Dy krerët e grupeve parlamentare të mazhorancës dhe opozitës, janë përplasur me njëri-tjetrin në seancën e sotme plenare në Kuvend.
Replikat mes Gramoz Ruçit dhe Edi Palokës, kanë ardhur pas vendimit të Konferencës së Kryetarëve, e cila nuk pranoi kërkesën e PD-së për futjen në kalendarin 3-javor të punimeve për hetimin ndërkombëtar për çështjen “CEZ”.
“Është seanca e tretë parlamentare që ndalet në të njëjtën çështje që ka marrë përgjigje institucionale. Opozita vazhdon që të kërkojë përsëri në kundërshtim me rregulloren. Kjo çështje u diskutua në konferncën e kryetarëve, kjo çështje është në rend ditë në fund të seancës dhe çështjen e fundit e kërkoni të parën, – tha Ruçi. – Bëni sikur kërkoni, por nuk dini se çfarë kërkoni. Ngrihet drejtuesi i grupit parlamentar dhe thotë pse nuk është futur në program, pastaj ngrihet ish-kryetarja e Kuvendit dhe thotë pse nuk është futur në kalendar. Ju nuk dini se çfarë kërkoni jeni të çorganizuar dhe nuk dini cfarë kërkoni.
Ndërsa deputeti demokrat, ka reaguar, duke marrë menjëherë fjalën: “Kjo çështje është e madhe dhe do bëhet edhe më e madhe sa këta nuk do ta mbulojnë dot sado i gjatë të jetë Rama edhe pse bëri marrëveshje me Metën, nuk e mbyllin dot këtë çështje, vetëm do i shtojnë zullumin vetes dhe përgjegjësinë. Po dje një institucion i rëndësishme si KLSH bëri dhe denoncimin e tij. Nuk dinë cilin vend të botës të akuzohet një ministër dhe e vetmja një deklaratë banale, e ka fajin Saliu. Të akuzohesh për 500 mln euro dhe të thuash fajin e ka opozita, – Megjithatë përgjegjës janë Edi Rama dhe Ilir Meta. Edhe sikur të kërkonim hetimin e Ramës nuk ka gjë të keqe se në opozitë jemi. Publiku mund të gjykojë kush e ka kërkuar hetimin. Ne nuk po kërkojmë komision hetimor në parlament. Po kërkojmë ti hapet rrugë një hetimi ndërkombëtar, sepse çështja është e madhe sesa drejtësia këtu”, – tha Paloka.
Gjiknuri, opozitës: Borxhin e shkaktuat ju
Më pas e ka marrë fjalë Ministri i Energjisë, Damian Gjiknuri, i cili deklaroi nga Kuvendi se raporti i KLSH-së është “një fletërrufe politike dhe nuk ka asnjë element bazë të ekzistencës së kallzimit penal”.
“Besoj se ka qenë e koordinuar për të shmangur përgjegjësitë që keni ju nga mënyra si e keqmenaxhuat, – shtoi Gjiknuri. – Sektori i shpërndarjes do 20-30 milionë euro minimalisht në vit. Me konfliktin që ju e latë hapur, ku do i gjente operatori paratë?! Si do e linim ne vendin në krizë, për atë zjarrin që i vutë shtëpisë, e thoni mos e fikni? Kush është zgjidhja juaj?! Apo kënaqeni e i thoni atij, meqë ne bëmë atë m… e madhe, kur i thonë, ju që po e pastroni mbani erë”.
Sipas ministrit, “borxhin që do të na a faturojë KLSH-ja ne, e keni shkaktuar ju dhe këto duhet të hetohen. Ne bëmë marrëveshje të bazuar në ligj të ratifikuar dhe miratuam në parlament me vendim qeverie dhe mandat popullor për të zgjidhur këtë problem dhe me mbështetjen e institucioneve ndërkombëtare siguruam 200 milionë dollarë investime sot që flasim”.
15 tetor 2015 (gazeta-Shqip.com)
Ky shkrim Hetimet për CEZ-in, Ruçi-Paloka replika në Kuvend. Gjiknuri: Borxhin e shkaktuat ju u publikua me pare te Gazeta SHQIP Online.