Gazeta “Shqip” paralajmëroi zjarrvënien e qëllimshme ditën kur magazina mori flakë
Policia e Tiranës prangosi dje pronarin e fabrikës së tapeteve, sepse kishte mashtruar kur tha që zjarri aksidental i dogji pasurinë para 4 muajsh. Në fakt, gazeta “Shqip”, më 14 prill 2015, pra pak orë pas flakëve, shkroi se kishte dyshime të forta për një zjarrvënie të qëllimshme, për të përfituar nga siguracionet. Asokohe, burimet e sigurta të policisë i thanë gazetës se Raghed Hajjazi, pronari fabrikës, do të përfitonte mbi 1 milion euro nga siguracionet, teksa dëmi nga zjarri nuk shkonte më tepër se 500 mijë euro. Zyrtarisht është përcaktuar se do të përfitonte 1.2 milionë euro nga siguracionet. Një sërë dyshimesh, rrethanash dhe faktesh linin hapësira të theksuara për këtë tezë të bazuar që shtroi para 4 muajsh gazeta dhe që dje e vërtetoi zyrtarisht Prokuroria e Tiranës, e cila kërkoi lejen e gjykatës për të prangosur sirianin. Por cilat ishin rrethanat dyshuese? Së pari, që në krye të herës, nga pronarët u hodhën dyshime për prishjen e rrjetit elektrik të kompanisë “Bibtex”. Në artikullin e 14 prillit shkruhej se “nga hetimet nuk janë përjashtuar shkaqet e tjera si zjarrvënia e qëllimshme”. Policia dhe prokuroria verifikuan dokumentacionin e kompanisë që operon prej 14 vitesh në Shqipëri, pagesat, tatim-taksat, likuiditetin, gjendjen financiare dhe siguracionin e saj. Pronarit të firmës i ishte djegur edhe një herë tjetër magazina, në vitin 2005, kur ndodhej në Laprakë, teksa kësaj radhe zjarri ra në autostradën Tiranë-Durrës. Të kontaktuar nga gazeta, burime pranë OSHEE-së thanë asokohe se nuk ka pasur luhatje tensioni në rrjetin që furnizon magazinën, madje s’është njoftuar asnjë defekt në kabinën dhe panelin që furnizon objektin. Pesë punonjës të magazinës u morën në pyetje në ambientet e Komisariatit nr. 6 të Tiranës. Zjarri ra rreth orës 09:15, të mesprillit në kilometrin e pestë të autostradës Tiranë-Durrës, në magazinën e firmës “Bibtex”. Flakët kanë rënë fillimisht në katin e dytë, teksa magazina shërbente për të mbajtur tapetë dhe sixhade. Nga dëshmitë u mësua se në vendin ku zjarri ra fillimisht ndodheshin dy punonjëse, ndërsa hetimet nisën për një të tretë aty afër. Zjarri ishte i përmasave të mëdha dhe angazhoi 8 zjarrfikëse të kryeqytetit. Në total, vendngjarje mbërritën rreth 50 zjarrfikës. Përveç tapeteve, në magazinë ka pasur edhe lëndë djegëse. Rreth orës 12.00, flakët e zjarrit janë vënë nën kontroll, ndërsa tymi vijonte të çlirohej deri në orët e mbrëmjes, si pasojë e djegies së ndërtesës me të gjithë mallrat që kishte në brendësi. U asfiksuan nga zjarri dhe u transportuan për në repartin e djegies shtetaset E.M, 25 vjeçe, punëtore në këtë magazinë dhe vjehrra e saj, D.M, 47 vjeçe, e cila ka shkuar për të ndihmuar nusen. Në Spitalin Ushtarak është paraqitur edhe shtetasi E.D, 40 vjeç, punonjës në magazinë, i cili është asfiksuar nga tymi. Ndërkohë patën plagë të lehta edhe tre zjarrfikës, ku mes tyre ishte Florian Sheqeri dhe Shpëtim Hoxha.
Ky shkrim Pranga pronarit sirian, dogji fabrikën e tapeteve për 1.2 milionë euro siguracione u publikua me pare te Gazeta SHQIP Online.