Ndalohet Haser Duraku, policia: Prej një muaji kreu marrëdhënie seksuale me dy 15-vjeçarë, kundër dëshirës së tyre
Neni 101 – Kryerja e marrëdhënieve seksuale ose homoseksuale, me dhunë, me fëmijë të mitur në moshën katërmbëdhjetë gjer në tetëmbëdhjetë vjeç dhe që ka arritur pjekurinë seksuale, dënohet me burgim nga pesë gjer në pesëmbëdhjetë vjet…
Neni 103 – Kryerja e marrëdhënieve seksuale ose homoseksuale, duke përfituar nga pazotësia fizike ose mendore e personit të dëmtuar ose, nga vendosja në gjendje të pandërgjegjshme, dënohet me burgim nga pesë gjer në dhjetë vjet…
Një 76-vjeçar u arrestua pasditen e së shtunës në Tiranë, pasi akuzohet se ka abuzuar seksualisht me dy 15-vjeçarë. Policia tha se ka ndaluar Haser Durakun në flagrancë, teksa po abuzonte seksualisht me njërin prej të miturve. Mësohet se kanë qenë të afërmit e 15-vjeçarëve ata që kanë denoncuar rastin në polici, teksa disa agjentë kanë shkuar në vendbanimin e të moshuarit, duke e arrestuar. Ndaj Durakut rëndojnë dy akuza, ajo e marrëdhënieve seksuale ose homoseksuale me dhunë me të mitur të moshës 14-18 vjeç dhe marrëdhënie me persona të pazotë për t’u mbrojtur. I moshuari rrezikon një dënim deri në 15 vite burg.
Ngjarja
Policia e Shtetit tha dje zyrtarisht se më datën 17 tetor, rreth orës 17:00 u arrestua në flagrancë 76-vjeçari Haser Duraku. “I moshuari dyshohet se ka kryer marrëdhënie homoseksuale kundër dëshirës së tyre me dy të mitur”, tha policia. Sipas tyre, pedofili ka arritur të abuzojë seksualisht me dy djemtë në moshë të mitur rregullisht për një muaj të tërë, derisa ka rënë në duart e policisë. Mësohet se të miturit e kishin të pamundur të kërkonin ndihmë, për shkak të nevojave të veçanta të tyre. “E.D, 15 vjeç dhe R.G, gjithashtu 15 vjeç, që të dy me banim në Tiranë, janë abuzuar sistematikisht deri në momentin kur policia arrestoi Hazer Durakun”, vijoi policia, teksa tha se i moshuari është shoqëruar në Komisariatin e Policisë nr.2 në Tiranë, ku dhe është marrë në pyetje. Ai nuk ka preferuar të flasë para agjentëve, ndërsa ajo që është vënë re është se askush prej familjarëve të tij nuk është interesuar për të moshuarin.
Hetimet
Policia ka nisur hetimet për rastin në fjalë, teksa ka marrë në pyetje, në prani të psikologëve edhe dy të miturit. Ata kanë treguar se prej një muaji ndodheshin “nën kthetrat” e 76-vjeçarit. Hetuesit kanë marrë edhe prova të tjera, teksa po presin edhe përgjigjet nga mjekësia ligjore. Policia po verifikon edhe të kaluarën e 76-vjeçarit, ndërsa mësohet se ai është me origjinë nga Kukësi, nga zona e Shishtavecit. Ai është babai i tre fëmijëve, ndërsa për një periudhë ka jetuar në Krujë. Prej kohësh, i moshuari jetonte së bashku me familjen në rrugën “Tre vëllezërit Kondi”. Policia thotë se do të shtrijë hetimet edhe për ndonjë rast tjetër të mundshëm, teksa i bën thirrje cilindo që ka informacione për 76-vjeçarin të paraqitet në polici.
Ky shkrim Arrestohet 76-vjeçari, përdhunon dy të mitur u publikua me pare te Gazeta SHQIP Online.