



“Terroristi” – 35-vjeçari nuk pranon akuzat e ngritura nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për terrorin e 10 shkurtit. I gjendet një pistoletë e larë me flori, me inicialet e tij
Pistoleta – Gjutës iu gjet një pistoletë tip “Glock” e personalizuar me inicialet e tij dhe e larë në flori, armë kjo e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale
Akuzat – 35-vjeçari nga Kukësi akuzohet për krijim të organizatës kriminale për qëllime terroriste, ndërsa së fundmi do të akuzohet edhe për armëmbajtje pa leje
Sokol Çobo
Vladimir Gjuta, i akuzuar për veprime për qëllime terroriste, në lidhje me disa shpërthime tritoli apo vendosje e lëndëve plasëse në kryeqytet më 10 shkurt të këtij viti, nuk ka pranuar akuzat e ngritura nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Një ditë pasi u arrestua gjatë një operacioni të RENEA-s në hyrje të tunelit të Kalimashit, në përpjekje për të shkuar në Kukës, 35-vjeçari është marrë në pyetje nga drejtuesit e Policisë së Shtetit dhe prokurorët e çështjes. Burime nga policia pohojnë se ai ka mohuar përgjegjësinë për ngjarjet në fjalë, ndërsa u ka bërë me dije krerëve të policisë së do të dorëzohej pas zgjedhjeve. Në lidhje me listën e emrave që iu gjet në xhep kur po shkonte në Kukës, Gjuta tha se nuk e duron dot faktin e shitblerjes së votave në vendlindje, megjithëse nuk pranoi se do të shkonte për të kërcënuar ndonjë person.
Dëshmia e “terroristit”
Tre titullarët e Policisë së Shtetit, drejtori dhe dy zëvendësit e tij, kanë shkuar në Policinë e Tiranës për të marrë në pyetje “terroristin” që sulmoi Tiranën më 10 shkurt. Dy shpërthime ndodhën në kryeqytet në atë kohë, një në farmacinë e babait të ministrit Tahiri dhe tjetri disa metra larg. Ndërkohë, një pako bombë ishte lënë në afërsi të shkollës “Vasil Shanto”, në vendin ku zakonisht parkonte mjetin babai i ministrit të Brendshëm. Policia tha se një bombë ishte gjetur edhe në afërsi të shkollës së mesme “Petro Nini Luarasi”, ku kishte rreth 500 gramë tritol dhe rreth 1 kilogramë gozhdë e saçme. Nëse do të shpërthente, metalet do të shpërndaheshin në një rreze të gjerë dhe mund të dëmtoheshin qindra persona, pasi zona është mjaft e populluar. Çështja u hetua nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila doli në konkluzionin se atentatorët kanë qenë pjesëtarë të familjes Gjuta. Vladimiri, u cilësua organizatori dhe në atë kohë ai mundi t’u shpëtonte operacioneve për kapjen e tij. Që nga ajo kohë e deri dy ditë më parë, 35-vjeçari kishte qëndruar në Tiranë, në zona të ndryshme, me disa lëvizje sporadike, ku në njërën prej tyre, në tentativë për të shkuar në Kukës, u zu në “kurth” nga policia. Ai njihej si person problematik dhe për shkak të rrezikshmërisë, u angazhua RENEA, apo edhe forca operacionale.
Pas transportimit në Policinë e Tiranës, Gjuta u mor në pyetje nga grupi hetimor i Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Pyetje se përse i shmangej policisë, ai u përgjigj se “Do të dorëzohesha pas zgjedhjeve”. Për pesë muajt në arrati, ai tha se ka ndryshuar disa vendqëndrime në Tiranë, ndërsa ka mbajtur kontakte vetëm me një grup personash të ngushtë. Madje, gjatë arrestimit, ai mbante edhe një paruke, për të ndryshuar fizionominë pas ngjarjeve të 10 shkurtit, kur policia publikoi edhe fotot e tij, me kokën e qeshur. Burime nga Policia e Shtetit pohojnë se kuksiani 35-vjeçar nuk ka pranuar në asnjë moment akuzën kryesore që rëndon ndaj tij, vendosjen e tritolit në farmacinë e Bashkim Tahirit, babait të ministrit të Brendshëm më 10 shkurt të këtij viti. Po ashtu, ai ka mohuar edhe vendosjen e një sasie eksplozivi pranë vendit ku parkonte zakonisht makinën Bashkim Tahiri, por që fatmirësisht nuk shpërtheu.
Pistoleta e sekuestruar
Vladimir Gjuta u arrestua pasditen e së enjtes në hyrje të tunelit të Kalimashit, në një superoperacion ku u përfshi edhe Renea. Policia bllokoi të dyja hyrjet e tunelit dhe bllokoi dy makinat e grupit të tij. Bashkë me Gjutën në pranga ranë edhe dy persona të tjerë, 32-vjeçari nga Prizreni, Blerim Thaçi, dhe 26-vjeçari nga Kukësi, Indrit Ademi. Gjuta udhëtonte me një Opel ngjyrë gri me targa kosovare që drejtohej nga 32-vjeçari, ndërsa kuksiani Ademi drejtonte një Benz që dyshohet se shoqëronte Gjutën. Pikërisht në këtë makinë, policia gjeti një pistoletë me silenciator e fshehur në baterinë e automjetit. Burime të policisë bënë të ditura se, Gjutës iu gjet një pistoletë tip “Glock” e personalizuar me inicialet e tij dhe e larë në flori, armë kjo e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Armëmbajtja pa leje do të jetë një tjetër akuzë që do t’i shtohet atij, krahas asaj të krijimit të grupit kriminal për kryerjen e veprave për qëllime terroriste.
Parukja
(Lart) Vladimir Gjuta para ngjarjeve të 10 shkurtit
(Poshtë) Gjatë shoqërimit nga policia pas arrestimit në Kalimash
Kamuflazhi
Gjuta kishte dokumente kosovare dhe paruke
Policia ka tentuar të gjurmojë në pesë muajt e fundit Vladimir Gjutën, pas shpërthimeve të 10 shkurtit. Disa numra telefoni janë përgjuar, ndërsa disa bashkëpunëtorë të tij janë mbajtur në vëzhgim. Një informacion i mbërritur në mënyrë operative në polici tregonte lëvizjet e fundit të Gjutës, ndërsa policia u angazhua për ta kapur. Gjatë kontrollit personal, 35-vjeçarit nga Kukësit iu gjetën dokumente kosovare, madje në kokë mbante edhe një paruke, ndryshe nga imazhi i publikuar pas 10 shkurtit, ku ai ishte i qethur shumë shkurt. Fotografia e tij me paruke ishte stampuar në dokumentet e identifikimit false.
Ky shkrim Dëshmia e Gjutës: Nuk e kam sulmuar ministrin Tahiri, pas zgjedhjeve do të dorëzohesha u publikua me pare te Gazeta SHQIP Online.