Policia e Krujës ka vënë në pranga një 47-vjeçar dhe ka shpallur në kërkim djalin e tij, pasi për motive të dobëta kanë qëlluar me armë zjarr automatik në derën e jashtme të rrethimit të banesës së shtetasit P. K. 53 vjeç.
Ngjarja është regjistruar mbrëmjen e 18 gushtit rreth orës 02:00 pas mesnate në Nikël të Krujës, ku Sabah Brama 47 vjeç dhe djali i tij K. Brama 19 vjeç dyshohet se qëlluan me armë. Sipas policisë, i arrestuari është person me precedentë të mëparshëm penalë.
53-vjeçari ka bërë denoncimin në policinë e Krujës, duke pohuar se gjatë natës kanë qëlluar në drejtim të portës së oborrit, ku për pasoja ka pasur vetëm dëme materiale.
“Në vendngjarje u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 9 gëzhoja të kalibrit 7.62 mm. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit Sabah Brama u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provave materiale rreth 2 kg lëndë narkotike e dyshuar e llojit kanabis sattiva, bimë narkotike të mbjella, të dyshuara të llojit kanabis sativa”, njofton policia.
Materialet i kaluan për veprime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë për veprat penale “Kanosje”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”, “Shkatërrimi i pronës”, ‘Kultivimi i bimëve narkotike” dhe ”Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
19 gusht 2016 (gazeta-Shqip.com)