlahutin kanë folur me ekspertët dhe përfaqësuesit politikë, duke i dhënë garanci për rishikimin e amendamenteve. Ambasadorët e ndërmorën këtë mision, pasi dy kampet e politikës debatuan në distancë mbi mosarritjen e një gjuhe kompromisi për futjen në shina të reformës në drejtësi.

Takimi me Metën – Ambasadori Lu ka pasur një takim me kryeparlamentarin Meta dhe kryekomisionerin Xhafaj. Këto negociata paraprake sollën në tryezën e ekspertëve përfaqësuesit e opozitës, të cilët prej një jave kishin bojkotuar takimet e përbashkëta

Ambasadorja Vlahutin – Kësaj here procesit të negociatave i është përfshirë edhe ambasadorja e delegacionit të Bashkimit Europian, Romana Vlahutin, e cila ka qenë në takimet e zhvilluara së bashku me ambasadorin Lu. Dy diplomatët e lartë kanë bindur mazhorancën dhe opozitën për nisjen e punës së përbashkët

Dy orë konsulta – Në negociatat mes përfaqësuesve politik, ekspertëve shqiptarë me ambasadorët Lu e Vlahutin për të bindur palët rinisjen e punës duke punuar mbi rekomandimet e Komisionit të Venecias, çka solli në mënyrë përfundimtare rrëzimin e mendimeve

Negociatat dhe takimet

Do të ishin dy ambasadorët më të rëndësishëm për Shqipërinë, ai i SHBA-së, Donald Lu, dhe ambasadorja e BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin, të cilët do të përdornin dhe negociatat politike për të bindur palët. Kjo, pasi ata do të zhvillonin mesditën e djeshme një takim të veçantë me kreun e Kuvendit, Ilir Meta, dhe kryetarin socialist të Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi, Fatmir Xhafaj, një takim që do të bënte të mundur dhënien e sinjalit të parë për “shkrirjen e akujve” mes palëve. Në takim mësohet se Xhafaj dhe Meta janë bindur që të rinisnin punën aty ku u ndërpre të hënën, duke tërhequr draftin e rishikuar nga ekspertët e nivelit të lartë që po asistojnë Kuvendin në këtë reformë, të 29 dhjetorit, por që rishikimi i tij u bë pa praninë e opozitës. Dhe pak minuta më vonë, në këtë takim do të ftoheshin edhe ekspertët e të dyja kampeve, Gent Ibrahimi dhe Sokol Sadushi nga e majta dhe ekspertët e PD-së, Enkelejd Alibeaj, Ivi Kaso dhe Gazmend Bardhi, që kryesoheshin në këtë takim nga nënkryetari i Komisionit të Ligjeve, Oerd Bylykbashi, të cilët u vunë në dijeni lidhur me zhvillimet më të fundit të këtyre negociatave. Pas marrjes së garancisë që drafti i miratuar, sipas PD-së, në mënyrë të njëanshme do të tërhiqej, përfaqësuesit e opozitës do të bindeshin që të ndryshonin qëndrim, duke garantuar rikthimin e tyre në punimet e tryezës së ekspertëve për hartimin e një pakete konsensuale ligjore për ndryshimet në Kushtetutë, që do t’i përcillet për shqyrtim Komisionit të Venecias javën e ardhshme. Këto lëvizje për dy diplomatët duket se ishin të detyruara, pasi palët prej tri ditësh e kishin futur reformën në ngërç, ku shkak i kësaj situate ishte parashikimi i emërimeve të anëtarëve më të lartë të sistemit të drejtësisë, ku ekspertët e mazhorancës kërkonin që zgjedhja e tyre të bëhej nga Kuvendi me shumicë të cilësuar prej 84 votash. Ndërsa demokratët, duke u nisur nga fakti që mazhoranca aktuale ka më shumë se 84 deputetë, kërkoi që përzgjedhja e anëtarëve të sistemit të drejtësisë të bëhej po nga Kuvendi, por me një shumicë prej 2/3 deputetëve të tij, duke nënkuptuar këto dhe përfshirjen substanciale të opozitës në këtë proces, një parashikim ky i rekomanduar edhe nga ekspertët e Venecias dhjetorin e kaluar, në raportin e ndërmjetëm për reformën në drejtësi. Ndërkohë, ky takim i diplomatëve me përfaqësuesit më të lartë u parapri nga takimi i dy ditëve më parë mes ambasadorit amerikan, Donald Lu, dhe Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta. Ata diskutuan për rreth tri orë mbi çështjen më “të nxehtë” të momentit, reformën në drejtësi, për të cilën me siguri, kreu i diplomacisë amerikane e ka dhënë mesazhin e tij të fortë e të qartë, se kjo reformë do të bëhet me patjetër. Mosmiratimi i reformës në drejtësi nga klasa politike shqiptare do të ketë pasoja të mëdha për Shqipërinë.

Roli i Lu-së

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Lu, pas bojkotit të ndërmarrë nga ana e opozitës të tryezës së ekspertëve për reformën në drejtësi, nisi vrullshëm kontaktet direkte dhe telefonike me aktorët kryesorë të politikës shqiptare, Kryeministrin Edi Rama, liderin e PD-së, Lulzim Basha, dhe kryeparlamentarin Ilir Meta. Me këtë të fundit, konsultat janë zhvilluar direkt në zyrën e kreut të Kuvendit, për të cilin duket se ka qenë dhe një nxitës për të bindur aleatët si socialistët për zgjidhjen e këtij ngërçi. Ambasadori ka takuar dhe kreun e Komisionit të Posaçëm të Reformës në Drejtësi, Fatmir Xhafaj, i cili kohët e fundit ka dhënë deklarata të forta në adresë të PD-së për qëndrimet që opozita ka mbajtur ndaj draftit të ekspertëve dhe opinionit të Komisionit të Venecias. Ndërmjetësimi i diplomatëve të huaj është një nga format e ndërmarra, por në të njëjtën kohë ato paralajmërojnë Shqipërinë se reforma në drejtësi, nëse realizohet, sjell dhe bllokim. Veç asaj të procesit të anëtarësimit, ndërkombëtarët po paralajmërojnë edhe izolimin e Shqipërisë. Dhe mesazhin e tij për politikën shqiptare diplomati amerikan do ta jepte përmes agjencisë BIRN, ku deklaroi pak ditë më parë se SHBA-ja nuk do të gjejë qetësi deri në përmbylljen e reformës në drejtësi, pasi direktivat ishin bërë nga zyrtarët më të lartë të SHBA-së, të Departamentit Amerikan të Shtetit. Por, nga ana tjetër, ambasadori Lu e përshkroi si reformën më të rëndësishme në 25 vjet që nga rënia e komunizmit. “Po bëjmë thjesht punën tonë. Të gjithë ne në ambasadën amerikane jemi të përqendruar në reformën në drejtësi, për shkak të udhëzimit direkt nga zyrtarë të lartë në Shtëpinë e Bardhë dhe në Departamentin e Shtetit. Ata na kanë thënë qartësisht se prioriteti numër një i qeverisë amerikane në Shqipëri është të mbështesë reformat e nevojshme për pranimin e Shqipërisë në BE”, shpjegoi ambasadori. Lu paralajmëroi se reforma e planifikuar ka gjithashtu shumë armiq dhe bëri thirrje te partitë politike në vend të qëndrojnë së bashku e ta mbështesin atë.

 


Viewing all articles
Browse latest Browse all 12748


<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>