I kthyer në kohë rekord nga Brukseli pas takimeve me krerët e Bashkimit Europian, kryeministri Rama ka mbrojtur qeverinë e tij nga akuzat e opozitës për kultivimin e kanabisit në të gjithë vendin.
Rama ka krahasuar periudhën kur drejtonin demokratët me qeverisjen e 3 viteve të fundit, duke theksuar se janë asgjësuar më shumë sipërfaqe të mbjella me kanabis.
“Kjo që bëni ju është një propagandë e shthurur për hashashin. Po i referohem komunikatave të Policisë së Shtetit, kur Ministër i Brendshëm ishte Bujar Nishani. Në atë kohë nuk kishte monitorim ndërkombëtar, – u shpreh Rama. – Në Fier janë disa fshatra, në Korçë janë disa fshatra, në Kukës, në Shkodër etj. Sipas komunikatave të policisë, janë 330 mijë rrënjë. Në kohën e PD-së, janë shkatërruar vetëm 7% e sipërfaqes së mbjellë. 7% e sipërfaqes së shkatërruar në vitin 2012, ndërsa ne kemi asgjësuar 94% të sipërfaqes së mbjellë vetëm vitin e kaluar. Kujt i tregoni arat me hashash, kujt ia tregoni ndryshimin? Ka ndodhur vetëm një ndryshim. Ne e kemi hapur kutinë e ‘Pandorës’ nuk e kemi mbajtur të mbyllur për atë të cilën na akuzojnë”.
Sipas kryeministrit, janë zhvilluar “aksione kundër kultivimit të hashashit. Lufta ndaj kanabisit ishte prioriteti ynë me ardhjen në pushtet para 3 vjetësh. Lazarati ishte kutia e zezë e parave të pista. Lazarati ka qenë i menaxhuar politikisht”, – tha ai mes të tjerash.
8 shtator 2016 (gazeta-Shqip.com)