Quantcast
Channel: Kryesoret – Gazeta SHQIP Online
Viewing all articles
Browse latest Browse all 12748

Puna e zezë: Anketa, 400 mijë punonjës të padeklaruar

$
0
0

punesimiNumri i të punësuarve është 1.1 milionë, kontribuuesit 650 mijë

Përkufizim – Të punësuar janë konsideruar personat që kanë kryer një punë qoftë dhe një orë kundrejt një page ose përfitimi gjatë javës së referencës.

Fermerët – Personat të cilët punojnë në fermën e tyre të vogël, të cilët prodhojnë vetëm për vetëkonsum, janë konsideruar të punësuar.

Anketa – Numri i të pyeturve për anketën e tremujorit të dytë 2015 është 6.184 familje. Pyetësori është hartuar me asistencën e EUROSTAT.

Jashtë tregut – Numri i personave (15-64 vjeç) jashtë tregut të punës dhe që nuk po kërkojnë punë (popullsia ekonomikisht joaktive) është 722.870.

Zamir Alushi

Numri i punonjësve të padeklaruar kap shifrën mbi 40 për qind të totalit. Kjo del nga krahasimi i shifrave të Anketës së Forcave të Punës të INSTAT për numrin e të punësuarve në tremujorin e dytë të vitit 2015, me statistikat e Institutit të Sigurimeve Shoqërore (ISSH) mbi kontribuuesit. Ndërkaq, papunësia shënon 17,3% duke u ulur me 0.4% krahasuar me periudhën përkatëse të vitit 2014.

Puna e zezë

Numri i të punësuarve të moshës 15-64 vjeç aktualisht është 1.048.908 persona, ndërsa kontribuuesit e skemës së detyrueshme të sigurimeve shoqërore janë 654 563 vetë. Ky numër ulet nëse heqim personat me ndihmën ekonomike dhe kategori të tjera që kontributet ua paguan shteti. Numri më i madh i punonjësve të padeklaruar rezulton të jetë te firmat private, sepse të vetëpunësuarit në qytet dhe në bujqësi kanë shifra të larta në totalin e kontribuuesve, gati baras me punonjësit që deklarojnë shoqëritë. Kështu, firmat private sipas ISSH-së deklarojnë 226 886 punonjës, me një rritje vjetore vetëm 25 mijë persona. Ndërsa të vetëpunësuarit në bujqësi dhe në qytet janë 213 896 me rritje vjetore 144 324 persona. Në këtë mënyrë vazhdon të rritet deficiti i skemës së sigurimeve shoqërore, që do të thotë më shumë para nga buxheti si subvencion për përfituesit e pensioneve. Në raportin e publikuar në fund të korrikut nga KLSH, theksohet se “Konstatuam se edhe për vitin 2014, raporti kontribuues-përfitues vazhdon të mbetet i përkeqësuar në nivelet 1 me 1.11 dhe larg treguesve të një skeme të shëndoshë sigurimesh, ndërsa deficiti i degës së pensioneve në fund të vitit 2014 rezulton 20,8 miliardë lekë”.

Punësimi sipas sektorëve 

Në terma vjetorë, punësimi për popullsinë 15 vjet e lart u rrit me 3,7% (krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2014). Rritje më të madhe vjetore në punësim patën sektorët: industri përpunuese me 15,7% ku ka ndikuar fort sipërmarrja e fasonit; ndërtim me 15,4%; shërbime jo të tregut me 5,4% dhe shërbime e tregut me 5,1%. Në terma vjetorë punësimi pësoi një rënie prej 7,8% në grup-aktivitetet industri nxjerrëse, energji, gaz dhe furnizimi me ujë dhe me 0,2% në aktivitetet bujqësore. Gjatë tremujorit të dytë 2015, pesha që zënë në punësimin total të punësuarit me pagë është 42,5%. Të vetëpunësuarit (punëdhënës ose të vetëpunësuar pa të punësuar të tjerë me pagë) përbëjnë 27,2 % të të punësuarve në tërësi, ndërsa punëtorët pa pagesë të familjes përbëjnë 30,2% të punësimit total. Gjatë tremujorit të dytë 2015, 40,5% e të punësuarve të moshës 15-64 vjeç janë të angazhuar në sektorin e bujqësisë dhe 22,9% e të punësuarve punojnë në sektorin e shërbimeve të tregut (tregtia me shumicë dhe pakicë; riparimi i automobilave; hotelet dhe restorantet; transportet, magazinimi dhe komunikacioni; ndërmjetësimi monetar dhe financiar; pasuritë e patundshme). Punësimi në sektorin e shërbimeve jo të tregut (administrimi publik dhe i mbrojtjes; sigurimi shoqëror i detyruar; arsimi; shëndetësia dhe veprimtari të tjera sociale; aktivitete të tjera të shërbimit kolektiv; social dhe individual; shërbime në shtëpi; aktivitete të organizmave ndërkombëtarë) përbën 17,3% të punësimit total.

Papunësia

Gjatë tremujorit të dytë 2015 në Shqipëri, numri i personave të moshës 15-64 vjeç që kërkojnë punë në mënyrë aktive është 220.162 persona. Shkalla e papunësisë për popullsinë 15-64 vjeç është 17,3%.

Gjatë tremujorit të dytë 2015 për të rinjtë e moshës 15-29 vjeç shkalla e papunësisë është 34,2%. Krahasuar me tremujorin pararendës, shkalla e papunësisë për të rinjtë u rrit me 0,1 pikë përqindje.

Për sa u përket mënyrave të kërkimit për punë, 87,8% të papunëve u drejtohen të afërmve ose shokëve për të gjetur një punë. Kjo metodë e kërkimit për punë është e kombinuar dhe me aplikimin direkt te një punëdhënës (44,3%) si dhe me vendosjen e lajmërimeve në gazeta, studimin e lajmërimeve për vende të lira pune në gazeta etj.

Kualifikimi

Shkalla e punësimit (grupmosha 15-64 vjeç) është më e lartë për të punësuarit me arsim të lartë (65,5%) pasuar nga ata me arsim profesional (63,6%). Të dhënat tregojnë se përqindja e të punësuarve me pagë është më e lartë për personat me arsim të lartë dhe e kundërta vërehet te të punësuarit me arsim 8 – 9-vjeçar ku mbizotërojnë punëtorët pa pagesë të familjes. Po të analizojmë të punësuarit me arsim të mesëm, shkalla e punësimit është më e lartë për personat me arsim të mesëm profesional krahasuar me personat që kanë kryer shkollën e mesme të përgjithshme, përkatësisht 63,6% dhe 46,5%.

Të dekurajuarit

Gjatë tremujorit të dytë 2015 numri i personave të moshës 15-64 vjeç jashtë tregut të punës dhe që nuk po kërkojnë punë ose nuk janë të gatshëm për të punuar (popullsia ekonomikisht joaktive) është 722.870. Krahasuar me tremujorin pararendës, numri i personave ekonomikisht jo-aktivë ka rënë me 2 %. Nga ATFP rezulton se 12,4% e popullsisë ekonomikisht joaktive e moshës 15-64 vjeç janë në pension ose pension të parakohshëm, ndërsa 9,3% janë në paaftësi të përhershme. 11,5% e personave ekonomikisht joaktivë të moshës 15-64 vjeç janë të papunë të dekurajuar.

Punësimi dhe papunësia

  • Numri i personave të papunë të moshës 15-64 vjeç është 220.162 persona.
  • Për popullsinë e moshës 15-64 vjeç shkalla e papunësisë është 17,3%.
  • Për të rinjtë e moshës 15-29 vjeç shkalla e papunësisë është 34,2%.
  • 63,7% e popullsisë 15-64 vjeç është aktive në tregun e punës, pra e punësuar ose në kërkim aktiv të një pune.

Krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2014 për popullsinë 15-64 vjeç:

  • Numri i të punësuarve është rritur me 42.601 persona.
  • Numri i personave të papunë është rritur me 4.075.
  • Numri i personave në moshë 15-64 vjeç jashtë tregut të punës ka rënë me 47.473.
  • Shkalla e papunësisë për femrat është rritur me 2,5 pikë përqindje, ndërsa për meshkujt ka rënë me 2,3 pikë përqindje.

Ky shkrim Puna e zezë: Anketa, 400 mijë punonjës të padeklaruar u publikua me pare te Gazeta SHQIP Online.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 12748


<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>