Quantcast
Channel: Kryesoret – Gazeta SHQIP Online
Viewing all articles
Browse latest Browse all 12748

Eurobondi të mos  përdoret për shlyerjen e borxheve të vjetra

$
0
0

Intervista

Adrian Civici: Të investohet për rritjen ekonomike

Zamir Alushi

CIVICI foto e madheShqipëria mori një borxh me interesa të leverdishme, por tani lind diskutimi se ku do të shpenzohen këto para që u siguruan me eurobondin. Ish-anëtari i Këshillit Mbikëqyrës të BSH, president i UET, Prof.Dr. Adrian Civici, këshillon që borxhi i ri të mos përdoret për shlyerjen e borxhit të vjetër. Civici sugjeron që fushat më eficente se ku mund të përdoren eurot e siguruara nga ky eurobond do të ishin bujqësia dhe agroindustria, punësimi, shpenzimet publike që ndikojnë direkt në rritjen ekonomike, investime në turizëm dhe energji, politika specifike të përkrahjes sociale dhe reduktimit të varfërisë. Lidhur me tregun e brendshëm financiar, Civici shprehet se qeveria duhet të tregohet e kujdesshme, në mënyrë që të mos e thajë tregun e brendshëm të euros apo të konkurrojë biznesin vendas në tregun e kredisë.

Menaxherët drejtues të operacionit për shitjen e eurobondit të dytë shqiptar i kanë marrë tashmë ofertat dhe kanë njoftuar se dalja e Shqipërisë në tregjet ndërkombëtare ishte e suksesshme. Nëse do të ishit operator në bursë, pse do ta blinit eurobondin tonë?

Tregu ndërkombëtar i letrave me vlerë është një treg si gjithë të tjerët dhe e përcakton “çmimin” në bazë të kërkesë-ofertës dhe garancive e standardeve të caktuara për vetë specifikat e këtij tregu. Në rastin konkret, mendoj se operatorët e këtij tregu kanë vendosur ta blejnë eurobondin tonë nisur nga disa arsye, apo mbështetur në disa parametra. Së pari, Shqipëria është një vend normal që ka dalë dhe herë tjetër në këtë treg duke u dëshmuar si “shitës” dhe “pagues serioz detyrimesh” pas eurobondit të parë prej 300 milionë eurosh, me 7.5% interes, që u emetua në 2010-n dhe u maturua në 4 nëntor 2015 dhe u pagua në përputhje të plotë me kushtet”; së dyti, Shqipëria, në vlerësimin e kompanive ndërkombëtare renditet në stadin B1 – vlerësim stabël, nga Moodys dhe B -vlerësim pozitiv, nga Standard & Poor’s; së treti, Shqipëria prezantoi në 5 nëntor një transaksion në euro me çmimin fillestar indikativ prej 6%, ndërkohë që përballë ofertës që arriti në 750 milionë euro, u mundësua një emetim me një interes më të leverdishëm prej 5.75%; së katërti, mendoj se edhe fakti që Shqipëria është në bashkëpunim e marrëveshje në një program specifik me FMN-në dhe në këtë treg u paraqit “nën kujdestarinë e Deutsche Bank dhe JP Morgan Chase” e rrit besueshmërinë si partner në tregun ndërkombëtar të letrave me vlerë.

Çfarë ndikimi do të ketë për interesat e letrave me vlerë në tregun e brendshëm shitja në bursë nga qeveria e rreth 450 milionë euro eurobond?

Në qoftë se qeveria shqiptare do të ketë kërkesa më të pakta për të emetuar një borxh të ri në euro në tregun e brendshëm, mendoj se interesat e letrave me vlerë në tregun e brendshëm do vazhdojnë të mbeten të ulëta. Nëse do të ketë vendime për të marrë përsëri borxh në euro në tregun e brendshëm në sasi të konsiderueshme dhe nëse një strategji e tillë komunikohet paraprakisht në publik, kjo mund të ndikojë në rritjen e interesave të tyre. Shpresoj se qeveria do tregohet e kujdesshme në këtë aspekt, në mënyrë që të mos e thajë tregun e brendshëm të euros ose të konkurrojë biznesin vendas në tregun e kredisë.

Qeveria e ka argumentuar marrjen e këtij borxhi me nevojën e kreditimit të ekonomisë nga bankat e nivelit të dytë. A mund të ndikojë realisht ky faktor? A mund t’i zbusin bankat e nivelit të dytë kriteret e rrezikut të kredisë dhe të çlirojnë financime, pas këtij operacioni?

Të dy elementet e mësipërme nuk kanë lidhje shkak-pasojë direkte ndërmjet tyre. Praktikisht, por dhe teorikisht, nëse qeveria kreditohet në tregun e brendshëm, kjo përkthehet si efekt negativ në ngushtimin e hapësirave dhe mundësive kredituese për biznesin dhe individët. Një nga rekomandimet më domethënëse në këtë aspekt është që qeveria të jetë sa më pak prezente në tregun e brendshëm monetar, sepse presupozohet se biznesi dhe individët i përdorin më me eficencë kreditë dhe investimet sesa qeveria. Për sa u përket bankave të nivelit të dytë, mendoj se për to si qeveria, ashtu dhe bizneset janë thjesht klientë, dhe për këtë arsye bankat i marrin vendimet në përputhje me interesat dhe shkallën e fitimit dhe sigurisë që paraqesin klientët e ndryshëm. Indirekt, mund të thuhet, se nëse qeveria nuk futet në tregun e brendshëm, ose futet modestisht atje, ekziston mundësia që bankat të jenë të detyruara të lehtësojnë kriteret e dhënies së kredisë për bizneset, pasi kanë nevojë të japin sa më shumë kredi, aq më tepër që në Shqipëri, raporti “depozita-kredi” anon shumë nga depozitat, dhe kërkesa për kredi është problematike në këto momente.

Si do ta parashikonit ndikimin e eurobondit në treguesit e borxhit, në objektivin e qeverisë për uljen e deficitit buxhetor?

Në thelbin e tij eurobondi është borxh i ri. Pra, këto 450 milionë euro nuk janë gjë tjetër veçse një borxh i ri që u shtohet financave shqiptare. Avantazhi i tij qëndron në faktin e normës së leverdishme të interesit me të cilin u sigurua. Por, shifrat e fundit të muajit tetor na tregojnë se tashmë jemi në nivelin e 73% të borxhit publik që gjithsesi është një barrë jo e lehtë për supet e brishta të ekonomisë dhe financave shqiptare. Megjithëse kemi deklaruar se do ndërmarrim një strategji specifike për kontrollin e borxhit dhe uljen e tij në një periudhë afatmesme, duke e certifikuar këtë edhe me FMN-në, fakti që borxhi është në këto nivele, mbetet një çështje shqetësuese.

Si një ish-anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të BSH-së, me eksperiencë të gjatë, a mendoni se Banka Qendrore duhet të këshillojë qeverinë se ku t’i përdorë këto para të marra borxh?

Në çdo deklaratë të saj në kuadrin e vendimit të politikës monetare apo stabilitetit financiar, Banka e Shqipërisë ofron këshilla për qeverinë. Këtu mund të përmend disa sugjerime e rekomandime që muajt e fundit kanë qenë prezente, të tilla si: domosdoshmëria e realizimit të reformave strukturore, masa për nxitjen e konsumit, përmirësimin e klimës së biznesit, marrjen më shumë në konsideratë të faktorëve të jashtëm ekonomikë e financiarë, ndryshimin e modelit ekonomik për të kombinuar më mirë ndikimin e sektorëve të ndryshëm në kontributin e tyre në PBB etj. Në rastin konkret, besoj se BSH në rreshta e ndërmjet rreshtave sugjeron që të kihet kujdes me masën e borxhit, të eliminohet sa më shumë që të jetë e mundur përdorimi i borxhit të ri për të shlyer një borxh të vjetër, të gjenden mundësitë që borxhi të jetë sa më i shtrirë në kohë, që ai të përdoret sa më shumë në funksion të rritjes ekonomike dhe nxitjes së prodhimit vendas e eksporteve etj.

Sipas jush, në cilat fusha mund ta përdorë qeveria eurobondin, në mënyrë që të jetë më efektive?

Në situatën aktuale, do të sugjeroja që fushat më eficente se ku mund të përdoren eurot e siguruara nga ky eurobond të ishin bujqësia dhe agroindustria, punësimi, shpenzimet publike që ndikojnë direkt në rritjen ekonomike, investime në turizëm dhe energji, politika specifike të përkrahjes sociale dhe reduktimit të varfërisë.

 

Ky shkrim Eurobondi të mos  përdoret për shlyerjen e borxheve të vjetra u publikua me pare te Gazeta SHQIP Online.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 12748


<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>