Rama
Për fermerët, mbështetje financiare për projektet deri në 300 milionë euro
ARTEMISA HOXHA
Qeveria do të zbatojë një skemë të re të dhënies së titujve të pronësisë në fshat, e cila do të zbatohet në vitin e ardhshëm. Kryeministri Edi Rama në takimin e djeshëm me socialistët e Korçës zbuloi skemën e re të dhënies së certifikatës së pronësisë.
Si më të rëndësishmen nga shumë reforma, kreu i qeverisë radhiti atë të çështjes së pronave. “Jemi në kushtet kur me bashkitë e reja mund të çelim një operacion të ri, vitin e ardhshëm. Një operacion për titujt e pronësisë në fshat, duke i çliruar të gjitha ato faza burokratike dhe skandaloze, që e pengojnë sot njeriun në fshat që të marrë letrën, sepse duhet të shkojë të marrë topografin vetë, duhet të paguajë vetë këtej, duhet të shkojë të mbajë radhën andej. Të gjithë këtë shërbim t’ia bëjë bashkia, siç e bën ALUIZNI sot, shërbimin e legalizimit, që nuk shkon njeriu tek ALUIZNI, por shkon ALUIZNI te njeriu”, tha Rama. Po për zonat rurale, kreu i qeverisë bëri të ditur edhe mbështetjen financiare që qeveria pritet të bëjë, që do të ketë një shumë prej 300 milionë eurosh. “Edhe programi i mbështetjes financiare, që do të jetë programi më i madh që i është vënë ndonjëherë në dispozicion fshatit dhe njerëzve në fshat, sipërmarrësve apo fermerëve më të vegjël, që kanë ide dhe kanë projekt për t’u përfshirë në këtë program, që do të mbështetet nga qeveria dhe do të financohet nga bankat. Kemi krijuar kushtet që të mund të financojmë, pra, që të mund të jenë të gatshme para, në rendin e 300 milionë eurove brenda 3 viteve të ardhshme, në varësi nga kapaciteti për të absorbuar”, u është drejtuar Rama qytetarëve. Ai është ndalur në një tjetër çështje që ka qenë gjithnjë shqetësim, siç është lufta kundër korrupsionit, për të cili Rama u shpreh se “lufta kundër korrupsionit nuk është një luftë që fitohet thjesht e vetëm se ndërrove disa me disa të tjerë”. “Ajo është një luftë që fitohet duke ndërruar sistemin, duke bërë shtetin, duke ngritur institucionet, duke modernizuar mekanizmat që ia bëjnë njeriut të pamundur që të ngrihet mbi institucionin, që të ngrihet mbi ligjin, që të ngrihet mbi shtetin, sepse është i kontrolluar”, theksoi Kryeministri.
“Në qoftë se do të arrinim ndonjë ditë që gjithçka të ishte rozë në këtë jetë, atëherë nuk do të kishte më nevojë që të merreshim me politikë, nuk do të kishte më motiv që njerëzit të shkonin në votime”. Me këtë fjali, kreu i qeverisë, Edi Rama, u është drejtuar qytetarëve korçarë, por jo vetëm, në lidhje me punën që ka qeveria e majtë për të kryer dhe në dy vitet e tjera të mandatit të parë qeverisës në vend. Nga Korça, ku nisi dhe takimet me bazën socialiste e tregoi çfarë është bërë në dy vite qeverisje, kryesocialisti ka shpalosur edhe një herë premtimet e bëra që sipas tij do të kryhen deri në përfundim të këtij mandati. “Nuk jemi ende aty ku do të jemi me siguri, në procesin e mbledhjes së fryteve të gjithë kësaj pune që po bëjmë, në procesin e rehabilitimit të këtij trupi që po operojmë, të cilin e futëm të sfilitur në sallën e operacionit dhe të cilin në këtë proces do ta shikojmë të rehabilituar, të gjallëruar dhe aktiv”, ka thënë Rama duke lënë të kuptojë që ky operacion do të vazhdojë pikërisht në ata sektorë, ku reformat do të sjellin edhe efektet që do të ndihen nga të gjithë.
Peleshi
“Shqipëria e gjeneratës tjetër është një vizion që çdo ditë udhëheq punën e qeverisë shqiptare. Por më parë se të arrijmë atje është një Shqipëri normale dhe kjo është një Shqipëri më e pastër nga informaliteti, nga paligjshmëria”, theksoi gjatë fjalës së tij zv.kryeministri Niko Peleshi. Sipas tij, puna e qeverisë ka pasur synim ndërtimin e një mentaliteti të ri. “Kemi nevojë të bëjmë pjesë të forumeve të PS, sfidat dhe interesin e shqiptarëve. Sot po përhapim këtë slogan për një Shqipëri më të pastër nga informaliteti, ndaj jemi të vendosur t’i shkojmë deri në fund kësaj lufte”, tha Peleshi, duke shtuar se, rezultatet e reformave si ajo e energjisë apo arsimit janë mjaft inkurajuese për të vijuar me të njëjtën rrugë edhe në luftën kundër informalitetit. Në kuadër të investimeve, numri dy i qeverisë theksoi se Fondi i Zhvillimit të Rajoneve synon transformimin urban dhe për t’i dhënë vlerë parasë dhe investimit me paratë publike. “Kemi sot mundësi të financojmë projekte përmes një partneriteti të munguar më parë, partneriteti urban-rural, që do të sjellë një zhvillim të ri. Së shpejti do të bëjmë të njohur një reformë të re të zhvillimit rural. Shqipëria nuk do të jetë më e ndarë në 12 qarqe, por do të ketë ndarje në 4 rajone”, tha Peleshi. Ndërkohë që koordinatori i rajoneve Elbasan-Korçë, në PS, Taulant Balla, u shpreh se viti 2016 do të jetë viti ku pjesa dërrmuese e kanaleve vaditëse do të rimarrin vëmendjen përmes partneritetit të qeverisë qendrore dhe vendore. Deputeti Balla theksoi se do të investohen 120 milionë dollarë vetëm në infrastrukturën vaditëse. “Një gjë që mori vëmendjen e të gjithëve ishte se qeveria që iku nuk kishte paguar as rrogat e punonjësve të policisë dhe qeveria jonë iu desh të përballej me larjen e borxheve të qeverisë së kaluar. Vetëm për 2014 na u desh të shlyenim 340 milionë dollarë borxhe të trashëguara nga qeveria e PD-së”, tha Balla.
Ky shkrim “Në 2016, skemë e re për titujt e pronësisë në fshat” u publikua me pare te Gazeta SHQIP Online.