Deputeti i PD-së, shkresë zyrtare në Kuvend. Frroku ftohet për “mbrojtje”
Ristani – Çdo vonesë e mëtejshme në trajtimin e kësaj çështjeje, do ta vendoste Kuvendin e Shqipërisë në kushte antikushtetutshmërie në sjelljen dhe veprimtarinë e tij
Këshilli – Këshilli për Rregulloren e Mandatet do të mblidhet të martën, ndërsa mësohet se është kërkuar që në këtë mbledhje të jetë i pranishëm dhe vetë deputeti Frroku
ARTEMISA HOXHA
Mandati i deputetit të PKD-së, Mark Frroku, është kthyer sërish në qendër të vëmendjes nga ana e opozitës, vlefshmëria e të cilit do të shqyrtohet në mbledhjen e ditës së martë të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin. Në emër të opozitës, sekretari i përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani, ka bërë thirrje për mbledhjen e këtij këshilli ku, sipas tij, mandati i deputetit në radhët e mazhorancës mund të konsiderohet i mbaruar, kjo për shkak të tejkalimit të periudhës së qëndrimit të deputetit jashtë Kuvendit. “Më datë 02.10.2015 është plotësuar afati 6-mujor i mungesës në Kuvend të deputetit të akuzuar për vrasje, Mark Frroku. Kuvendi duhet të kishte konstatuar mbarimin e mandatit të tij më datë 02.10.2015, por deri më sot asnjë veprim në këtë drejtim nuk është ndërmarrë nga mazhoranca parlamentare. Kjo sjellje e mazhorancës parlamentare bie ndesh me shkronjën “d”, të pikës 2 të nenit 71 të Kushtetutës, ku specifikohet se mandati i deputetit mbaron kur ai mungon pa arsye mbi 6 muaj rresht në Kuvend. Kërkoj thirrjen e menjëhershme të Këshillit, për të konstatuar mbarimin e mandatit të deputetëve Arben Ndoka dhe Mark Frroku. Çdo vonesë e mëtejshme në trajtimin e kësaj çështjeje, do ta vendoste Kuvendin e Shqipërisë në kushte antikushtetutshmërie në sjelljen dhe veprimtarinë e tij”, thekson Ristani në një letër drejtuar kreut të Kuvendit. Vetë Frroku është njoftuar në burg nga sekretarja e përgjithshme e Kuvendit, që në datën 20 tetor të paraqitet vetë ose të përfaqësohet nga avokatët e tij. Në cilësinë e anëtarit të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, demokrati në kuadër të dekriminalizimit ka risjellë në vëmendje edhe mandatin e deputetit Arben Ndoka, i cili ka dhënë dorëheqjen si deputet i grupit të majtë parlamentar, por ende nuk ka firmosur kërkesën e tij, që si rregull duhet t’i depozitohet komisionit të mandateve. “Dorëheqja e deputetit të dënuar, Arben Ndoka, u përshëndet nga partnerët tanë ndërkombëtarë, si akt i cili i shërben dekriminalizimit të politikës. Mirëpo, pavarësisht se po mbushen dy muaj nga momenti i heqjes dorë prej mandatit të deputetit, ende sot grupi parlamentar i Partisë Socialiste, apo Kuvendi i Shqipërisë, nuk kanë ndërmarrë asnjë masë për ndjekjen e këtij rasti dhe vijimin e procedurës së zëvendësimit të tij. Sot, edhe pse i dorëhequr, Arben Ndoka, i dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për favorizim prostitucioni dhe rrëmbim personi, vijon ende të jetë deputet. Ky fakt bie ndesh me shkronjën “b”, të pikës 2 të nenit 71 të Kushtetutës, ku specifikohet se mandati i deputetit mbaron kur ai heq dorë nga mandati”, tha sekretari i përgjithshëm i PD-së. Në seancën plenare, Kryeministri Rama refuzoi t’i japë shpjegime ish-kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, përse mandati i Arben Ndokës është ende efektiv, duke mashtruar shqiptarët dhe partnerët ndërkombëtarë.
Ky shkrim Mandati i Frrokut, të martën në këshill, Ristani: Të shqyrtohet dhe ai i Ndokës u publikua me pare te Gazeta SHQIP Online.