Trajneri i kombëtares shqiptare të futbollit, Xhani de Biazi, ka marrë titullin ‘Honoris Causa’ nga Universiteti Europian i Tiranës për merita të jashtëzakonshme në hedhjen e themeleve të skuadrës kombëtare shqiptare, ndoshta më fituesja në historinë e futbollit shqiptar.
I pranishëm në ceremoninë e nderimit ka qenë edhe kryeministri Edi Rama, i cili e ka cilësuar De Biazin, “një kapiten që mori në dorë një skuadër dhe i mësoi të jetë e vërtetë”.
“Rezultatet e kombëtares kanë ardhur si pasojë e një filozofie të re të lojës. Trajneri ynë ia ka përcjellë edhe publikut ndryshimin e madh që i ka sjellë kombëtares”, ka thënë Rama.
Shefi i qeverisë ka vlerësuar se ndeshja e ardhshme me Serbinë është e rëndësishme për kualifikimin, por jo vetëm.
“Është e rëndësishme edhe për të bërë diferencën, për të treguar se jemi ndryshe. Për të treguar se dimë të respektojmë kundërshtarin dhe të pranojmë fitoren dhe humbjen”, ka deklaruar Rama.
3 tetor 2015 (gazeta-Shqip.com)
Ky shkrim Trajneri De Biazi nderohet me titullin “Honoris Causa” u publikua me pare te Gazeta SHQIP Online.