“Rama vendos për performancën e ministrave. Përçarje? Thashethemnajë e opozitës”
ARTEMISA HOXHA
Ndryshimet në qeveri nuk duhet të realizohen nën presionin e askujt, e aq më pak nga ato të opozitës. I këtij mendimi është deputetja e PS-së, kryetarja e Forumit të Gruas Socialiste, Olta Xhaçka, e cila në intervistën dhënë për gazetën “Shqip” thekson se ndryshimet në qeveri janë një kompetencë e Kryeministrit Edi Rama, i cili bën vlerësimin apo performancën e çdo ministri. “Në këtë kuptim, është ai gjyqtari më i mirë për të vlerësuar ecurinë, shpejtësinë, dhe performancën e skuadrës me të cilën punon çdo ditë. Por për një gjë jam e sigurt. Mendoj se në asnjë rast Kryeministri nuk duhet të bëjë ndryshime nën presionin e askujt, aq me pak të opozitës”, thotë socialistja. Ndërsa thekson se koalicioni PS-LSI funksionon më së miri.
Zonja Xhaçka, pak ditë më parë, Partia Socialiste mblodhi një prej strukturave të rëndësishme, siç është ai i Forumit të Grave Socialiste, ku një ndër vendimet e marra ishte dhe ai për përfaqësimin 50% femra dhe 50% meshkuj për delegatët. Sa do të jetë e mundur kjo dhe si ka menduar PS-ja që ta realizojë këtë barazi gjinore në parti?
Është shumë e mundur, sepse provat i kemi dhënë në vendime shumë më të vështira, të drejta e të domosdoshme, por të vështira për pasojë të kompromiseve që duheshin bërë me të gjithë aktorët. E kam fjalën për 30% të grave në listat e deputetëve (Partia Socialiste ka sot dyfishin e grave të opozitës të ulura në Parlament). Po ashtu, 50% e anëtarëve janë gra dhe vajza në këshillat bashkiakë që është po ashtu një risi historike për gratë, por edhe për komunitetet që ato u shërbejnë. Në këtë kuptim, unë dua të ndalem jo dhe aq në faktin nëse do të bëhet apo jo, se jemi përballë faktit të kryer, por te rëndësia historike që sjell ky ndryshim për gratë në Partinë Socialiste. Gratë janë të parat për të marrë përsipër përgjegjësi, bëjnë shumë punë e janë të fundit në pretendime. Janë më të ndershme, më pak të korruptueshme etj. Përmes këtij ndryshimi, gratë do e sjellin këtë frymë edhe në drejtimin e Partisë Socialiste. Them historike, se për herë të parë në Partinë Socialiste nuk do të jenë burrat ata që do të vendosin për gratë. Sigurisht, të gjitha delegatet do të duhet ta ushtrojnë këtë përgjegjësi me integritet të plotë për të përfaqësuar të gjitha gratw. Nga kjo përfitojnë gratë, Partia Socialiste dhe e gjithë shoqëria.
Aktualisht, brenda partisë më të madhe në vend janë duke u zhvilluar zgjedhjet për kryetarët e organizatave, mbi çfarë kriteresh do të bëhet përzgjedhja e kandidatëve për të drejtuar Organizatat Socialsite për të kaluar më pas dhe në një tjetër proces, siç është ai i krerëve të 61 degëve të PS-së, ku dhe vëmendja është më e madhe për ristrukturimin e partisë?
Përpara se të kalojmë në zgjedhje, ne po bëjmë hapjen e partisë. Duam të ndryshojmë rrënjësisht strukturën e organizatave dhe të Asambleve Socialiste. Synojmë të afrojmë në Partinë Socialiste më të mirët, nga studentët e ekselencës te sipërmarrësit, te qytetarët, të cilët nuk e shohin politikën si mundësinë për të gjetur një punë në shtet, por si forumin ku mund të kontribuohet për një parti më të mirë, rrjedhimisht edhe për një shoqëri më të mirë.
Si po funksionon koalicioni i majtë dhe a preken raportet mes partive në bashkëqeverisje nga përplasjet në bazë, ku dhe nga vijnë akuza për prishje të marrëveshjes për pushtetin vendor?
Koalicioni funksionon më së miri. Sigurisht që marrëdhënia është një gjë e gjallë. Të dyja partitë ndërveprojnë me shumë energji e me shumë njerëz. Në të përgjithshmen çdo gjë shkon mirë, ndërkohë në bazë e anëtarësi situata mund të jetë edhe dinamike dhe kjo është krejt normale për dy parti që janë aleate, por edhe në garë për të qenë më të mirët për atë elektorat që përfaqësojnë. Thashethemet në media pastaj janë tejet të ekzagjeruara për të mos thënë dashakeqe të një opozite pa alternativë, që synon përçarjen e koalicionit si e vetmja shpresë për të fituar kredo politike.
Ju nuk keni refuzuar të përgjigjeni thjesht dhe me një përgjigje të shkurtër për ndryshimet në qeveri. A mendoni se një rifreskim i qeverisë me impulse te reja, siç është shprehur aleati në bashkëqeverisje, do të sillte ndoshta një frymë tjetër brenda koalicionit?
Të gjithë mund të kemi mendimet tona, por ai që e di më mirë këtë gjë është padyshim Kryeministri. Ai ka zgjedhur këtë ekip e u ka vendosur edhe shumë objektiva, nga të cilat një pjesë janë realizuar, një pjesë në proces, e një pjesë që nuk janë ende publike. Në këtë kuptim, është ai gjyqtari më i mirë për të vlerësuar ecurinë, shpejtësinë dhe performancën e skuadrës, me të cilën punon çdo ditë. Por për një gjë jam e sigurt. Mendoj se në asnjë rast Kryeministri nuk duhet të bëjë ndryshime nën presionin e askujt, aq më pak të opozitës.
Ky shkrim Xhaçka: Ndryshimet në qeveri, në asnjë rast nën presionin e askujt u publikua me pare te Gazeta SHQIP Online.