Quantcast
Channel: Kryesoret – Gazeta SHQIP Online
Viewing all 12748 articles
Browse latest View live

Basha në Gjermani: E bëjmë Shqipërinë vend të denjë europian

$
0
0

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha zhvilloi një takim të zgjeruar dhe më pas një drekë pune me disa nga drejtuesit më të lartë të Bundestagut gjerman, përfshi Kryetarin e Çështjeve Europiane Gunther Krichbaum, Kryetarin e Komisionit të Ekonomisë dhe Energjisë Andreas G. Lämmel, Kryetarin e Komisionit për Parandalimin e Krizave Thorsten Frei, si dhe Këshilltarin Politik të shumicës parlamentare CDU-CSU Hans-Joachim Falenski.

Tema kryesore e bisedimeve ishte plotësimi i kushteve të Shqipërisë për hapjen e negociatave. Politikanët e lartë gjermanë ripohuan qëndrimin e qartë të Bundestagut se ata presin veprime konkrete dhe rezultate të qarta në luftën kundër krimit të organizuar e drogës, dekriminalizmit të politikës, zbatimit të reformës në drejtësi dhe mbi të gjitha mbajtja e zgjedhjeve të ndershme dhe të lira do ta bindin Bundestagun të hapë dritën jeshile për çeljen e negociatave me Shqipërinë.

Basha u shpreh se këto prioritete janë në vetvete jetike jo thjesht për integrimin por për fatin e qytetarëve shqiptarë të cilët po detyrohen ta kërkojnë të ardhmen duke migruar.

Kryedemokrati u pohoi zyrtarëve gjermanë se ka ardhur koha që Shqipëria të kapërcejë ciklin e krizave dhe dështimeve të përsëritura dhe të hyjë në një kurs normal zhvillimi që do ta kthejë atë në një vend të denjë europian.

Me këtë qëllim, Basha ndau vizionin dhe alternativën e tij për transformimin ekonomik dhe politik të vendit. Ai theksoi se hapi i parë në këtë rrugë janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme.

Parlamentarët gjermanë rishprehën edhe një herë mbështetjen e tyre të pandryshuar për zhvillimin dhe integrimin europian të Shqipërisë. Ata theksuan pritshmërinë e tyre se Shqipëria do të përqafojë sa më shpejt rrugën e ndryshimeve.

Kryetari i Partisë Demokratike u prit edhe në Kancelarinë Federale nga drejtuesi i Grupit 21 për Politikat e Jashtme dhe të Sigurisë Globale, Joachim Bertele, Knut Abraham përgjegjës për Europën Juglindore dhe  Mathias Luttenberg, përgjegjës për procesin e Berlinit. Ndërsa në Ministrinë e Jashtme Gjermane Basha u takua me Christian Hellbach, Drejtor për Europën Juglindore.

Në këto takime, Basha theksoi rëndësinë që kanë për zhvillimin dhe stabilitetin e vendit, zgjedhjet e lira e të ndershme. Ai i njohu zyrtarët gjermanë me alternativën e opozitës për zhvillimin e vendit, veçanërisht për luftën kundër krimit dhe korrupsionit dhe ofrimit të kushteve dhe sigurisë për investitorët e huaj.

28 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)


Ministri i LSI i quajti ‘bandë’, Rama: Policia e Shtetit më e besuara nga shqiptarët

$
0
0

Kryeministri i vendit Edi Rama ka zgjedhur rrjetin social Facebook për t’ju përgjigjur deklaratës së ministrit të mjedisit, Lefter Koka i cili një ditë më parë e cilësoi policinë e shtetit bandë që po bashkëpunon me trafikantët dhe që po bën “lojë të fortësh” me LSI-në.

“Pas anketimit të bërë disa muaj më parë nga Komisioni Europian, Policia e Shtetit konfirmohet përsëri si institucioni më i besuar i shqiptarëve në Indeksin e Besimit tek Institucionet”, shkruan Rama përmes një postimi në FB.

Një ditë më parë, Presidenti i vendit, Bujar Nishani vendosi të mbledhë Këshillin e Sigurisë Kombëtare, pas letrës së dërguar në drejtim të tij nga kryetari i kuvendit, Ilir Meta ku shprehej shqetësimi i këtij të fundit për mosarrestimin e të shumëkërkuarit Klemend Balili.

Ndërkohë që replikat në distancë mes ministrave të PS dhe LSI për punën e policisë së shtetit sa i përket luftës ndaj kanabisit kanë qenë të shpeshta gjatë muajve të fundit.

Disa muaj më parë, ministri i drejtësisë, Ylli Manjani hodhi idenë që situatën ta marrë në dorë ushtria nëse policia nuk ia del dot në luftën kundër kanabisit në vend.

28 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)

Tahiri në Kosovë: Arrestimi i Haradinajt i paligjshëm, Interpoli ta rishikojë

$
0
0

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri nga Kosova, ku ndodhet për një vizitë pune, ka kërkuar nga Interpol të rishikojë urdhër-arrestet e lëshuar nga Serbia, duke e cilësuar arrestimin e Ramush Haradinajt tërësisht të paligjshëm dhe të tepërt.

“Unë kam pasur rastin të diskutoj me të gjithë aktorët ashtu si mbetet një çështje në agjendën tonë edhe anëtarësimi i Republikës së Kosovës në Interpol gjë që do ta bënte shumë më të mundur dhe një zë shumë më të fortë nevojën për zgjidhjen definitive të këtyre çështjeve. Pra unë besoj se nuk është çështje procedurash por mbetet një çështje për tu adresuar nëpërmjet procedurave në Interpol”.

Tahiri shtoi se “i kam kërkuar Interpolit të rishikoj dhe të filtrojë dhe të mos konsideroj në vijim çdo urdhër arresti, si bënë edhe në rastin e ish-kryeministrit Haradinaj. Nga ana tjetër ne besojmë shumë fortë te dialogu. Ndaj jam besim plotë dhe kam besim se nuk ka nevojë për asgjë më shumë se sa besimi ynë te institucionet e Kosovës për procesin e dialogut dhe stabilitetin në rajon”, u shpreh Tahiri në një konferencë të përbashkët me homologun e tij Skënder Hyseni.

Kurse, ministri Skender Hyseni deklaroi se ai dhe Ministria e Drejtësisë i kanë shkruar Interpolit për çështjen e flet-arresteve, por që nuk e kanë fuqinë e Shqipërisë, pasi Shqipëria është pjesë e Interpolit.

Hyseni tha se sot biseduan edhe me komisionin parlamentar të së Shqipërisë, ku u bisedua për punët që janë bërë dhe që duhen bërë për bashkëpunim dimensional dhe afatgjatë brenda shqiptarëve.

28 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)

Thaçi telefonon Vuçiçin: Problemet zgjidhen me dialog

$
0
0

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, përmes një postimi në Facebook, ka njoftuar se ka bërë një bisedë telefonike me kryeministrin serb, Aleksandar Vuçiç.

Në këtë formë, Presidenti ka anashkaluar Kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa, duke folur me homologun e tij serb.

Postimi i plotë i Thaçit:

Sapo zhvillova një bisedë telefonike me kryeministrin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

U pajtuam që të punojmë bashkërisht që nëpërmjet dialogut t’i zgjidhim të gjitha çështjet me interes reciprok e që ndërlidhen me procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”

28 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)

Avioni i drogës, “Corriere”: Guido Guidi ka filluar të flasë!

$
0
0
Guido Guidi pak momente pas arrestimit në Ishëm

“Fillimisht kishte qëndruar në heshtje deri sa mohonte gjithçka, duke filluar që nga 200 kilogramët e marijuanës në avionin e tij turistik, i cili thuajse u përplas në shtator ndërsa ulej në një rrip toke në Ishëm, pranë Durrësit”.

Kështu nis shkrimi i “Corriere della Sera”-s, e cila në një artikull të zgjeruar hedh dritë mbi Guido Andrea Guidin, italianin i cili u kap teksa po testonte vendin nga ku do të transportonte drogë nga Shqipëria drejt Italisë.

Avioni i pilotit italian i rrëzuar në Ishëm

Gazeta prestigjioze italiane, shkruan po ashtu se piloti 68-vjeçar ka filluar “të flasë”, aq sa ka vënë në alarm “malavitën” shqiptare, e cila e rekrutoi për mision të trafikut të drogës nga ajri.

“Guidi ka filluar të nxjerrë emra, aq sa ka detyruar hetuesit e Tiranës t’i marrin pasaportën, ta mbajnë nën mbrojtje absolute dhe ta fshehin në vende sekrete për të shmangur ndonjë hakmarrje të mundshme”, – vijon “Corriere”.

Guidi u lidh me “narkotrafikantët e Ballkanit” për të sistemuar disa probleme financiare. “Kontrata parashikonte transportin e drogës nga Shqipëria në Lombardi, – vijon e përditshmja italiane, – me destinacion final tregun e Milanos. Udhëtimet do të paguheshin 20 dhe 25 mijë euro me udhëtime “inkonjito” (fluturim në kuotë të ulët për të mos u diktuar nga radarët), me zbritje në disa aeroporte si turist dhe me ngarkesën e marijuanës për t’ia dorëzuar anëtarëve të organizatës”.

Artikulli i gazetës italiane “Corriere della Sera” për Guidin

Sipas gazetës, menaxheri milanez kishte menduar të organizonte të largohej nga Ishmi pas rrëzimit të avionit, por pa mbështetjen e organizatës ishte e vështirë. “Ndoshta ishte i sigurt se me kohën do të lirohej, ose çështja do të pushohej, – nënvizon “Corriere”. – Por në fakt gjërat u përkeqësuan menjëherë, edhe për shkak të zbulimit të një blloku shënimesh në xhepat e 68-vjeçarit, i cili mban emra “të nxehtë”, që duket se janë të personazheve të njohur në jetën publike shqiptare”.

28 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)

Në kërkim të Balilit, flet e shoqja: Nuk dorëzohet se nuk ka drejtësi

$
0
0
Klement Balili, i shpallur në kërkim nga policia

Familjarët e Klement Balilit kanë hedhur akuza ndaj forcave speciale të policisë, pasi gjatë kontrollit të sotëm në mëngjes për kapjen e “Eskobarin e Ballkanit”, pretendojnë se ndaj tyre është ushtruar terror.

Nga ana tjetër, bashkëshortja e Balilit është shprehur se i shoqi nuk mund të dorëzohet në këto momente, sepse nuk ka drejtësi në Shqipëri.

Bashkëshortja e Klement Balilit

Në orët e para të mëngjesit të së shtunës, RENEA dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, kontrolluan 10 banesa dhe 3 hotele në Sarandë e Delvinë,  si dhe shoqëruan 11 persona të afërm të ‘Eskobarit të Ballkanit’. Kontrollet janë ushtruar në bazë të urdhrave të ekzekutimit lëshuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda ndërsa mes të shoqëruarve të cilët janë marrë në pyetje në mjediset e drejtorisë së policisë së Gjirokatrës është edhe djali i Balilit.

Operacioni për kapjen e tij, po drejtohet nga zvdrejtori i përgjithshëm i policisë për krimet e rënda, Ardian Çipa. Sipas burimeve nga uniformat blu asnjë i afërm i Balilit nuk ka pranuar të bashkëpunojë apo të japë informacione të vlefshme për kapjen e tij.

“E morën djalin me forcë sa ma prunë këtu te rruga. Atëherë unë po bërtisja, jam zënë me policat”, rrëfen Manushaqe Balili, kunata e Klement Balilit, raporton Top Channel.

“Dhe Gestapo gjermane në atë kohë nuk sillej në këtë mënyrë”, thotë Avni Veizi, vjehrri i Klement Balilit.

Por kur do të dorëzohet Klement Balili, sipas bashkëshortes së tij. “Bashkëshorti im nuk dorëzohet dot në këtë moment, sepse në Shqipëri nuk ka drejtësi. Në momentin që vendoset ligji i vettingut,sepse dyshohet se prokuroria jonë dhe gjykatat tona janë të korruptuara në duart e kujt do të dorëzohet burri im?”, thotë Alma Balili.

Informacionet e siguruara nga policia në rrugë operative flasin se Balili ndodhet brenda territorit shqiptar, megjithatë nuk përjashtohet mundësia që ai të jetë larguar përmes kufirit të gjelbër.

28 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)

PS bojkoton Lefter Kokën pas akuzave, Dako e ironizon

$
0
0

Shpërthimi i Lefter Kokës tregoi pjesën e dukshme të situatës mes Partise Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, lëvizje që tregojnë temperaturën në rritje të tensionit mes Metës dhe Ramës.

“Këta njerëz tashmë të interesuar qoftë nga të ardhurat apo qoftë nga pushteti kanë vetëm një lajtmotiv, si do mundemi të  vazhdojmë të qëndrojmë në këtë pushtet. Janë eksponentë të caktuar që kanë ardhur nga qytete të ndryshme për të drejtuar policinë e shtetit, nuk kanë asnjë lidhje me policinë, janë mjeshtër ndoshta të bërjes së punëve që ata dinë mirë t’i administrojnë. Kjo jam i bindur do të sjellë ndoshta dhe zgjedhje të deformuara”, ka thënë Lefter Koka në një emision televiziv.

Një ditë më pas ministri Lefter Koka ishte vetëm të shtunën paradite në Shijak në dhënien e certifikatave të legalizimit ku duhet të ishin dy përfaqësues të lartë të qeverisë, por ata munguan zyrtarisht për shkak të ndryshimeve në agjendën e tyre.

Artan Lame kishte zgjedhur të shkonte në Lezhë, ndërsa ministrja Gjermeni tha për Top Channel se nuk e kishte konfirmuar pjesëmarjen dhe nuk ishte e detyruar të shkonte në Shijak. Koka edhe nga Shijaku vazhdoi me akuzat.

“Është e thjeshtë si ekonomia e një shtëpie. Nuk mundesh dot në një shtëpi të kërkosh një televizor me ngjyra, kur nuk ke gjërat më bazike për të jetuar. Dhe shpesh në fakt kjo ka ndodhur në disa qytete të Shqipërisë po ndoshta dhe në bashkinë e Durrësit. Ne sigurisht e duam qytetin të bukur, dhe fasadën e bukur po që të kemi një fasadë të bukur duhet të kemi një rrugë e cila nuk mbytet”, tha ai.

Vangjush Dako tentoi ta kalojë shpërthimin e ish kolegut Koka me indiferencë

“S’kam asgjë për të thënë. Nuk i marr seriozisht ato që thotë Koka”, është shprehur Dako për “Top Channel”.

Por megjithëse nuk u përgjigj direkt një reagim erdhi nga vetë kryeministri që me një postim të rrjeteve sociale lavdëroi policinë duke treguar anketën e Komisionit Europian që konfirmon Policinë e Shtetit si institucionin më të besuar të shqiptarëve. Rama e mbyll me fjalët: Qentë le të lehin, karvani ecën para.

Vështirë të thuash se krahasimi i fundit ishte për Lefter Kokën, Por e sigurt është se karvani PS-LSI tani po ndeshet me një sfidë të fortë.

28 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)

Vlorë, eksploziv automjetit Audi Q7, nuk ka të lënduar

$
0
0

Një automjet është djegur qëllimisht në orët e para të mëngjesit të sotëm në qytetin e Vlorës.

Ngjarja ka ndodhur pranë pallatit të pronarit të mjetit në lagjen “Pavarësia”, ku automjeti tip Audi-Q7, në pronësi të shtetasit F.L (P), 46 vjeç, ka marrë flakë e për pasojë është dëmtuar pjesa e përparme e tij.

Sipas policisë, dyshohet që mjeti mund të jetë djegur qëllimisht me një sasi të vogël të dyshuar lëndë plasëse, e cila është hedhur poshtë mjetit.

Po punohet për hetime të mëtejshme në lidhje me sqarimin e rrethanave të ngjarjes dhe për identifikimin e autorit.

29 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)


Koalicioni, Meta: Jo retorika konfliktuale, vizioni i LSI zgjidhja institucionale

$
0
0

Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, i është përgjigjur zërave për përçarje brenda koalicionit PS-LSI, duke theksuar se vizioni i partisë që drejton është zgjidhja institucionale dhe jo retorikat klonfliktuale politike.

“Zgjidhja institucionale me përgjegjshmëri të plotë dhe jo retorikat konfliktuale politike, fajësuese dhe shfajësuese, do ta çojnë angazhimin tonë për forcimin e shtetit ligjor dhe sundimit të ligjit në vend në nivele të reja, shumë më të larta dhe të qëndrueshme. Ky është vizioni dhe kjo është përgjegjshmëria e Lëvizjes Socialiste për Integrim”, tha Meta gjatë një takimi me strukturat e LSI në njësinë nr 5.

Tensioni me Serbinë, Meta: Për SHBA-në, Kosova është prioritet

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta zhvilloi ditën e sotme një takim me strukturat e Njësisë nr 5 në kryeqytet, ku veç të tjerash përshëndeti qëndrimin pozitiv të Sekretarit të ri të Mbrojtjes së SHBA-ve për Kosovën, i cili konfirmoi se stabiliteti dhe siguria e Kosovës është një prioritet i rëndësishëm për administratën e re të SHBA-ve.

Sipas Metës, nisur nga situata e fundit e tensionuar me Serbinë, kjo është një gjë tepër pozitive për Kosovën.

“Kjo është tepër pozitive, duke pasur në konsideratë tensionimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, së fundi. Njëkohësisht është shumë e rëndësishme për stabilitetin e të gjithë rajonit tonë në këto kohë ndryshimesh dhe pasigurish”, u shpreh Meta.

29 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)

Peleshi: S’kemi kohë për lojëra politike, të gjithë presin që qeveria të punojë

$
0
0

Zv/kryeministri Niko Peleshi ka folur nga Korça në lidhje me replikat e fundit PS-LSI, duke deklaruar se reforma në drejtësi nuk lë kohë aspak për lojëra politike.

“Më kanë habitur disa deklarata. Të gjithë presin që qeveria të punojë. Kemi përpara reformën në drejtësi, që është reforma e reformave. Vetting-u kërkon kontribut dhe nuk të lë kohë të merresh me lojëra politike”, nënvizoi Peleshi.

“Kemi detyra të mëdha përpara dhe nuk na mbetet kohë për lojëra politike. Ne presim nga LSI-ja që t’i japim vrull dhe impulsin e duhur reformave”, shtoi zv/kryeministri.

29 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)

PD: Sherri për Balilin, sherr për pazarin e prishur Rama-Meta. Fshihet në Tepelenë

$
0
0

Partia Demokratike akuzoi sot PS-LSI se pas prishjes së pazarit mes tyre janë duke e kthyer në një show çështjen e arrestimit të të shumëkërkuarit Klemend Balili.

Sekretari i përgjithshëm i PD, Arben Ristani në një deklaratë për mediat akuzoi qeverinë se po e fsheh Klemend Balilin, duke zbuluar edhe vendin që sipas tij është Tepelena, ku po mbahet nën kujdesin e kryetarit të kësaj bashkie, Tërmet Peçi.

Deklarata e plotë e PD

Pas presionit të hapur ndërkombetar për arrestimin e Klement Balilit dhe pasi u prishën për pazarin e ditës, PS dhe LSI kanë nisur sherrin dhe shfaqjen e radhës.

Ndërkohë Klement Balili, i kërkuar nga gjysma e policive të Europës, nga DEA amerikane, i konsideruar nga CNN si Eskobari i Ballkanit, është akoma i lirë, duke kapur peshk nga jahti i tij e duke bredhur nga dasma në dasmë.

Partia Demokratike e denoncoi emërimin e Klement Balilit në zyrat e shtetit, që në maj të vitit 2014. Ne bëmë publike, prova, fakte, se si në vitin 2006, ky trafikant ishte kapur në një aksion të forcave speciale me helikopter, me 750 kilogramë drogë.

Partia Demokratike kërkoi 36 herë në 2 vite e gjysmë largimin e Klement Balilit nga administrata shtetërore ku e emëruan Rama dhe Meta dhe venien e tij para drejtësisë.

E megjithatë, Rama dhe Meta, e mbajtën, e mbrojtën deri në fund, e mbrojtën edhe kur u shpall në kërkim nga Interpoli në maj të vitit 2016.

Sot, në vend që të lozin topa djegësi me Balilin, le ti përgjigjen një pyetje të thjeshtë: A po strehohet Klement Balili në Tepelenë, nën kujdesin e kryetarit të bashkisë së Tepelenës, Termet Peci dhe nje shefi të PS-së në Tepelenë, Dino Selemi, aktualisht edhe drejtor i transportit të Gjirokastrës?

29 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)

Akuzat e LSI, Tahiri: Për të tretin vit, Policia e Shtetit institucioni më i besuar

$
0
0

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ashtu si kryeministri Edi Rama disa ditë më parë, zgjodhi t’i përgjigjej me fakte dhe shifra akuzave të artikuluar ditëve të fundit nga disa eksponentë të LSI në drejtim të policisë së shtetit.

Përmes një postimi në Facebook, Tahiri thekson se për të tretin vit radhazi, Policia e Shtetit është institucioni me i besuar në vend duke e shoqëruar këtë pohim me grafikun e studimit të organizuar nga BE.

“Per te 3-tin vit rradhazi, Policia e Shtetit institucioni me i besuar ne vend, sipas studimit te organizuar nga BE.

E megjithate, ka ende shume pune per te bere, bashke me qytetaret”, shkruan Tahiri në FB.

29 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)

Greqi, dënohen me 60 ditë burg rekrutët shqiptarë që bënë shqiponjën me duar

$
0
0

Burime pranë Ministrisë së Mbrojtjes në Athinë njoftojnë se 7 rekrutët e ushtrisë greke që pozuan duke formuar me pëllëmbë shqiponjën dykrenare janë dënuar me 60 ditë burg.

50 ditë janë dhënë nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë greke, zv/gjenerali Alikiviadhis Stefanis, 10 të tjera nga ministri i Mbrojtjes, Panos Kamenos.

Vendimi i Stefanisit iu kalua Shtabit të Përgjithshëm dhe Ministrisë së Mbrojtjes dhe aty ministri Kamenos ka vendosur ta rrisë dënimin me dhjetë ditë, në kufirin maksimal të juridiksionit disiplinor të ushtrisë.

Kjo masë vjen në kohën kur Prokuroria Ushtarake e Janinës është duke i vazhduar hetimet e saj mbi çështjen që bëri bujë në vendin fqinj.

Shtatë rekrutët që po stërviteshin në një bazë të Mesologjit janë duke u hetuar për shkelje të rregulloreve të ushtrisë, që bart një dënim nga gjobë deri në 5 vite heqje lirie. Sipas Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë greke, ushtarët me origjinë shqiptare dhe nënshtetësi greke duhet ta bënin betimin në datën 2 shkurt.

29 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)/TCH

Maqedoni, Gruevski pranon platformën shqiptare; Gjuha shqipe bëhet zyrtare

$
0
0

Maqedonia pritet që të krijojë qeverinë e saj të re me arritjen e marrëveshjes mes VMRO-DPMNE dhe BDI-së.

Lideri i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski i ka pranuar kushtet e Bashkimit Demokratik për Integrim dhe të plaftormës shqiptare, njoftojnë mediat maqedonase.

Gruesvki i ka pranuar të gjithë kërkesat e palës shqiptare, ku ndër to përfshihet gjuha shqipe, si gjuhë zyrtare në Maqedoni dhe përdorimi i saj në çdo nivel të administratës.

Platforma e partive shqiptare kishte këto parime dhe objektiva:
– Barazi etnike: Mbështetje të iniciativave ligjore dhe kushtetuese për të perforcuar barazinë etnike (në emërimet në polici, gjyqësor, ushtri dhe shërbime sekrete, si dhe në vendimarrje dhe në shperndarjen e buxheteve dhe investimeve).

– Barazi gjuhësore: Ligj të posaçëm për përdorim të zgjeruar të Gjuhës Shqipe në çdo nivel të administratës.

– Përfshirjen e shqiptarëve në bisedimet me Greqinë për çështjen e emrit.

– Mbështetje e punës dhe mandatit të Prokurorisë speciale;Kërkesë kyçe e Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

– Reforma në Arsim: Më shumë shkolla shqipe, dhe financime për Kulturën dhe memorjen historike të shqiptarëve.

– Reforma në menaxhimin e buxheteve për komunat, ku kërkohet më shumë financime për komunat shqiptare.

‎Platforma e përbashket e iniciuar nga Tirana zyrtare arriti që të pranohet nga VMRO-DPMNE, e cila nuk kishte alternative tjetër veçse të dorezohej para shqiptareve dhe të pranonte kërkesat e tyre.

Mesnata e kësaj të diele është edhe afati i fundit kushtetues për Nikola Gruevskin që të bindtë BDI-në për të formuar qeverinë e re, pa të cilën është matematikisht e pamundur për këdo parti që të formojë qeverinë e re.

E nëse marrëveshja BDI – VMRO DPMNE do të dështonte, atëherë do t’i takonte LSDM-së, të drejtuar nga Zoran Zaev, që të fillojë bisedimet me partinë e Ali Ahmetit dhe partive të tjera shqiptare për të krijuar qeverinë e re.

29 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)

Maskat grabisin fabrikën e sheqerit në rrugën Vorë-Tiranë

$
0
0

Një fabrikë sheqeri në rrugën dytësore Vorë Tiranë ka rënë pre e grabitjes.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 04:20 ku persona të maskuar dhe të armatosur kanë hyrë nga muri i pasëm i ndërtesës dhe kanë lidhur rojen. Më pas, kanë hapur me forcë kasafortën, ku kanë marrë 140 000 lekë.

Policia ka mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

30 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)


Kanada, 6 të vrarë dhe 8 të plagosur në xhaminë e Kebekut

$
0
0

Policia në qytetin e Kebekut thotë se gjashtë persona janë vrarë dhe tetë janë lënduar gjatë një sulmi me armë zjarri në xhaminë e qytetit, gjatë kohës së lutjeve.

Sulmi po cilësohet si “vepër terrorizmi ndaj myslimanëve”.

Zëdhënësja e policisë së krahinës së Kebekut, Christine Coulombe, ka thënë se dy të dyshuar janë arrestuar.

Ajo nuk ka dhënë detaje për arsyen e sulmit në Qendrën Kulturore Islamike të Kebekut, duke thënë se hetimet sapo kanë filluar.

Paraprakisht, udhëheqësi i kësaj qendre në qytetin lindor kanadez ka thënë se pesë persona janë vrarë.

Agjencia e lajmeve Reuters, duke e cituar një dëshmitar ka thënë se tre persona e kanë kryer sulmin.

Udhëheqësi i Kebekut, Philippe Couillard, e ka përshkruar sulmin si “dhunë barbare” ndërsa ka thënë se kjo ka qenë “vepër terrorizmi ndaj myslimanëve”.

Kryeministri kanadez, Justin Trudeau, ka shkruar në Twitter: “Sonte, kanadezët janë në zi për ata që u vranë në një sulm frikacak ndaj një xhamie në qytetin e Kebekut”.

Një dëshmitar i ka thënë Reuters se 3 sulmues kanë shtënë ndaj 40 personave brenda Qendrës Kulturore Islamike të qytetit në fjalë.

“Pse po ndodh kjo këtu? Kjo është barbare”, ka thënë për gazetarët udhëheqësi i xhamisë, Mohamed Yangui.

Yangui ka thënë se ai nuk ka qenë në xhami në kohën e sulmit. Ai ka shtuar se nuk e di sakt numrin e të lënduarve.

Zebida Bendjeddou, që është larguar më herët nga xhamie, mbrëmjen e së dielës, ka thënë se qendra pranonte kërcënime.

“Në qershor, ata e vendosen kokën e një derri para xhamisë. Por, ne menduam: ‘Oh, kjo është një ngjarje e izoluar.’ Nuk e morëm seriozisht. Por, sonte, këto ngjarje të izoluara, morën kahje tjetër”, ka thënë ajo.

Në New York, policia ka thënë se ka shtuar patrullimet afër xhamive dhe vendeve të tjera të kultit.

30 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)

Berat, ndërron jetë 3-vjeçarja, hetim mjekes për mjekim të pakujdesshëm

$
0
0

Një mjeke e spitalit të Beratit do të ndiqet penalisht nga policia në akuzën e mjekimit të pakujdesshëm.

Një vogëlushe 3-vjeçare ka humbur jetën, dhe e ëma, A. D, 41 vjeçe, akuzon mjeken Sh.K, 65 vjeçe për mjekim të gabuar.

Hetimet kanë nisur menjëherë pas kallëzimit të 41-vjeçares. Fëmija E. D., 3 vjeç ishte shtruar në spitalin rajonal të Beratit, pasi kishte qenë e sëmurë me grip. Nëna e saj pretendon se shkak ka qenë mjekimi i pakujdesshëm nga ana e doktoreshës.

30 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)

Ngërçi në koalicionin PS-LSI, Rama shkon në zyrën e Metës

$
0
0

Situata e krijuar ditët e fundit në koalicionin qeveritar PS-LSI, shoqëruar me akuzua e kundër akuza mes eksponentëve të të dyja partive, ka detyra kryeministrin Edi Rama të shkojë vetë në zyrën e kryeparlamentarit Ilir Meta paraditen  e sotme.

Një ditë më parë u përfol për një dorëheqje të mundshme të ministrit të Drejtësisë, Ylli Manjani, lajm i hedhur poshtë nga ky i fundit, i cili ka bërë me dije se as është shkarkuar, as është dorëhequr dhe as ka ndërmend të largohet nga posti i ministrit.

Disa ditë më parë ministri i mjedisit, Lefter Koka akuzoi policinë në Durrës se po vepron politikisht në dëm të LSI, akuzë  e artikuluar një ditë më pas edhe nga deputeti i Gjirokastrës, Vangjel Tavo në drejtim të krerëve të policisë në jug të vendit.

30 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)

Britani e Madhe, 1 milion firma kundër vizitës së Trump

$
0
0

Në Britaninë e Madhe është nënshkruar një peticion me 1 mln firma për të ndaluar vizitën që presidenti i ri i SHBA, Donald Trump parashikohet të zhvillojë në këtë vend javën tjetër.

Numri i firmave të peticionit është rritur me shpejtësi, sidomos pasi nisën të ndihen efektet e para të politikës së Trump kundër emigrantëve ku qindra prej tyre u bllokuan nëpër aeroporte duke mos u lejuar të hyjnë në SHBA.

Në peticion shkruhet: ‘Donald Trump duhet të lejohet të hyjë në Britaninë e Madhe si kreu i Shtëpisë së Bardhë, por nuk duhet të ftohet për një vizitë zyrtare pasi kjo të krijonte një situatë të sikletshme për Madhërinë e saj, Mbretëreshën’.

Kryeministrja britanike Theresa May lajmëroi vizitën gjatë udhëtimit të saj të fundit në SHBA.

30 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)

‘Adresat’, Rama: Shembulli më i qartë i prapambetjes së shtetit

$
0
0

Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij në një aktivitet për procesin e regjistrimit të popullsisë tha se mungesa e adresave të sakta në Shqipëri është shembulli më i qartë i prapambetjes së shtetit tonë, si i vetmi vend në Europë që nuk ka asnjë të dhënë të besueshme se sa njerëz jetojnë brenda dhe sa jashtë vendit tonë.

“Nuk ka një shembull më kuptim plotë për prapambetjen e thellë të Shqipërisë për prapambetjen  e shtetit, se jemi vendi i fundit në Europë që sot nuk ka asnjë të dhënë të saktë e të besueshme se sa njerëz jetojnë brenda, jashtë dhe se ku jetojnë njerëzit që banojnë në territorin tonë.

Sipas të dhënave të regjistrit aktual, në vend jetojnë 4,4 mln banorë, por e vërteta është që jo vetëm ne nuk jemi familjarizuar me këtë shifër, por vazhdojmë të flasim për 3 mln, po edhe kur vjen puna për ta lidhur këtë me vendbanimin e secilit bëhet më e vështirë. Tek adresat ndahen shtetet funksionale nga vendet pa shtet. Si mund të funksionojë në shërbim të barabartë një shtet që nuk ka një regjistër serioz adresash dhe Shqipëria sot është një vend ku flukset migratore të shqiptarëve nga vendi ynë jashtë tij dhe ato të brendshme janë të barazvlefshme, pra aq sa kanë lëvizur në vende të tjera kanë lëvizur brenda për brenda”, tha Rama.

Kryeministri tha se sistemi i saktë i adresave ka qenë një nga prioritet e qeverisë së tij që ditën e parë të ardhjes në pushtetet. Sipas Ramës, sot jemi në finalizimin 6 mujor të një procesi të nisur që ditën e parë në përputhje me ekspertizën më të mirë vendase dhe ndërkombëtare.

Ndërsa ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri theksoi se në procesin e regjistrimit të popullsisë, nëse do të jetë e nevojshme, do të përfshihet edhe policia.

“Na duhen të dhëna të plota për çdo qytetar që jeton në Shqipëri, që t’u shërbejmë me transparencë dhe në kohë. Do të nisin intervistat derë më derë. Nuk do të pranojmë mungesë përgjigjeje nga qytetarët. Nëse refuzon qytetari, në proces përfshihet policia”, deklaroi Tahiri.

30 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)

Viewing all 12748 articles
Browse latest View live


<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>