Partia Socialiste ka mbledhur sot Asamblenë Kombëtare. Në fjalën e tij në këtë asamble, kryeministri i vendit, Edi Rama njëkohësisht kreu i PS, ka bërë një rezyme të arritjeve të qeverisë së tij të majtë në 2 vjet pushtet duke u shprehur se, socialistët ndihen krenarë që mundën të bëjnë në 2 vjet aq sa nuk ishte bërë në 20 vjet.
Rama vlerësoi arritjet në Ministrinë e Mirëqenies Sociale me reformat e rëndësishme si ajo e pensione, vlerësoi punën për reformën administrative-territoriale të cilën e vlerësoi si historike, ndërsa shprehu konsideratat më të larta për komisionin e posaçëm të reformë në drejtësi dhe kreun e saj, Fatmir Xhafaj, duke ritheksuar se reforma në drejtësi do të votohet në vjeshtë të këtij viti.
“Konsideratë meriton puna e komisionit të reformës në drejtësi duke bërë të mundur hedhjen e një hapi të rëndësishëm me votimin në parlament të reformë në vjeshtë dhe duke çelur një betejë të madhe dhe pa asnjë tolerancë ndaj korrupsionit në sistemin e drejtësisë”, tha Rama.
Me gjithë sukseset për të cilat sipas kryeministrit, të gjithë socialistët janë krenarë, ai pranoi se ka edhe gjëra që nuk kanë shkuar siç duhet brenda partisë, ndaj bëri me dije se Asambleja do të përcaktojë një plan veprimi të partisë që do të përqendrohet në dy momente: 1. Hapje për anëtarësime të reja, me objektivin që në 25 vjetorin e krijimit të saj PS të jetë parti me 150 mijë anëtarë. 2. Zgjedhje të reja në të gjitha strukturat dhe riorganizim i plotë për të arritur një fitore të thellë në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2017.
“PS duhet të angazhojë të gjitha forcat në mënyrë që çdo shqiptar i cili ka dëshirë të bëhet pjesë e PS të mundet ta bëjë këtë”, tha Rama.
Kryesocialisti paralajmëroi ngritjen e një regjistri dixhital për anëtarët e PS, që sipas tij do të paraprihet nga një census i përpiktë i numrit të anëtarëve. Kjo, sipas Ramës, do të bëjë të mundur reduktimin e anëtarësimeve fiktive dhe do të nxjerrë në pah kontributin real të gjithsecilit.
Rama bëri publike edhe përbërjen e grupit të punës për organizimin dhe Koordinimin e Fushatës së Anëtarësimeve dhe Zgjedhjeve të reja, që do të drejtohet nga Gramoz Ruçi. Anëtarë të tij do të jenë edhe Taulant Balla, Saimir Tahiri, Dritan Leli, Koço Kokëdhima, Vangjush Dako e të tjerë.
Sipas kryesocialistit, Partia Socialiste do të organizohet në rang bashkish, që do të thotë se do të ketë 61 degë me nga një kryetar.
18 korrik 2015 (gazeta-Shqip.com)
Ky shkrim Asambleja e PS, Rama: Krenarë, bëmë në 2 vjet sa për 20. Objektivi,150 mijë anëtarë u publikua me pare te Gazeta SHQIP Online.