Nga rreth 170 mijë PAK, vetëm 4-5% të punësuar




“Të gjithë, pavarësisht aftësive që zotërojnë duhet të ndihen të barabartë, pasi me besim dhe optimizëm çdo gjë mund të arrihet”. Me këto fjalë e nisi rrëfimin e tij, ambasadori amerikan, Donald Lu, për historinë rrëqethëse të një vajze që i kish lënë mbresë dhe që e kujton sot e kësaj dite, si një prej ngjarjeve nga e cila edhe ai vetë mësoi se me optimizëm mund të arrihet gjithçka. “Ishte një vajzë që do ta kujtoj gjithmonë, ajo kishte tumor në tru dhe duhet të vinte një helmetë të veçantë për ta mbrojtur, pasi kishte kriza të vazhdueshme dhe binte papritur në tokë. Nuk e di nëse ishte e vërtetë, por fëmijët e tjerë më kishin thënë se ajo nuk do të jetonte aq gjatë sa të rritej. Por çfarë do të prisje nga dikush që e jetonte jetën e saj me një aftësi të tillë të kufizuar? Unë do të kisha pritur që të ishte një person i depresionuar, me një mungesë entuziazmi dhe i papërfshirë me shokët e klasës. Por, ajo ishte saktësisht e kundërta e kësaj”, tregon i emocionuar ambasadori amerikan ndërsa sjell në memorie copëza bisedash që kish bërë me vajzën dhe veten, për të cilën kishte gabuar kur kishte menduar se jeta e saj vazhdonte e “ndërprerë”. “Ajo ishte plot jetë, merrte pjesë me gëzim në të gjitha aktivitetet, nuk kishte asgjë që nuk besonte se mund të bënte, ajo buzëqeshte gjatë gjithë kohës dhe më dha një mësim që e kam mbartur me vete gjatë gjithë jetës. Ajo më mësoi se me qëndrueshmëri, me optimizëm dhe me pak ndihmë nga miqtë tanë, nuk ka asgjë që nuk mund ta arrijmë dot. Jeta është ajo që ti bën me të”, u shpreh ambasadori Lu, i cili zgjodhi të tregojë këtë histori të dhembshme, por mbi të gjitha suksesi, pikërisht në Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara me shpresën se do të shërbejë për të ngjallur shpresat te çdo njeri me paaftësi fizike, që ka humbur rrugën dëshpërimisht, pasi është ai vetë që diskriminon vetveten duke e konsideruar ndryshe nga të tjerët, arsye që bëhen shkak për t’u shkëputur nga realiteti.
Ministri Klosi
Në një aktivitet të organizuar nga Ministria e Mirëqenies Sociale, ku ishte i pranishëm edhe ambasadori amerikan, Donald Lu, ministri Blendi Klosi premtoi se është i vendosur t’i japë fund marrëdhënies shtet-persona me aftësi të kufizuara, e cila deri më tani ka funksionuar si një marrëdhënie burokratike, që i lidh vetëm pagesa kesh, që përfitojnë për çdo muaj me ligj për shkak të statusit që kanë. Kjo, pasi në vazhdim kjo marrëdhënie, sipas ministrit Klosi, do të konceptohet si funksionale në shumë drejtime, po sidomos për të përmbushur interesat e tyre, veç parave që marrin çdo muaj. “Ne duhet të zgjidhnim problematikën shumë të vjetër në vendin tonë, ku raporti i shtetit me personat me aftësi të kufizuara kalonte vetëm nga pagesa kesh, pra paratë që shteti u jepte personave me aftësi të kufizuara. Mendoj se ky ka qenë një gabim i madh, sepse sado që të jenë ato para, sado që të jetë ajo vlerë, prapë është e pamundur që vetëm nëpërmjet saj të zgjidhen problematikat tuaja”, u shpreh ministri i Mirëqenies Sociale. Ndër të tjera, ai premtoi se institucioni që drejton ka nisur procedurat e prokurimit dhe ka filluar puna e ngritjes së databasës që ndihmon të gjitha grupet dhe shtresat në nevojë, njerëzit me aftësi të kufizuara, që pagesa dhe shërbimet e aftësisë së kufizuar t’i shkojnë atij që i takon dhe të mos ketë më abuzime në skemë. “Nëpërmjet kësaj do të arrijmë të kemi dhe një histori të gjithsecilit, kështu që kushdo që abuzon në skemë do të lërë gjurmë”, tha Klosi. Gjatë aktivitetit të djeshëm, ministri i Mirëqenies Sociale dhe ambasadori amerikan, Donald Lu, zhvilluan edhe një bashkëbisedim me përfaqësues të PAK-së, ku u njohën më nga afër me problematikën që shoqëron këtë shtresë të shoqërisë, që sot e kësaj dite përballen me vështirësi të cilat sipas ministrit kërkojnë ndërhyrje rrënjësore që shkojnë përtej trajtimit financiar. “Reforma që ne po ndërmarrim për personat me aftësi të kufizuara, ndryshon komplet mënyrën sesi trajtohen kërkesat dhe çdo rast, ashtu edhe sesi kjo pagesë vërtetohet dhe përfitohet. Ajo që ndodh sot në realitetin shqiptar është një sistem me shumë hallka dhe me shumë problematika, ku ju duhet të shkoni në shumë vende të ndryshme për të marrë vërtetimin e paaftësisë dhe kjo ka sjellë një agravim të situatës dhe po ashtu një skemë që krijon hapësira për korrupsion. Prandaj, ne së bashku me Bankën Botërore do të fillojmë realizimin e këtij projekti që do fillojë me disa projekte pilot. Një aspekt i rëndësishëm i trajtimit të kësaj kategorie është edhe riaftësimi i tyre nëpërmjet punës”, premtoi ministri i Mirëqenies Sociale.
Shifrat zyrtare
Zyrtarisht, numri i personave me aftësi të kufizuara në vendin tonë është 169 mijë e 500 në nivel kombëtar, prej të cilëve mesatarisht 4-5% janë të punësuar, përfshirë këtu edhe invalidët e punës. Sipas të dhënave që disponon gazeta “Shqip” mësohet se nga 10 mijë të verbër që numërohen sot në vendin tonë, vetëm 17 janë të punësuar, përkatësisht në: shkollën e të verbërve, në institucionin e Avokatit të Popullit, Qendrën Ditore në varësi të Bashkisë së Tiranës, në një prej spitaleve të QSUT-së, ndërsa dy të punësuar janë në qytetin e Lezhës dhe dy në qytetin e Gramshit.
Dita Ndërkombëtare
Klosi dhe Lu luajnë basketboll me personat me aftësi të veçanta
Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara, Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë organizoi edhe aktivitetin sportiv “Gara për Jetën”, ku persona me aftësi të veçanta, me karroca me rrota zhvilluan një ndeshje basketbolli. Pjesë e ekipeve respektive të basketbollit u bënë ministri Klosi dhe ambasadori i SHBA-së në vendin tonë, të cilët po ashtu të hipur në karroca me rrota kanë luajtur në një pjesë të lojës, për t’u thënë personave me aftësi të kufizuara se janë të barabartë për ta jetuar jetën njësoj. “Qëllimi i këtij aktiviteti ishte pikërisht sensibilizimi i të gjitha institucioneve dhe aktorëve me të drejtat e PAK, duke përcjellë njëkohësisht mesazhin se, pavarësisht aftësive që zotëron, çdokush duhet të ndihet i barabartë në shoqëri”, sqarohet në njoftimin zyrtar të Ministrisë së Mirëqenies Sociale.
Ky shkrim Lu: Vajza me tumor më mësoi se me optimizëm mund të arrihet gjithçka u publikua me pare te Gazeta SHQIP Online.