Kontestimi
Reagon PD, Berisha: Tjetër goditje e Ramës për pagat e ulëta. Mima: Paaftësia e qeverisë
“Qeveria, e dëshpëruar për të ardhurat publike, po merr vendime absurde dhe të rënda për taksat që duhet të paguajnë shqiptarët. Afërisht janë 25 dollarë çdo muaj ose 300 dollarë në vit që secili nga të varfrit e këtij vendi duhet të paguajë se nuk paguajnë kontrabandistët e naftës e të cigareve… Me sa duket, vërtet s’kishim parë gjë akoma”, tha Mima
Akuzat për doganat, naftën e minierat
Socialisti Braçe – “Mbi të gjitha; çdo të bëhet me vjedhjet në të dyja këto degë! Për mua, vjedhjet janë të mëdha në nafte e minerale dhe ky është krim penal. Më tej, çdo të bëhet me të ardhurat nga kapitali, qiratë prej pasurive të patundshme, dividentet, aksionet, ku evazioni dhe mashtrimet janë të mëdha. Në fund është e papranueshme që evazioni të kthehet në biznes në dogana; është shumë i madh deficiti atje”, shprehet Braçe.
Ish-kryeministri – “Edi Rama ka vendosur që ata që vjedhin klanet e tij në akcizat e duhanit, naftës, kafesë, birrës, pijeve alkoolike, t’jua marrë nga rrogat punonjësve me rroga të ulëta”
HERION MESI
Nisma e qeverisë për tatimin e pagave të ulëta, kontestohet dhe nga vetë mazhoranca. Kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Erion Braçe, ka reaguar ashpër ndaj kësaj iniciative, duke u shprehur kundër kësaj skeme, duke deklaruar se kjo bie ndesh me programin e qeverisë socialiste. “Nuk e di cili është eksperti që ka hedhur në publik shkallën e re të tatimit të të ardhurave nga puna. Por di të them që ai ‘propozim’ (nëse ekziston), hedh poshtë një nga pikat më të rëndësishme të programit tonë, elementin kyç -tatimin progresiv të të ardhurave nga puna, qiratë, depozitat, dividentet, aksionet, kapitali në përgjithësi. Siç është nuk u zbatua i plotë! Por, kjo nuk do të thotë që edhe një herë tatimi të ndryshojë për pjesën e të ardhurave nga puna. Siç ishte dy vite më parë, për 8 vite me radhë, natyrisht që i ndihu pabarazisë; Është shumë e qartë, norma e fitimeve nga kapitali është shumë më e madhe se norma e fitimeve nga puna. Gjithnjë! Ndaj, unë jam kundër kësaj skeme që po lexoj”, reagon Braçe. Kryekomisioneri e lidh këtë nismë me mosrealizimin e mbledhjes së taksave dhe tatimeve e kjo sipas tij nuk mund t’u faturohet qytetarëve duke vendosur tarifën për pagën mujore. “Unë mendoj se:
Ne nuk kemi nevojë të ndryshojmë në nivelin e poshtëm tatimin mbi të ardhurat nga puna!! Thjesht ne kemi nevojë të mbledhim tatimet e taksat! Vetëm Kaq! Dështimi për të bërë këtë nuk mund të na kthejë pas, në tatime të reja e të rritura për punëtorët! Nuk ka para aty!
Paratë apo të ardhurat për buxhetin janë gjetkë! Ato duhet të mbledhim! Duhet vullnet politik, ligjshmëri e disiplinë fiskale!”, shkruan Braçe në Facebook. Për këtë shkak, socialisti nuk ngurron të fajësojë për mosmbledhjen e taksave dhe evazionin, duke e drejtuar gishtin në dogana. “Në anën tjetër, mosmbledhja e tatimeve dhe taksave po ndikon ndjeshëm në pabarazi! Paratë që nuk mblidhen, pasurojnë gjithnjë një grusht njerëzish, një grusht kompanish. Ndaj tani duhet vendosur qartë, ç’do të bëhet me fitimet nga nafta, prodhimi e përpunimi; ç’do të bëhet me evazionin dhe mashtrimet, për mua shumë-shumë të madh, në këtë industri, gjithë zinxhirin që e ka burimin atje. Ç’do të bëhet me fitimet nga mineralet e tjera, krom, bakër, ar etj., prodhimi e përpunimi; ç’do të bëhet me evazionin dhe mashtrimet,- për mua të llahtarshëm, në këtë industri, gjithë zinxhirin që e ka burimin atje. Mbi të gjitha: çdo të bëhet me vjedhjet në të dyja këto degë! Për mua, vjedhjet janë të mëdha në naftë e minerale dhe ky është krim penal. Më tej, çdo të bëhet me të ardhurat nga kapitali, qiratë prej pasurive të patundshme, dividentet, aksionet, ku evazioni dhe mashtrimet janë të mëdha. Në fund;
është e papranueshme që evazioni të kthehet në biznes në dogana; është shumë i madh deficiti atje; e di që ka shkaqe të tjera, përtej evazionit, por së pari duhet t’i japim fund abuzimit të cilitdo doganieri apo grupi doganierësh, menjëherë!”, thekson Braçe.
Opozita
Tatime i pagave të vogla ka sjellë reagimin e menjëhershëm të opozitës shqiptare, që siç duket do ta ketë një armë të sajën në betejën e shtatorit në Parlamentin shqiptar. Për demokratët, një nismë e tillë është e pashpirt, pasi parashikohet rritja e tatimit mbi të ardhurat personale të atyre që paguhen më pak. Ish-kryeministri Sali Berisha thekson se ky projektligj është një tjetër goditje e Kryeministrit Edi Rama për punonjësit me paga të ulëta. Përmes faqes së tij zyrtare në Facebook, ish-kryeministri Berisha akuzoi dje qeverinë e majtë e cila sipas tij, pasi dështoi përfundimisht me politikën e rritjes së taksave dhe akcizave, Edi Rama ka vendosur që atë që vjedhin klanet e tij në akcizat e duhanit, naftës, kafesë, birrës, pijeve alkoolike, t’jua marrë nga rrogat punonjësve me rroga të ulëta dhe punonjësve të tjerë. Kështu, “me ligjin e ri ai vendos taksën 5% për të gjitha rrogat nga 0 – 180,000 lekë, pra për të gjithë ata që marrin një rrogë mujore nga 0-15 mijë lekë do të marrin 5% më pak, se do paguajnë tatimin mbi të ardhurat personale. Kurse ata që merrnin një rrogë vjetore nga 180,000 deri në 1,560,000, pra që marrin një rrogë nga mbi 15 mijë lekë në muaj e sipër deri në 125 mijë lekë në muaj, do paguajnë 13% si taksë për të ardhurat personale”, shprehet Berisha. Duke vijuar më tej komentin e tij, deputeti demokrat thekson se në sistemin aktual, punonjësit me pagë mujore nën 30 mijë lekë në muaj nuk paguanin asnjë qindarkë si tatim mbi të ardhurat personale, pasi kjo ishte hequr që në mars të vitit 2013. Ndërsa, thotë ai, tani të gjithë ata që marrin mbi 125 mijë lekë në muaj do paguajnë tatim mbi të ardhurat personale 23%. “Kjo është një goditje fatale për nivelin e jetesës në këtë vend në tërësi dhe për rrogat e ulëta në veçanti”, tha Berisha.
Në të njëjtën linjë me të u shpreh gjithashtu, edhe deputeti tjetër dhe ish-ministri i Ekonomisë i PD-së, Florion Mima, e cilësoi si të pashpirt projektligjin e ri që qeveria ka propozuar për të tatuar me 5 deri në 13 për qind pagat minimale, ato deri në 30 mijë lekë. Në reagimin e tij lidhur me këtë çështje, Mima deklaroi se paaftësia e shtetit, po kthehet në hidhërim për familjet shqiptare. Sipas tij, me nisma të tilla të dëshpëruara, qeveria po merr vendime absurde dhe të rënda për taksat që duhet të paguajnë shqiptarët. “Qeveria, e dëshpëruar për të hyra publike, po merr vendime absurde dhe të rënda për taksat që duhet të paguajnë shqiptarët. Kështu, edhe nën regjimin aktual të taksimit progresiv të të ardhurave, individët më të ardhura mujore deri në 30 mijë lekë tatohen me 0%, çka bën sens, pasi paga minimale është rreth 22 mijë lekë. Sot po lexojmë një projekt të pashpirt që, pikërisht kësaj kategorie, tatimin ua çon nga 0% në 5% për 15 mijë lekët e para dhe nga 0% në 13% për 15 mijë lekët e dyta. Pra, nga 0 lekë tatim për 30 mijë lekë të ardhura do t’u duhet të paguajnë plot 2.700 lekë tatim. Si mundet që, paaftësinë e shtetit për të administruar, ta kthesh në hidhërim, lot e mjerim për qindra mijëra familje shqiptare? Afërisht janë 25 dollarë çdo muaj ose 300 dollarë në vit që secili nga të varfrit e këtij vendi duhet të paguajë se nuk paguajnë kontrabandistët e naftës e të cigareve… Me sa duket, vërtet s’kishim parë gjë akoma”, u shpreh Mima.
Ky shkrim Braçe: Jam kundër kësaj skeme, të luftohet evazioni po kthehet biznesi në dogana u publikua me pare te Gazeta SHQIP Online.