Quantcast
Channel: Kryesoret – Gazeta SHQIP Online
Viewing all articles
Browse latest Browse all 12748

Rama takon Nishanin, refuzohet tryeza politike e nivelit të lartë

$
0
0

Mazhoranca

Takim 90 minutësh në Presidencë. “Drejtësia” lihet në dorë të ekspertëve

BLEDAR HOTI

Rama Meta NishaniIdeja për realizimin e një tryeze të nivelit të lartë mes liderëve kryesorë të politikës, të PS-së, LSI-së dhe PD-së, kjo edhe me ndërmjetësimin e presidentit, nuk gjen mbështetje nga ana e kryeministrit Edi Rama. Reforma në drejtësi, ngërçi i hasur në lidhje me amendamentet apo për mënyrën se si do të zgjidhen anëtarët e rinj të gjykatave ka qenë dje në fokusin e bisedimeve dypalëshe ndërmjet Presidentit Bujar Nishani dhe Kryeministrit Edi Rama. Takimi “kokë me kokë” u zhvillua në Presidencë dhe zgjati 90 minuta. Ai nisi në orën 12:00, ku që në fillim Rama dukej sikur nxitonte për t’u takuar me kreun e shtetit, pas një konsultimi paraprak që pati ai me kreun e LSI-së, Ilir Meta, aleatin kryesor në qeverisje në vilën 30. Si nga Presidenca, ashtu dhe Kryeministria, nuk ka asnjë njoftim mbi këtë takim 90 minutësh. Burimet bëjnë të ditur se Kryeministri Rama nuk e ka përkrahur idenë e realizimit të një tryeze politike, pra mes krerëve të partive, duke mbështetur tezën që puna duhet të përqendrohet te grupi i ekspertëve. Pavarësisht se Presidenti Nishani u shpreh i gatshëm për të kontribuar në këtë proces, në ndërmjetësimin e një tryeze të tillë, të nivelit të lartë, ky propozim duket se ka hasur në kontestimin e Kryeministrit Edi Rama. Ideja për një takim të nivelit të lartë për çështjen e reformës në drejtësi u hodh nga ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, i cili kërkoi publikisht mbledhjen në një takim të përbashkët të Edi Ramës së PS-së, Ilir Metës së LSI-së dhe Lulzim Bashës së PD-së. Sipas tij, reforma nuk është vetëm në dorën e ekspertëve, por edhe të politikës. Nisur nga ky ngërç politik, Manjani kërkoi tryezë politike të nivelit të lartë. Por ky qëndrim i aleatit në qeveri u kundërshtua nga kreu i grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, i cili, në një prononcim për gazetën “Shqip”, e cilësoi si propozim të parakohshëm. Sipas tij, ndërhyrja e politikës në këtë fazë, nuk do të bënte gjë tjetër veçse ta politizonte këtë proces. “Çdo trazim në këtë moment i politikës do të politizonte e komprometonte procesin”, deklaroi Ruçi për gazetën “Shqip”. Për kreun e grupit parlamentar të PS-së, nuk ka asnjë arsye pse procesi i implementimit të rekomandimeve të Komisionit të Venecias të kalojë në ngërç, duke marrë parasysh se këto rekomandime u pranuan nga vetë palët. “Nuk e gjykoj se kjo do të ishte zgjidhja e duhur në këtë moment. Duhet përshëndetur puna e arritur deri më tani e grupit të ekspertëve, si dhe mbështetur implementimi i rekomandimeve të Komisionit të Venecias, të cilat kanë marrë dakordësinë e të gjitha palëve. Në lidhje me këtë fazë ku ndodhet aktualisht procesi i reformës në drejtësi, ekspertët po japin kontributin e tyre në realizimin e një drafti përfundimtar. Sigurisht, ne duam që ky proces të përfundojë sa më shpejt dhe të jetë i dakordësuar”, shprehet kreu i grupit të PS-së.

Presidenti

Kreu i shtetit, Bujar Nishani, në pritjen e dy ditëve të parë të organizuar me përfaqësuesin e medias, nuk ngurroi të vihej në shërbim të arritjes së një kompromisi politik për reformën në drejtësi.

“Unë vazhdoj të besoj se vullneti i shprehur i të gjithë aktorëve, posaçërisht atyre politikë, është serioz. Por ky vullnet tashmë duhet të ketë një produkt. Duhet të prodhojë një mekanizëm, i cili duhet të nxjerrë jashtë sistemit njëherë e përgjithmonë prokurorët dhe gjyqtarët e korruptuar e të paaftë, si dhe të shkallmojë nga themeli piramidën e administratorëve të korruptuar, të nëpunësve zhvatës të pasurive publike që u zënë rrugën mundësive për zhvillim të shqiptarëve. Që ky mekanizëm të mund të jetë i tillë, duhet garantuar ndërtimi i tij tërësisht jashtë ndikimit dhe kapjes politike. Nëse ky proces nuk do ta prodhojë këtë mekanizëm, e ardhmja jonë do vazhdojë të mbetet peng e korrupsionit dhe krimit. Pas mendimeve tashmë të qarta të Komisionit të Venecias, përgjegjësia e vijimit të procesit mbetet tek lidershipi politik në vend, i cili duhet të përcaktojë zyrtarisht piketat ku duhet të kalojë ky proces pa devijuar. Ndaj i ftoj të gjithë ata të ulen në një tryezë koordinimi për t’i lënë më pas hapësirën ekspertëve që ta jetësojnë vullnetin e tyre politik. Shpreh, me këtë rast, gatishmërinë e Institucionit të Presidentit të Republikës për të dhënë ndihmesën e nevojshme koordinuese mes palëve në këtë problematikë”, theksoi Nishani.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 12748


<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>