Kumbaro: Krim ndaj trashëgimisë. Bashkia: Ministria nuk na tha se ishte zonë e mbrojtur
Ilda Hoxha
Vila 11, e cila ndodhet në rrugën “Asim Vokshi” është shembur pjesërisht, ndonëse është pjesë e listës së Trashëgimisë Kulturore. Mësohet se shembja e objektit në fjalë është bërë mbrëmjen e datës 15 qershor. Denoncimi është bërë nga ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, e cila ka deklaruar se Bashkia e Tiranës ka dhënë leje ndërtimi në kundërshtim me ligjin, duke kryer një krim ndaj trashëgimisë kulturore. Nga ana e saj, bashkia është kundërpërgjigjur me anë të një deklarate për mediat ku thekson se në dokumentin e dërguar nga Ministria e Kulturës për dhënien e lejes së ndërtimit, vila nuk konsiderohet monument kulture. Pas kësaj deklarate të bashkisë, është kundërpërgjigjur Ministria e Kulturës, ku pohon se vërtetimi i marrë nga IMK daton në maj 2014 kur ende banesa s’e kishte statusin e objektit në mbrojtje dhe me vendim të KKR të datës 15 korrik 2014 ky objekt futet në listën e objekteve të vendosura në mbrojtje paraprake. Të dyja palët kanë paraqitur dokumentet ku vërtetojnë pretendimet e tyre. Për ministren e Kulturës, Kumbaro, ky është një krim ndaj trashëgimisë. “Nëse ky vendim mban datën 15 korrik 2014, leja zhvillimore mban datën 6 tetor 2014. Kjo leje është krejtësisht e paligjshme dhe nuk duhej të ishte dhënë pas këtij vendimi. Dhe, ashtu siç thotë populli ‘punët e liga bëhen natën’, ky objekt është prishur gjatë natës, në kundërshtim me ligjin. Ministria e Kulturës, Instituti i Monumenteve dhe Drejtoria Rajonale e Kulturës kanë reaguar menjëherë. Kemi çuar kallëzimin në polici, i kemi çuar shkresë edhe Bashkisë së Tiranës, si dhe kemi njoftuar Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, i cili dje (pardje) ka kryer aktin e pezullimit”, u shpreh ministrja Kumbaro. Gjithashtu, ajo u ka bërë thirrje organeve të drejtësisë që të ndjekin të gjitha procedurat ligjore për zbardhjen e çështjes. “U bëj thirrje edhe organeve të drejtësisë, përfshirë Prokurorinë, ta ndjekin këtë çështje. Gjithashtu, dua të përfitoj t’i bëj thirrje çdo subjekti, që në asnjë mënyrë të mos mendojnë se vëmendja e shtetit në këtë periudhë nuk është në lartësinë e duhur, dhe se çdo akt për t’i bërë karshillëk ligjit do të dënohet”, u shpreh Kumbaro. Mirëpo, pas denoncimit të ministres, Bashkia e Tiranës ka fajësuar Ministrinë e Kulturës për gjithë situatën e krijuar. Sipas tyre, vendimmarrja është në përputhje me të gjitha ligjet e vendit. “Bashkia Tiranë ka marrë në dorëzim kërkesën me nr. prot. 8771, datë 16.06.2014, për leje zhvillimore ndërtimi për ‘strukturën banimi dhe shërbime 4 dhe 6 kat me 2 kat parkim nëntokë’, në rrugën ‘Asim Zeneli’, në pronë të shoqërisë ‘ANA’sh.p.k, me zhvillues dhe subjekt ndërtues shoqërinë ‘ANA’ sh.p.k, së bashku me dokumentacionin tekniko-ligjor. Një nga dokumentet e administruara në dosjen ligjore ka qenë edhe shkresa me nr.prot. 722/1, datë 28.05.2014 nga Instituti i Monumenteve të Kulturës firmosur nga drejtoresha e përgjithshme, Arta Dollani, në të cilën citohet: ‘në pronën me nr. pasurie 2/128 nuk ndodhen objekte me status monument kulture, zonë historike dhe as sipërfaqe me status zonë arkeologjike ose zonë e mbrojtur”, thuhet në njoftimin zyrtar të bashkisë. Pas kësaj deklarate, Ministria e Kulturës ka reaguar duke shtuar se me urdhër të drejtoreshës së IMK, të datës 16.01.2015, me numër protokolli 70, rinovohet statusi i objektit në mbrojtje dhe ndalohet çdo ndërhyrje në objekt siç e përcakton dhe neni 25 i Ligjit për Trashëgiminë në të cilin thuhet: “Objekti me këtë status nuk mund të prishet ose t’i bëhen ndryshime, pa miratimin me shkrim të Institutit të Monumenteve të Kulturës”. Sipas tyre, kjo i është përcjellë edhe Bashkisë së Tiranës. Mësohet se Inspektorati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit ka bërë pezullimin e veprimeve të mëtejshme dhe ka njoftuar subjektin e ndërtimit për këtë masë.
Ky shkrim Shembet vila, pjesë e trashëgimisë kulturore u publikua me pare te Gazeta SHQIP Online.