Quantcast
Channel: Kryesoret – Gazeta SHQIP Online
Viewing all articles
Browse latest Browse all 12748

Skandali, anija hedh naftë në Durrës, 2.5 km det “lyhet në zi”

$
0
0

Karburanti “pushton” bregdetin. 5 institucione hetojnë ngjarjen. Dyshimet për anijen italiane “Canneto.M”

Mariglen Mullai

ndotja-durres CANNETO_M (1) durrsi2 durrsiii

Shëtitja e përditshme buzë detit iu shndërrua në makth dje durrsakëve, të cilët u tmerruan kur panë ujin e zi dhe ndien aromën e rëndë të vajit dhe karburantit që ishte përhapur përgjatë 2.5 kilometrave. Skandali i radhës me ujërat detare të Republikës së Shqipërisë është konsumuar në detin Adriatik, i cili u ndot dje nga një anije që transportonte vaj dhe karburante. Që në orët e para të mëngjesit u pikas një ndotje masive që nga sektori Iliria (zona e Hekurudhës) deri te sektori Teuta, çka solli paralizë totale të veprimtarisë që lidhet me detin. Për pasojë, peshkimi është pezulluar në Durrës, kurse Inspektorati i Mjedisit ka marrë mostra për të analizuar shkallën e ndotjes, me qëllim përcaktimin e pasojave në njerëz dhe botën nënujore. Për të gjetur fajtorët është angazhuar një grup pune që përbëhet nga 5 sektorë (Mjedisi, dy polici, laboratori dhe prokuroria), por vetë ministri i Mjedisit, lëshoi “bombën” dje kur deklaroi se “para situatës, strukturat e shtetit u gjendën në gjumë. Shefi i Kapitanerisë nuk është përgjigjur për situatën.” Dje në Portin e Durrësit, deri në mbrëmje ndodheshin të ankoruara tri anije, të cilat kaluan në sitën e kontrollorëve, por shkaktari i këtij dëmi ende nuk është përcaktuar zyrtarisht, të paktën deri të hënën kur të dalin përgjigjet e analizave laboratorike. Momentalisht dyshimet bien mbi një anije gjigante italiane, që transporton vaj dhe produkte kimike, e quajtur “Canneto.M”, e cila sipas trafikut detar rezultonte si mjet lundrues që kishte kaluar në Durrës, me destinacion Porto Romanon. Skandali i ndotjes së ujërave të Shqipërisë është i njohur dhe i përsëritur herë pas here, pasi cekëtirat e vendit tonë cilësohen prej të huajve si vende të përshtatshme për shkarkesa të panevojshme. Duke marrë parasysh faktin se në asnjë rast nuk ka pasur ndëshkime, ky është shndërruar në realitet që po përshtatet si një praktikë rutinore. Fillimi i korrikut të këtij viti e gjeti plazhin e Dhërmiut dhe një pjesë të bregdetit të Himarës të mbushur me karburante e vajra. Ndëshkimet për këto masakra mjedisore janë të parashikuara në ligj, por me sa duket, gjoba justifikon qëllimin, pasi tjetërkund ndëshkimi përkthehet në arrestim, përpos masave të majme administrative.
Hetimet për shkaktarët
I pari që reagoi për situatën e krijuar ishte ministri i Mjedisit, Lefter Koka, i cili përveçse akuzoi Kapitanerinë se “ishte në gjumë” premtoi se shkelësit do të ndëshkohen. Mesazhi i ministrit që Durrësin e ka shtëpinë e tij u pasua nga Inspektorati i Mjedisit, ambientalistët dhe nga një njoftim zyrtar i Policisë së Shtetit. Aty thuhej se “Policia e Qarkut të Durrësit, në bashkëpunim me Policinë Kufitare të Durrësit kanë nisur hetimet. Menjëherë për këtë ngjarje është ngritur grupi i posaçëm hetimor”. Sipas policisë, ekspertët e Laboratorit Kriminalistik, në bashkëpunim me inspektorët e mjedisit, do të marrin mostra për ekspertim. “Do të verifikohen të gjitha anijet në radën e Portit të Durrësit dhe çdo mjet lundrues që ka lëvizur në hapësirën detare të ndotur, përgjatë 24 orëve të fundit”-tha policia. Së fundmi uniformat blu shtuan se mjetet e policisë kufitare Durrës kishin dalë në det në patrullim për të verifikuar të gjitha lëvizjet në ujërat territoriale. Për të koordinuar veprimet në Durrës kanë mbërritur edhe dy prokurorë. Deri mbrëmë rezultonin tri anije të ankoruara në Durrës, të cilat mund të ishin shkaktare dhe teknikët po analizojë se cila prej tyre shkaktoi ndotjen, pa vullnet apo me dashje. Në shënjestër mbetet anija italiane “Canneto.M”, e cila sipas faqes zyrtare të trafikut detar rezultonte pranë brigjeve të Durrësit në disa orare të caktuara. Destinacioni i anijes 161 metra e gjatë e 23 metra e gjerë, e prodhuar në vitin 2008, e cila transporton vajra dhe produkte kimike, ishte Porto Romano.
Banorët
Situata u përjetua me nota tepër të rënduara nga banorët e Durrësit, të cilët u shprehën për mediat se kësaj radhe mjedisi ishte ndotur më keq se herët e tjera. “Po të qëndrosh pranë bregut bllokohesh, nuk merr dot frymë nga era e rëndë. Edhe herë të tjera kemi parë naftë në breg, por si kësaj radhe nuk kishte ndodhur asnjëherë. Nuk e kishim parë ndonjëherë plazhin si sot”- thonë ata. Konfirmimi i banorëve të Durrësit vërteton përsëritjen e situatës, por me përmasa më të vogla.
Ambientalisti Guri
Sazan GuriSazan Guri, ambientalisti i njohur për deklarimet e tij në mbrojtje të mjedisit, e cilësoi ngjarjen si ndotjen me përmasat më të mëdha në bregdetit shqiptar. “Gjatë gjithë stinës së verës dhe pranverës bregdeti shqiptar ndotet nga anijet italiane dhe ato greke, me qëllim pa qëllim këtë nuk e ndaj dot, të cilat hedhin naftë në detin tonë. Ky është një rast flagrant, ku në një qytet të madh si Durrësi, një anije derdh naftë” tha Guri. Sipas tij, shkaktarët gjejnë një vend si Shqipëria që nuk reagon në asnjë rast për atë që i ndodh bregdetit shqiptar. Ai shtoi se “arrijnë të ndotin bregdetin se nuk ka sensibilizim”.

 

Ministri i Mjedisit në terren: Dëmi i madh. Reagon edhe Inspektorati

Koka: Premtoj ndëshkimin e fajtorëve

Reagimi më i fuqishëm dhe tepër shpresëdhënës erdhi nga ministri i Mjedisit, Lefter Koka, i cili, përmbi të gjitha, premtoi ndëshkimin e fajtorëve. Ky reagim përbën mesazhin e parë të këtij lloji pas një ndotjeje që u bëhet ujërave territoriale të Republikës së Shqipërisë, teksa Inspektorati i Mjedisit gjithashtu shprehu angazhimin e tij.

Ministri Koka

lefter-koka-350x1962-350x1962-350x1961-350x1961-350x196Fillimisht, ministri i Mjedisit hodhi akuza për Kapitanerinë e Durrësit, për të cilën tha se ishte në gjumë. Duke parë nga afër situatën në bregdetin e Durrësit, ai e ka vlerësuar ndër ndotjet më të rënda. “Ky rast është ndër më flagrantët, është situatë me të vërtetë e rënduar, një sasi e konsiderueshme vaji dhe nafte ndodhet në plazhin e Durrësit. Në zonë ndodhen gjithë institucionet përkatëse, ekipi i Ministrisë së Mjedisit, ekipi i AKM që kanë marrë mostrat për të bërë analizat, ISHMP, struktura të Policisë së Shtetit, Prokurorisë, Kapitanerisë së Portit të Durrësit dhe gjithë strukturat e shtetit janë këtu në zonën e ndotur”-u shpreh ministri. Ai shtoi se nga vlerësimi paraprak, ndotja është në rreth 2.5 km vijë bregdetare. “Më vjen keq të them se shumë mjete lundruese e detare të huaja apo shqiptare bregdetin tonë e konsiderojnë si vend shkarkimi për mbetje”. Ministri shtoi se dëmi është shumë i madh jo vetëm për banorët që jetojnë këtu, por edhe për vlerën turistike që ka ky bregdet, si dhe për peshkimin që është aset i vyer ekonomik. Koka kishte një mesazh për shkaktarët, të cilëve u tha se “Uroj të jetë rasti i fundit. Ju garantoj që do të angazhohem që shkelësit që ndotën të kapen e të ndëshkohen dhe do të vëmë para përgjegjësisë dhe institucionet që nuk kanë monitoruar”. Më tej ministri Koka shtoi se “në rolin e ministrit të Mjedisit ndihem keq që nuk e kemi parandaluar dot këtë situatë, por ju siguroj që përgjegjësit do të vihen para ligjit e do të bëj maksimumin për të ndëshkuar shkaktarët”. Për të parandaluar situata të ngjashme, Koka tha se “duhet të jemi më operativë në funksionim të ligjeve, ne nuk mund të ndërhymë vetëm pasi ndotet. Ligjet në mjedis janë për të parandaluar, pasi kur ambienti ndotet, kostot janë shumë të larta dhe pavarësisht ndërhyrjes, ndotja lë gjurmë. Ne si qeveri duhet të jemi operativë, kjo situatë na vë para përgjegjësisë, ndaj i kërkoj Ministrive të linjës të jenë operativë”. Për nisma që synojnë përmirësimin e situatës, ministri shtoi se “kemi rreth një vit që kemi çuar për mendim VKM-në, ku kërkohet pikërisht ndryshimi i taksave të anijeve për ndotjet dhe sot përballemi në këtë situatë. Ne duhet të veprojmë sipas parimit, që unë kam besuar gjithmonë në çështjet mjedisore: Ndotësi paguan”. Për koordinimin me institucione të tjera Koka tha se “nga komunikimi që pata me ministren e Mbrojtjes i kërkova koleges sime të na mbështesë për të lehtësuar situatën me ekipet e specializuara në varësi të saj si dhe me helikopterë për të monitoruar situatën nga ajri”.
Inspektorati i Mjedisit
Ergys Agasi, kreu i Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit dhe Pyjeve është shprehur se “ne jemi vënë në dijeni nga banorët. Menjëherë me urdhër të ministrit Koka është ngritur grup i përbashkët në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Durrësit”. Sipas Agasit, inspektorët në terren po marrin mostra për të mësuar se nga vjen kjo ndotje. “Kjo është një ngjarje e përsëritur, këtë problem e kemi pasur edhe në bregdetin e Jugut. Duhet të zbulojmë çfarë është derdhur nga anijet, për të gjetur shkakun nga vjen” tha Agasi. Në fund ai shtoi se do të bëhet ndëshkimi si me masë administrative dhe me ndjekje penale në proces gjyqësor të subjektit që ka bërë shkeljen.

Ministri

Panariti ndalon peshkimin në rrezen e pesë kilometrave

Edmond-PanaritiMenjëherë pas ngjarjes, ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, ka urdhëruar pezullimin e peshkimit në Durrës deri në sqarimin e situatës. Ministri ka urdhëruar Autoritetin e Ushqimit për marrjen e mostrave të peshkut. Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, tha se zona e ndalimit të peshkimit është rreth 5 kilometrave dhe se koordinatat janë vendosur nga specialistët. Nga ana tjetër, Panariti kërkoi mobilizim për të parandaluar përhapjen e ndotjes dhe pasojat të mos jenë të rënda. “Masat janë marrë nga Ministria e Bujqësisë, ndërkohë që kjo ngjarje nuk është vetëm përgjegjësi e këtij dikasteri, por e gjithë strukturave qeveritare”- është shprehur Panariti. Më tej ai shtoi se ka vështirësi të mëdha në përmirësimin e situatës dhe se strukturat shtetërore duhet të angazhohen për të minimizuar dëmet.

Ky shkrim Skandali, anija hedh naftë në Durrës, 2.5 km det “lyhet në zi” u publikua me pare te Gazeta SHQIP Online.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 12748


<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>