Pagesa me këste
Tani me këste edhe faturat e bashkive dhe institucioneve
Zamir Alushi
OSHEE prezanton skemën e re të pagesës me këste dhe rastet kur ulet kamatëvonesa. “Pas analizave të kryera, Këshilli Mbikëqyrës i kompanisë ka miratuar disa paketa lehtësuese për konsumatorët, familjarë dhe biznese debitore, jo vetëm në pagesën me këste të detyrimit, por edhe mundësinë e uljes së masës së kamatëvonesës”, deklaroi dje administratori i OSHEE-së, Adrian Çela, gjatë prezantimit. Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, tha Çela, konstaton se ecuria e pagesave të faturave të energjisë po vijon me trend pozitiv drejt rritjes. Pasi ka falënderuar konsumatorët për besimin dhe bashkëpunimin, Çela shtoi se “OSHEE-ja gjithnjë e më tepër do të jetë e fokusuar në kryerjen e investimeve aq të nevojshme, përmirësimin e cilësisë së furnizimit, sjelljen ndaj klientëve dhe padyshim ofrimin e skemave sa më të mira për konsumatorët debitorë, me synim që edhe ata t’i bashkohen ligjshmërisë në konsumin e energjisë elektrike”.
Kategoria familjar
Skema e re parashikon ndarje të kësteve në mënyrë të barabartë, në varësi të shumave. Në rast se familjari e paguan të gjithë detyrimin njëherësh, i ulet kamatëvonesa me 70%. Dhe në rast se abonenti do të paraqitet brenda gjashtë muajve nga firmosja e aktmarrëveshjes për të paguar detyrimin atëherë do të përfitojë 50% të reduktimit të kamatës në datën e mbylljes së detyrimit. Dokumentet që kërkohen nga klienti janë karta e identitetit ose i autorizuari prej tij. Në rastet e autorizimeve kërkohen karta ID e të dyja palëve së bashku me autorizimin me shkrim të noterizuar. Në zyrën e klientit kërkohet edhe kopje e librezës ose e faturës së fundit. Në rastet kur mbajtësi i kontratës në sistem nuk është i njëjtë me personin që është zyrtarisht në kontratë, atëherë kërkohet dhe dokumenti i pronësisë së banesës në një nga format ligjore të tyre që janë parashikuar në procedura.
Kategoria privat
Për klientët e lidhur në tension të ulët (TU) ofrohet pagesë me këste sipas masës së detyrimit. Produktet për bizneset e lidhur në tension të mesëm (TM) mbeten të pandryshuara deri në afatin e përcaktuar me ligj. Domethënë afati maksimal i ripagesës bazuar në detyrimin ligjor për dalje nga rrjeti i OSHEE, 20 kv deri në fund të vitit 2016 dhe 10/6 kv deri në fund të vitit 2017. Për herë të parë, biznesit (kategoritë TU dhe TM) i jepet mundësia t’u reduktohet me 50% kamatëvonesa, nëse paguan të gjithë detyrimin njëherësh. Dokumentacioni që kërkohet me këtë rast është kopje web e QKR-së të shoqërisë ose personit fizik, si dhe identifikimi i administratorit të shoqërisë ose personit fizik. Për shpk dhe sha, kërkohet autorizimi nga organet drejtuese të kompanisë për lidhjen e aktmarrëveshjes. Po ashtu, duhet identifikim i të autorizuarit, nëse ka të tillë.
Kategoria buxhetor dhe jobuxhetor
Për bashkitë, afatet e ripagesës nuk e kalojnë datën 30 prill 2019. Për institucionet e qeverisjes qendrore dhe shoqëritë me kapital shtetëror, afatet e ripagesës janë sipas vlerës së detyrimit. Në rast ripagese të detyrimit total nga të gjitha kategoritë ofrohet reduktim i kamatës në masën 50%. Për lidhjen e aktmarrëveshjes këto kategori duhet të drejtohen në Drejtorinë Qendrore të OSHEE-së në Tiranë pranë sektorit të mbledhjes së debisë të buxhetorëve, jobuxhetorëve, në departamentin e shitjes dhe arkëtimeve. “Tjetër avantazh në skemat e mësipërme është fakti se mund të lidhin aktmarrëveshje të gjithë kategoritë që kanë debi të krijuara ndaj OSHEE-së deri më 31 korrik, deklaroi Çela. Theksojmë se oferta e reduktimit të kamatës për të gjitha kategoritë është e vlefshme deri më 31 dhjetor 2015!” OSHEE-ja do të vijojë të mbështesë konsumatorët debitorë duke u ofruar lehtësi, theksi Çela. “Me besimin e krijuar këta muaj, shoqëria po i përkthen të mirat e gjeneruara nga pagesat e faturave me investime dhe me shërbim cilësor të klientit”, përfundoi administratori i OSHEE-së.
FAMILJET
Deri në: 100 mijë lekë 12 muaj / këste
- 200 mijë lekë 24 muaj
- 300 mijë lekë 36 muaj
- 400 mijë lekë 48 muaj
- 500 mijë lekë 60 muaj
- 600 mijë lekë 72 muaj
- 900 mijë lekë 84 muaj
- 1 milion lekë 96 muaj
- 1.5 milionë lekë 108 muaj
- 2 milionë lekë 120 muaj
- 2.5 milionë lekë 132 muaj
- 3 milionë lekë 144 muaj
- 3.5 milionë lekë 156 muaj
- mbi 3.5 milionë lekë 168 muaj
PRIVATI
Deri në: 200 mijë lekë 12 muaj / këste
- 500 mijë lekë 12 muaj
- 1 milion lekë 24 muaj
- 1.5 milionë lekë 36 muaj
- 2 milionë lekë 48 muaj
- 3 milionë lekë 60 muaj
BUXHETOR dhe JOBUXHETOR
Deri në: 200 mijë lekë 12 muaj / këste
- 500 mijë lekë 12 muaj
- 1 milion lekë 24 muaj
- 1.5 milionë lekë 36 muaj
- 2 milionë lekë 48 muaj
- 3 milionë lekë 60 muaj
Ky shkrim Skema e re e OSHEE-së për familjarët dhe bizneset, ulje për kamatëvonesën u publikua me pare te Gazeta SHQIP Online.