Gruaja e ish-administratorit të kompanisë DIA,Kastriot Ismailaj, i cili ndodhet në qeli dhe akuzohet për pastrim parash në lidhje me skandalin e CEZ-it, ka dëshmuar në Policinë e Tiranës për letrën e Spartak Brahos pak ditë më parë.
Vojsava Ismailaj, e shoqëruar nga avokati i të shoqit, Vladimir Meçe, ka shkuar në zyrat e policisë së kryeqytetit për të dhënë faktet e saj pas letrës së deputetit të LSI-së, i cili ka kërkuar të merret në mbrojtje familja Ismailaj, pasi sipas tij po ushtrohet presion, me qëllim që ish-administratori i DIA-s të dëshmojë kundër kreut të Kuvendit Meta në gjyqin për skandalin e CEZ-it.
Por pas daljes nga Policia e Tiranës, zonja Ismailaj nuk ka pranuar të flasë për mediet, duke shmangur kontaktin me gazetarët. Ajo ka qëndruar rreth një orë në zyrat e policisë. Avokati i saj Meçe ka thënë se ka detyruar bashkëshorten e Kastriot Ismailaj, por se nuk ka dijeni për momentin mbi dëshminë e saj për letrën “bombë” të kreut të Komisionit të Sigurisë Kombëtare.
Nga burimet mësohet se ajo ka thënë se, nuk është kërcënuar kurrë nga deputeti Tom Doshi dhe se nuk e njeh ish-ministrin Dritan Prifti. Ajo ka deklaruar gjithashtu se Doshin e kishte mik të familjes dhe se ka pasur kërcënime sporadike nga persona të panjohur në rrugë.
Dëshmia e saj vjen pas urdhrit të Prokurorisë për të pyetur edhe Spartak Brahon, Tom Doshin dhe Dritan Priftin, si të përfshirë në këtë skenar.
30 shtator 2015 (gazeta-Shqip.com)
Ky shkrim Letra e Brahos, gruaja e Ismailajt dëshmon në Policinë e Tiranës u publikua me pare te Gazeta SHQIP Online.