Gjermani, policia shkatërron bandën. Nga maji “bënë kërdinë” në qytetin Lingen
Mariglen Mullai
Një grup azilkërkuesish shqiptarë në Gjermani ishin shndërruar në tmerrin e qytetit të Lingenit, pasi nga mesi i majit e deri të mërkurën kishin mundur të vidhnin të paktën 40 shtëpi. Nga mediat gjermane mësohet se policia gjeti këtë të mërkurë 22 azilkërkues shqiptarë, që banonin në dy shtëpi në Lingen. Ata ishin vendosur në rrugën “Friedrich-Ebert”.
Banda
Nga kontrolli në dy shtëpitë u kapën në total 22 azilkërkues shqiptarë, të moshës 19 deri në 38 vjeç, ndërsa po verifikohen 19 të tjerë. Azilkërkuesit janë marrë të gjithë në stacionin e policisë, për identifikim. Hetimet përcaktuan se aplikantët për azil ishin duke qëndruar që nga muaji maj i këtij viti, në këto shtëpi. Tre prej azilkërkuesve, të cilët janë të moshës 21, 23 dhe 38 vjeç, janë të dyshuarit kryesorë dhe akuzohen se kanë kryer një numër të madh vjedhjesh, me kombinime të ndryshme. Një nga këta të tre ka pjesën më të madhe të vjedhjeve, pra njihej si kryehajduti. Policia gjermane ka dyshime se që nga mesi i majit, ata hynë në më shumë se 40 shtëpi në qytetin e Lingenit. Në objektiv të vjedhjeve ishin bizhuteritë, paratë, telefonat celularë, këpucët, laptopët dhe sende të tjera me vlerë. Hetimet e policisë nisën pasi fillimisht u pikas një grup i vogël azilkërkuesish shqiptarë, të cilët po ktheheshin nga “puna”. Në shtëpitë ku banonin u zbulua një sasi e madhe e sendeve të vjedhura. Policia gjeti edhe makinën që hajdutët përdornin për të kryer vjedhjet. Në operacion u përfshinë 60 efektivë të policisë të stacioneve policore në qytetet Lingen dhe Osnabrück. Gjithashtu, janë përdorur edhe qentë për të lokalizuar sendet e vjedhura. Tre të dyshuarit kryesorë janë në paraburgim. Policia është duke punuar që sendet e gjetura t’ua kthejë pronarëve të tyre. Për këtë çështje, sipas mediave gjermane ka ende hapësirë për të hetuar, pasi edhe 19 shqiptarët e tjerë momentalisht janë të akuzuar për vjedhje me thyerje dhe ende nuk është vendosur fati i tyre.
Azilkërkuesit
Shqipëria, Mali i Zi dhe Kosova janë klasifikuar si vende të sigurta të origjinës, me kërkesë të Zyrës Federale për Migracionin dhe Refugjatët. Kjo është bërë me synimin e procedimit të shpejtë të refugjatëve nga vendet e Ballkanit të cilët kërkojnë azil ekonomik në Gjermani, që tashmë do të marrin një përgjigje brenda tre muajve. Ky vendim do të ketë efekt të drejtpërdrejtë te refugjatët që kërkojnë azil, pasi kjo do të thotë se çdo kërkesë për azil nga refugjatë nga këto tre vende tashmë do të cilësohet si e pabazuar dhe do të lejohet vetëm në disa raste të veçanta. Në gjashtë muajt e parë të këtij viti në Gjermani kanë kërkuar azil 22.209 qytetarë nga Shqipëria. Ndërsa nga Kosova janë 31.400 qytetarë. Nga fillimi i këtij viti, deri në fillim të korrikut, kanë aplikuar rreth 22 mijë shqiptarë për azil në Gjermani, ndërsa vetëm qershori shënonte shifrën e rreth 6 mijë aplikantëve. Në muajin maj kërkesat për azil arritën shifrën 4.922, ndërsa në total 22 mijë. Në muajin prill, shifra e shqiptarëve që kanë kërkuar azil në Gjermani ka qenë 4.794, ndërsa në muajin mars shifra ka qenë 3.020 kërkesa. Për vitin 2015, deri tani, nga këta vetëm 1.310 qytetarë nga Shqipëria kanë fituar statusin e azilantit. Ndërsa nga Kosova kanë marrë përgjigje pozitive 1.900 persona.
Ky shkrim Pranga 22 azilkërkuesve shqiptarë, vodhën bizhuteri e para në 40 shtëpi u publikua me pare te Gazeta SHQIP Online.