Lëvizja Socialiste për Integrim ka reaguar në lidhje me nenin 13 të pr/ligjit të SPAK-ut, që duket se cenon lirinë e medias dhe të shprehjes në Shqipërisë.
Nënkryetari i LSI_së, Petrit Vasili, shprehet i surprizuar me kalimin e këtij ligji. “Nuk ishte në draftin që kaloi në komision. Ky paragraf i nenit 13 nuk mund të pranohet. Liria e medias ka një dimension jetik në demokraci, – tha Vasili. – Do të kërkoj në komision heqjen e këtij drafti”.
Paragrafi i dytë i nenit 13 të projektligjit, aktualisht parashikon që çdo lloj influence e papërshtatshme e ushtruar mbi punën e prokurorëve të posaçëm apo aktivitetin e tyre mbi çështje konkrete përmes autoriteteve publike, mediave apo çdo mënyre apo personi tjetër që ndikon mbi pavarësinë e prokurorëve gjatë ushtrimit të detyrave të tyre ndalohet dhe dënohet me ligj.
18 gusht 2016 (gazeta-Shqip.com)