Gjykata Speciale – “Gjykatë speciale ndërtohet ose nëse je i përfshirë në një konflikt luftarak, që Shqipëria nuk ka qenë e përfshirë në një luftë, as rajonale as civile dhe kështu me radhë, por ne kemi probleme, ose këto gjykata mund të ngrihen për të hetuar dhe gjykuar krimet e organizuara”
Kushtetuesja – “Presidenti? Dakord, sot e kemi një President të mirë, sa për t’i bërë pak qejfin vetes. Po nesër? Pra, filtri i fundit i parashikuar nga sistemi ynë i dhënies së garancisë së një akti nuk është Presidenti, Parlamenti apo qeveria. Është Gjykata Kushtetuese”
KLD-ja – “Absolutisht po. Mund të mos jetë fare Presidenti. Personalisht mendoj që mund të mos jetë, por është parashikuar në amendamentet kushtetuese që të vijë një njeri i zgjedhur politikisht”, deklaroi Nishani sa i përket debatit të hapur se në krye të KLD-së të mos jetë kreu i shtetit
Konsultat – Unë ju them me sinqeritet që nuk jam ndier mirë që në gjithë këtë proces debati, konsultash, nuk është organizuar një dëgjesë apo konsultë jo njëorëshe, jo njëditëshe, po disaditëshe në Fakultetin Juridik në Universitetin e Tiranës
Presidenti
Kreu i shtetit mban leksion në Fakultetin e Drejtësisë mbi reformën në drejtësi
ARTEMISA HOXHA
Për kreun e shtetit, ndryshimet në Kushtetutë duhet të bëhen me referendum dhe se nuk mund të shmanget filtri nga Gjykata Kushtetuese. Në vazhdën e qëndrimit të tij për reformën në drejtësi, Presidenti i vendit, vetëm dy ditë pas letrës së bërë publike drejtuar edhe institucionit të Kuvendit, shprehet se ligji themeltar i shtetit duhet që të marrë edhe dakordësinë e popullit për njëherësh edhe sipas tij ky referendum nuk duhet të përdoret nga politika në vend. “Për disa ndryshime kushtetuese mund të shkohet në referendum, por e rëndësishme është që referendumi të mos kthehet në debat politik. Vendimi për referendum të merret me konsensus!”, tha dje Nishani. Kreu i shtetit e konsideroi të papranueshëm kufizimin kushtetues që është propozuar, që çdo ndryshim i ligjit themeltar të shtetit nuk mund të çohet për interpretim në Gjykatën Kushtetuese. “Edhe këtu jam i bindur se çdo jurist që e dëgjon mendon që kush është garancia e një akti. Presidenti? Dakord, sot e kemi një President të mirë, sa për t’i bërë pak qejfin vetes. Po nesër? Pra, filtri i fundit i parashikuar nga sistemi ynë i dhënies së garancisë së një akti nuk është Presidenti, Parlamenti apo qeveria. Është Gjykata Kushtetuese”, tha Nishani. Përpara studentëve që studiojnë për drejtësi, kreu i shtetit tha se reforma në drejtësi është e rëndësishme për integrimin e vendit në BE, duke theksuar se “duhet të fokusohemi tek e ardhmja”. “T’u adresohesh studentëve është privilegj i veçantë. Shqipëria është një vend me të shkuar jo bujare. Unë jam partizan i idesë se duhet të orientohemi nga e ardhmja, sepse e ardhmja e vendit tonë është me potenciale të mëdha”, u shpreh Nishani. Kjo sipas tij realizohet vetëm pas një procesi transparent, si dhe gjithëpërfshirës, kërkesa këto të bëra në drejtim të komisionit të posaçëm parlamentar, i cili është ngritur në kuadër të një prej reformave më të rëndësishme në vend, realizimi i së cilës do t’i hapte rrugën vendit drejt familjes europiane. “Duhet transparencë përmes një procesi krahasimor. Unë kam kundërshtuar shmangien e Gjykatës Kushtetuese”, deklaroi Nishani. Ajo që Presidenti nuk kundërshton është parashikimi ligjor që kreu i shtetit të mos jetë më edhe kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, por edhe këtu e ka një rezervë për alternativën e propozuar. “Absolutisht po. Mund të mos jetë fare Presidenti. Personalisht mendoj që mund të mos jetë, por është parashikuar në amendamentet kushtetuese që të vijë një njeri i zgjedhur politikisht”, nënvizoi Nishani.
Gjykatat Speciale
Gjatë fjalës së tij, Nishani u ndal edhe në një element të kësaj reforme, pikërisht atë të ngritjes së gjykatave speciale, për të cilat nuk u shpreh dakord me ndalimin kushtetues të krijimit të këtyre gjykatave. “Parashikohet, me amendamentet përkatëse, të ndalohet me Kushtetutë, krijimi i gjykatave speciale! Sot, ne e kemi një gjykatë dhe një prokurori speciale që është Gjykata dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda, është jo e zakonshme janë speciale, të cilat u ndërtuan për shkak të problemeve që kishte Shqipëria para disa vitesh me krimin e organizuar. Tashmë u është bashkangjitur me të drejtë dhe çështjeve të korrupsionit në nivelet e larta politike, të gjyqtarëve të korruptuar dhe prokurorëve të korruptuar me plot të drejtë. Dhe gjykatë speciale ndërtohet, ose nëse je i përfshirë në një konflikt luftarak, që Shqipëria nuk ka qenë e përfshirë në një luftë, as rajonale, as civile dhe kështu me radhë, por ne kemi probleme ose këto gjykata mund të ngrihen për të hetuar dhe gjykuar krimet e organizuara, i cili nëse neglizhohet për t’u goditur në mënyrë frekuente, shumë shpejt kalon dhe merr profilin e mafies. Nëse krimi i organizuar nuk goditet dhe ndërhyn në politikë, nëse krimi i organizuar ndërhyn në ekonomi, posaçërisht qoftë në paratë publike, qoftë në sektorin privat”, tha kreu i shtetit. Ai tha se nevoja për to do të lindë për krimin e organizuar, kjo duke përfshirë këtu nivelin e politikanëve apo dhe zyrtarëve të lartë të shtetit. “Kemi problem pa diskutim të nivelit profesional të gjyqtarëve, por kemi bërë një hap të rëndësishëm, i cili kërkon medoemos mbajtjen në nivel të lartë seriozitetit siç është futja e Shkollës së Magjistraturës dhe që na fillimi i futjes së magjistratëve në sistemin gjyqësor, ju garantoj që ka sjellë një përparim të dukshëm në cilësi! Që nga momente e solemnitetit të gjitha inspektimet dhe verifikimet tregojnë që magjistratët e nisin dhe e vlerësojnë në mënyrë maksimale pjesën e solemnitetit të një procesi ligjor, deri tek administrimi i një dosje gjyqësore dhe deri te ndërtimi dhe vendimi i zbardhjes që japin dhe te përgjegjësia që kanë ndaj ndjekjes së procesit, të rrugës së dosjes. Po kështu edhe magjistratët që janë të përfshirë në sistemin e prokurorisë”, tha Nishani.
Nishani, darkë me ambasadorin Lu
Reforma në drejtësi mësohet se ka qenë fokusi i takimit mes kreut të shtetit, Bujar Nishani, si dhe ambasadorit Donald Lu. Pas letrës drejtuar institucionit të Kuvendit në lidhje me veprimtarinë e Komisionit të Posaçëm Parlamentar, ku kritikonte sipas tij, përjashtimin e kreut të shtetit nga diskutimi për reformën në Drejtësi, Nishani është ndalur në një darkë me diplomatin amerikan. Edhe pse nuk ka asnjë njoftim zyrtar nga ana e dy institucioneve mësohet se qëndrimi i Nishanit ka qenë dhe fokusi kryesor i këtij takimi. Ndërkohë që dy ditë më parë, po për këtë çështje ambasadori amerikan është takuar edhe me kreun e opozitës, Lulzim Basha, i cili ka shprehur çdo shqetësim në lidhje me ecurinë e kësaj reforme.
Ky shkrim Nishani: Disa ndryshime në Kushtetutë, duhen me referendum u publikua me pare te Gazeta SHQIP Online.