Persona të maskuar dhe armatosur dyshohet se kanë grabitur një mjet të blinduar të një shoqërie të sigurisë private. Ngjarja ka ndodhur paraditen e sotme në dalje të Kasharit, ku nën kërcënimin e armëve me të cilat kanë qëlluar në ajër, persona të paidentifikuar kanë mundur të grabisnin mjetin e policisë private, brenda të cilit mendohet se kanë qenë një sasi parash.
Ndërkohë, vetëm pak metra larg vendngjarjes sot është gjetur një automjet në flakë, që dyshohet të jetë i autorëve të grabitjes. Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes dhe arrestimin e autorëve. Më pas policia ka dhënë detaje në lidhje me atë që ka ngjare, duke shpjeguar se në vendin e quajtur rruga e Kasharit, pa kthyer në Laknas, një automjet tip fuoristradë i ka prerë rrugën dy automjeteve të një firme private sigurimi “Ro.. S..”, të cilët ishin duke transportuar një sasi lekësh të një banke të nivelit të dytë.
Dy automjetet e sigurisë private, një furgon i blinduar i blinduar me targa TR 46 17 L dhe automjeti tjetër shoqërues po i kësaj shoqërie fizike me targa AA 169 DF, të cila ishin duke udhëtuar në drejtim të Rinasit, kur ju ndërpritet rruga nga një automjet tip fuoristradë me targa TR 8801E, në të cilin dyshohet se udhëtonin disa persona.
Në këto momente mjetet janë ndaluar nga mjeti tip fuoristradë nga e cila kanë zbritur disa persona të veshur me pajime policie, maska dhe armë zjarri , të cilët me anë të një sendi kanë thyer xhamat e automjetit të blinduar dhe kanë zbritur me forcë punonjësit e policisë private duke i shtrirë në tokë, dhe pasi kanë marrë sasinë e lekëve janë larguar me automjetin e tyre.
Dyshohet gjithashtu që këta persona të kenë gjuajtur me armë zjarri, pasi në cilësinë e provës materiale në vendngjarje janë gjetur disa gëzhoja. Personat pasi janë larguar me automjetin e tyre tip Fuoristradë, e kanë braktisur atë në afërsi të City Park duke e djegur.
Janë shoqëruar për në mjediset e Drejtorisë së Policisë Tiranë, 6 punonjësit e policisë private për tu marrë në pyetje lidhur me ngjarjen e ndodhur. Policia po punon për zbardhje e plotë të ngjarjes si edhe kapjen e autorëve duke mobilizuar të gjithë punonjësit e Policisë dhe ngritur pika kontrolli.
3 dhjetor 2015 (gazeta-Shqip.com)
Ky shkrim Grabitja e lekëve të bankës në Kashar u krye nga persona të veshur si policë u publikua me pare te Gazeta SHQIP Online.