
Familja e 29-vjeçarit Pëllumb Marnikollaj pritet që të organizojnë një protestë pranë Ambasadës greke, për vdekjen e të riut shqiptar nga Rrila e Lezhës, në Greqi. Për këtë arsye, ata kanë bërë një kërkesë pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, me qëllim lejimin e organizimit të këtij tubimi, që kërkon drejtësi. Tubimi pritet të mbahet nesër në orën 11:00.
Pëllumb Marnikollaj, i cili jetonte si emigrant në Greqi, humbi jetën në rrethana ende të paqarta në stacionin e policisë në Athinë, në fillim të muajit gusht. Ai ishte arrestuar për vjedhje duke bërë 7 vite burg dhe prej 4 muajsh gjykata e kishte liruar, duke e lënë në detyrim paraqitje.
Me datën 3 gusht, me kërkesë të policisë greke, Marnikollaj ishte paraqitur në komisariat, ku pas disa orësh gjeti dhe vdekjen. Pas disa ditësh kërkime, trupi i pajetë i emigrantit u gjet në frigoriferin e varrezave “Agio Anargioro”, gati për t’u varrosur, duke u klasifikuar si kufomë pa identitet.
Familjarët e 29-vjeçarit pretendojnë se i afërmi i tyre ka gjetur vdekjen pasi është dhunuar barbarisht nga autoritetet policore greke. Por kjo e fundit i ka mohuar këto akuza. Pak javë më parë, policia helene deklaroi se nga ekspertiza paraprake, në trupin e Marnikollaj janë konstatuar dëmtime në kokë dhe hemorragji e brendshme, që mund të kenë ardhur nga rënia nga një lartësi e madhe.
7 shtator 2016 (gazeta-Shqip.com)