Europarlamentarja austriake flet mbi situatën e medias në Ballkan
Rudina HOXHA
Zëvendëspresidentja e Parlamentit Europian, Ulrike Lunaçek, e cila ishte një nga folëset kryesore në Konferencën “SpeakUp 3” që u mbajt këtë javë në Bruksel, i mëshon fort faktit se një shoqëri nuk mund të funksionojë pa mendimin kritik. Fill pas kësaj konference të rëndësishme vjetore, që mbledh kryesisht gazetarë nga Ballkani Perëndimor dhe Turqia për të analizuar situatën e lirisë së medias, politikania austriake, dikur përkthyese, gazetare dhe aktiviste, tha në një intervistë ekskluzive për gazetën “Shqip” se politikanët modernë duhet të pranojnë kritikat. “Ajo që unë u them shpesh qeverive dhe udhëheqësve në vende të ndryshme, por edhe në rajon, është se kritikat janë pjesë e demokracisë. Mendimi kritik është diçka për të cilën shoqëria ka nevojë. Edhe fëmijët tek rriten, edukohen në shkolla që të mos besojnë gjithçka që i thotë dikush vetëm se ai është autoriteti kompetent nëse flasim për në familje apo edhe në politikë. Sepse pa njerëz që kanë mësuar mendimin kritik, demokracia nuk funksionon”,- tha ajo.
Ajo dënon fort ngjarjet e fundit në Turqi ku gazetarët opozitarë dhe kritikë kanë qenë në qendër të sulmeve nga qeveria.
Cili është mendimi juaj për lirinë e medias në rajonin e Ballkanit?
Ka pasur progres në të shkuarën sa i takon hyrjes në fuqi të ligjeve të medias, por në disa vende të tjera është vënë re se hapat e mëtejshëm ligjorë për kërcënimin e gazetarëve, gjobitjen apo sulmet ndaj tyre nuk janë ndjekur nga sistemi i drejtësisë në atë masë që duhet. Situata është e ndryshme në vende të ndryshme. Ajo që e shikoj si problematike, dhe këtë ia kam vënë në dukje edhe Kryeministrit serb Vuçiç kur ne ishim atje, ka të bëjë me reagimin e tij ndaj shkrimeve të agjencisë së BIRN-it, të cilat hidhnin aludime për korrupsion rreth Vuçiç sa u takon disa marrëveshjeve. Vuçiç kishte pretenduar se ç’ishte shkruar ishin gënjeshtra dhe se ai pretendonte se zyra e BE-së po i mbështeste këto gënjeshtra. Kjo është diçka që nuk më duket se ka lidhje me një shtet (si Serbia) që aspiron të bëhet pjesë e BE-së. Por ne kemi probleme edhe brenda BE-së. Për shembull, në Hungari. Aty mungojnë mendimet opozitare në lidhje me ligjet e medias. Ajo që unë u them shpesh qeverive dhe udhëheqësve në vende të ndryshme por edhe në rajon është se kritikat janë pjesë e demokracisë. Mendimi kritik është diçka për të cilën shoqëria ka nevojë. Edhe fëmijët tek rriten, edukohen në shkolla që të mos besojnë gjithçka që i thotë dikush vetëm se ai është autoriteti kompetent nëse flasim për në familje apo edhe në politikë. Sepse pa njerëz që kanë mësuar mendimin kritik, demokracia nuk funksionon. Demokracia përfaqëson shoqëritë tona në shumës. Edhe ju si gazetarë, keni mendimet tuaja politike deri në njëfarë mase, por duhet të shihni se ka edhe të tjera mendime nëse i pëlqeni apo jo. Por kjo është pjesë e pluralizmit. Edhe media duhet të jetë e aftë të bëjë detyrën e saj – të raportojë rreth fakteve – dhe kjo është një gjë – por edhe të shprehë mendime. Përpara se të bëhesha politikane, unë kam qenë një përkthyese, gazetare dhe aktiviste. Si politikane, e di se nuk është e lehtë gjithmonë të pranosh kritikën sidomos kur ajo vjen nga njerëz që janë pranë teje ose kur ju doni të bëni gjëra të ndryshme. Pra, duhet të mësoni të argumentoni vendimin tuaj, ta mbroni atë dhe ndonjëherë edhe të pranoni se keni gabuar. Kjo është njerëzore. Pra, politikanët modernë duhet ta pranojnë kritikat që vijnë nga media dhe jo të marrin masa për t’i kufizuar ato.
Çfarë shihni si problematike më shumë në këtë moment në peizazhin e medias në rajon?
Një gjë është pronësia mbi median dhe tjetra si financohet media. Nëse jepen reklama për një media me qëllim që ajo të ndjekë linjën e qeverisë apo të një partie të caktuar, kjo është një gjë që e shikojmë shumë në BE dhe jashtë saj. Dhe është e papranueshme. Gjithashtu, ajo që pamë para zgjedhjeve në Turqi ishte fyese dhe mizore – pikërisht mënyra se si media opozitare dhe kritike ju mbyll goja vetëm pak ditë para zgjedhjeve. Mendoj se BE-ja duhet të jetë më kritike sa i takon kësaj çështjeje. Unë gjithashtu isha shumë kritike me Komisionin Europian që nuk e publikoi raport-progresin në kohë por e shtyu atë për paszgjedhjeve në Turqi. Nuk e gjej këtë një mënyrë korrekte të të vepruarit.
Çfarë do të cilësonit si pozitive dhe negative në këtë Konferencë vjetore mbi Lirinë e Medias?
Suksesin e gazetarëve në raportim, në përfshirjen e tyre në gazetarinë investigative. Është e rëndësishme të shohësh gjërat pozitive kur ndodhin gjëra jo të mira. Videot që pamë lidhur me mënyrën se si u trajtuan gazetarët opozitarë turq, disa prej tyre i kisha parë dhe më kishin thënë, ishte një moment i vështirë gjatë kësaj Konference. Kështu që kërkesa ime është që Komisioni Europian, EEAS (European External Action Service) dhe vendet anëtare të BE-së, duhet të marrin masa sa i takon medias dhe dhunimit të të drejtave të njeriut në Turqi si pjesë e axhendës dhe jo ta shtyjmë këtë çështje për më vonë vetëm sepse duam që Turqia të pranojë refugjatë.
Ky shkrim Lunaçek: Politikanët t’i pranojnë kritikat e medias, jo t’i kufizojnë u publikua me pare te Gazeta SHQIP Online.