Policia: Sherri, jo për motive politike, partitë të mos nxisin dhunë
PD-ja ka reaguar pas konfliktit, duke deklaruar se në sherr ishin përfshirë PS-ja e LSI-ja për shpërndarje parash
Përplasje dhe konfrontime fizike mes simpatizantëve të forcave politike në Pukë. Vetëm pak ditë para zgjedhjeve vendore, kur krerët e partive politike po zhvillojnë takimet e fundit elektorale nëpër bashki të ndryshme, një incident ka ndodhur në Pukë, qytet i cili është shquar për qetësi gjatë fushatës elektorale. Dy grupe militantësh, për të cilët flitet se mbështesnin Partinë Socialiste dhe Partinë Demokratike, janë konfrontuar në rrugën kryesore të qytetit, megjithëse policia lokale ka mohuar që kjo përplasje të ketë motive politike.
Konflikti mes militantëve
Banorët e zonës kanë shpjeguar se para se të regjistrohej incidenti kanë parë makina të shumta me logo dhe flamuj të forcave politike të mazhorancës dhe të opozitës, të cilat qarkullonin në rrugën kryesore të qytetit të Pukës. Madje, simpatizantë të PS-së dhe ata të PD-së janë shkëmbyer disa herë me mjetet e tyre, duke treguar forcën elektorale, përballje që më pas ka degjeneruar në konfrontim fizik. Pas disa momentesh, po sipas banorëve, simpatizantët e forcave politike kanë ndaluar makinat dhe kanë filluar të ofendojnë palën kundërshtare. Menjëherë, policia, e cila është në gatishmëri për të evituar konflikte të tilla, ka mbërritur në vendin e ngjarjes, ndërkohë që protagonistët e kësaj përplasjeje kanë pasur edhe konfrontim fizik. Sipas të dhënave, në konflikt janë përfshirë rreth 20 persona, që pas ndërhyrjes së forcave policore, është bërë e mundur shpërndarja e tyre. Gjithashtu, pas qetësimit të gjendjes së krijuar në qendër të qytetit të Pukës, komisariati i këtij qyteti ka shoqëruar tetë prej të dyshuarve si protagonistë të konfliktit, të cilët janë marrë në pyetje nga oficerët e policisë gjyqësore dhe janë lënë të lirë.
Reagon dega e PD-së në Pukë
Pas incidentit, Partia Demokratike e Pukës ka reaguar duke deklaruar se personat e përfshirë në konflikt nuk janë simpatizantë të kësaj force, por të Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. “Sot është shënuar një incident në Pukë. Partia Demokratike hedh poshtë të gjitha aludimet se Partia Demokratike apo simpatizantë të saj kanë qenë të përfshirë në këtë incident. Partia Demokratike në Pukë distancohet nga të gjitha aktet vandale dhe vazhdon të bëjë një fushatë të qetë dhe fituese. Bëjmë me dije se personat që ishin të përfshirë në incident, ishin simpatizantë të PS-së dhe LSI-së. Sipas informacioneve tona, këta persona janë konfrontuar në lidhje me shpërndarje të hollash për fushatë. Partia Demokratike i bën thirrje prokurorisë të hetojë dhe të zbardhë shkaqet dhe autorët e dhunës dhe t’i vërë ata para drejtësisë”, ka deklaruar dega e Partisë Demokratike në Pukë.
Policia: Jo për çështje politike
Por, menjëherë pas këtij incidenti ka reaguar edhe Policia e Pukës, duke deklaruar se konflikti nuk ka ndodhur për motive politike, pavarësisht se personat e përfshirë në të ishin militantë që u përkisnin forcave të ndryshme, si mazhorancës ashtu edhe opozitës. Sipas uniformave blu të Pukës, menjëherë pas këtij konflikti janë shoqëruar disa të dyshuar si pjesëmarrës në konflikt, por nga marrja në pyetje, ata kanë pretenduar se debati dhe ofendimet mes palëve kishte ndodhur për shkaqe banale. Madje, Komisariati i Policisë së Pukës u ka bërë thirrje forcave politike të mos nxisin qytetarët për dhunë, duke sqaruar se personat e përfshirë në konflikt kanë mohuar se kjo ka ndodhur për shkaqe politike.
Situata e qetë gjatë fushatës
Rrethi i Pukës njihet për qetësinë që e karakterizon edhe gjatë fushatave elektorale, por ditët e fundit, kandidatët kanë intensifikuar gjithnjë e më shumë akuzat dhe tonet ndaj njëri-tjetrit, çfarë duket se po rrezikon edhe traditën e mirë të zhvillimit të fushatave elektorale, ku jo vetëm nuk ka pasur ngjarje të tilla, por kandidatët shpesh janë parë dhe së bashku duke përcjellë mesazhe të qarta për banorët, gjë e cila në këtë fushatë nuk po ndodh në Bashkinë e Pukës. Re. Rre.
Ky shkrim Përleshje në Pukë mes militantëve të partive, shoqërohen tetë persona u publikua me pare te Gazeta SHQIP Online.