Kryeministri, Edi Rama në fjalën e mbajtur në Organizatën e Kombeve të Bashkuara ka theksuar edhe njëherë idenë se për të luftuar ekstremizmin duhet të përdoret forca ushtarake. Për këtë, sipas tij, duhet një strategji politike dhe ushtarake.
“Kërcënimi nga radikalizmi i ideologjive dhe veçanërisht ekstremizmi i dhunshëm xhihadist nuk do të mposhten lehtë. Duhet të përdoret forcë ushtarake, por në fund, për të mposhtur ideologjinë, ne duhet të fitojmë këtë betejë për mendjet dhe zemrat e brezave të ardhshëm, sepse është fuqia e ëndrrave të tyre që e bën ndryshimin një realitet të përditshëm. Dhe ne e pamë këtë në Ballkan, ku aspirata e brezave të rinj, refuzimi i tyre për t’u lidhur me çfarëdo qoftë mënyre klasike (tradicionale) të politikës ballkanike, imponuan dhe siguruan dialogun në vend të konfliktit, të kuptuarit në vend të luftës, të ardhmen në vend të së kaluarës. Duhet të ketë strategji politike dhe ushtarake.
Dhe ashtu sikurse ne në Ballkan na u desh të adresonim ankesat e njëri-tjetrit, po ashtu duhet të adresohen dhe ankesat në Irak dhe Siri. Kombinimi i forcës ushtarake ndërkombëtare dhe dialogut politik mund të ketë sukses në Lindjen e Mesme, ashtu sikurse ka pasur në rajonin tonë. Por mbi të gjitha u duhet bërë thirrje brezave të rinj në mbarë botën, që ata të shohin shpresë dhe jo gjak në horizont, në mënyrë që ata të shohin se ne e luftojmë ekstremizmin, duke e adresuar të ardhmen e tyre sikur terroristët të mos ekzistonin.
Ne kemi nevojë për koalicionin e ushtrive, por kemi nevojë edhe për koalicionin e ndjenjave dhe kemi nevojë që komunitetet të mos qortojnë besimet e të tjerëve për të besuar atë që ne besojmë vetë. Në fillim të vitit, në Paris, pamë sesi njerëzit e mbarë botës mund të mblidheshin së bashku, pavarësisht nëse ata ishin ose jo në solidaritet me pikëpamjet mbi botën të viktimave. Para se një sulm tjetër të tregojë përsëri të gjithë thellësinë e së keqes, le të mobilizohemi për të krijuar atë pengesë të pathyeshme të ndjenjës njerëzore me një statut global, një thirrje që shkon drejt e në zemrat të cilat, pavarësisht urrejtjes që ato mund të mbartin, në thellësitë e tyre ato janë në kërkim të një botë më të drejtë.
Ta shoqërojmë këtë statut masa që tregojnë angazhimin më të sinqertë për ta bërë botën një vend ku respektohen besimet dhe dallimet e të tjerëve; një botë më të barabartë dhe të qëndrueshme nga rrethinat e Bagës në ato të Parisit. Por le t’i bëjmë thirrje frymës globale, asaj e cila duhet të luftojë radikalizmin, duke i bërë ballë në të njëjtën kohë ndryshimeve klimatike, sepse asnjë shtet, asnjë ushtri mund t’i mposhtë këto i vetëm, dhe me siguri secili prej popujve, dhe aleancat tona ushtarake së bashku mund të munden prej tyre”, tha Kryeministri.
29 shtator 2015 (gazeta-Shqip.com)
Ky shkrim Ekstremizmi, Rama: Të përdoret forca ushtarake, por të mposhtet edhe ideologjia u publikua me pare te Gazeta SHQIP Online.