Myftiu i Shkodrës: Të ndërpresim faljen për të respektuar kambanat e vëllezërve të krishterë
Ilda Hoxha
Besimtarët myslimanë, pas 30 ditëve sakrificë në emër të Zotit, kanë festuar dje Fitër Bajramin. Ceremonia e shenjtë ka nisur me faljen në orën 06:06 të mëngjesit dhe për të vijuar më pas me drekën në familjen e gjithsecilit. Harmonia fetare dhe respekti ndaj fesë së tjetrit nuk ka munguar edhe në këtë ditë të shenjtë për besimtarët myslimanë. Një shembull mjaft i mirë i tolerancës dhe harmonisë fetare që mbizotëron në vendin tonë ishte ai i myftiut të Shkodrës, i cili ndërpreu fjalën në momentin kur ranë kambanat e kishës dhe u kërkoi besimtarëve myslimanë të ndalojnë predikimin në respekt të vëllezërve të krishterë. Një kërkesë e tillë u mirëkuptua nga të gjithë besimtarët, të cilët heshtën dhe dëgjuan kambanat e besimtarëve katolikë. Kjo është fryma e harmonisë dhe bashkëpunimit midis besimeve të ndryshme fetare në vendin tonë. “Gjatë këtij muaji të madhërueshëm të Ramazanit u edukuam me frymën e modestisë, sepse myslimani është modest në jetën e tij, sepse myslimani nuk është arrogant në jetën e tij. Se myslimani është njeri i sjellshëm në komunikimin social. Myslimani është njeri i vlerave, dhe vlerë e jona është edhe respekti ndaj tjetrit dhe respekti ndaj kambanave që bien për një fe tjetër që nuk është feja jonë, mirëpo që e respektojmë dhe po ndaloj për pak çaste predikimin për respekt të vëllezërve tanë të krishterë dhe kambanave të tyre”, u shprehu myftiu i Shkodrës. Edhe në qytetet e tjera të vendit, qindra besimtarë janë mbledhur për të bërë faljen e Namazit. Qindra myslimanë u mblodhën në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ në kryeqytet për faljen e Namazit. Kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Skënder Bruçaj, drejtoi faljen duke shpresuar se Allahu ka pranuar agjërimin e të gjithëve. “Bajrami është simbol i paqes, i gëzimit, i harmonisë, i qetësisë shpirtërore, moment i lartësimit të Allahut dhe koha e shpresës së arritjes së kënaqësisë së Krijuesit, që është edhe qëllimi final për çdo besimtar. O Zoti ynë! Jepi begati, mirësi, paqe e qetësi shoqërisë sonë dhe atdheut tonë, Shqipërisë, e bashkë me të mbarë njerëzisë”, uroi Bruçaj. Ndërsa myftiu i Tiranës, Ylli Gurra, gjatë lutjes së tij, nuk la pa përmendur edhe dëshmorët që sakrifikuan për vendin, ku jo në mënyrë të drejtpërdrejtë iu referua edhe Ibrahim Bashës. “Unë nuk do dëshiroj të bëj harresën në një moment kaq hyjnor pa emra sigurisht për ata vëllezër dëshmorë dhe një dëshmor sapo e kemi përcjell. Me gjakun e tij ka vadit për lirinë e gjithsecilit prej nesh e aq më tepër në krye të asaj detyre që derdhet shumicën e herës djersë e në disa raste si dëshmor dhe gjak”, tha Gurra. Në kuadër të festës së Fitër Bajramit, ministri i Mirëqenies Sociale, Blendi Klosi, i shoqëruar nga ministrja Eglantina Gjermeni, në emër të qeverisë shqiptare, me rastin e ditës së Bajramit të Madh, zhvilluan vizita në selinë e Komunitetit Mysliman Shqiptar dhe në Kryegjyshatën Botërore Bektashiane. Ata kanë uruar kryetarin e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Skënder Bruçaj, dhe kreun e Komunitetit të Bektashinjve, Baba Edmond Brahimaj dhe nëpërmjet tyre, gjithë besimtarët myslimanë dhe bektashianë, për paqe, harmoni dhe solidaritet me ata që janë më në nevojë. “Bajrami është festa e mbylljes së muajit të sakrificës, muajit të agjërimit, muajit të paqes e dashurisë, ndaj shpreh urimin në emër të qeverisë dhe personalisht të Kryeministrit Rama, që kjo harmoni e këtij muaji të vazhdojë në solidaritet mes nesh, mes shtresave sociale. Ky është Bajrami i parë që nuk do të flitet më për xhaminë e madhe. Dhe pak kohë, ne do ta shikojmë atë të ngrihet e të zbukurojë qytetin, duke qenë dëshmi e harmonisë fetare”, tha ministri Klosi. Ndërsa Kryeministri i vendit, Edi Rama, ka zgjedhur një mënyrë tjetër për të uruar besimtarët myslimanë. Me anë të një fotoje në rrjetin social Facebook ai ka shkruar mbi një foto “Gëzuar Bajramin”. Edhe kryetari i PD-së, Lulzim Basha, ka zgjedhur Facebook-un për të uruar për më shumë mbarësi dhe harmoni për të gjithë. Ndërsa kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka, pas vizitës në selinë e Komunitetit Mysliman tha: “Të gjithë ne duhet të kuptojmë se të gjitha të mirat na vijnë nga sakrifica. Gëzuar festën e Fitër Bajramit të gjithë besimtarëve në Shqipëri dhe në botë”. Edhe kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, së bashku me bashkëshorten Monika Kryemadhi kanë uruar besimtarët nga selia e Komunitetit Mysliman. “Uroj të gjithë besimtarëve gëzuar Fitër Bajramin. Zoti i shpërbleftë të gjithë sakrificat e tyre shpirtërore dhe fizike”, uroi Meta. Fitër Bajrami është kremtuar në të gjithë vendin. Në qytetin e Kukësit, myslimanët janë falur në orët e para të mëngjesit në xhaminë e qytetit. Në mesazhin e tij para besimtarëve, myftiu Islam Hoxha e ka cilësuar mbylljen e muajit të Ramazanit si një përkushtim më shumë që bënë agjëruesit ndaj Krijuesit të tyre, Zotit. Në Peshkopi, besimtarët myslimanë kanë kryer ritet në ambientet e Pallatit të Sportit. Ndërsa në Durrës ata kanë mbushur si gjithmonë sheshin kryesor të qytetit përballë xhamisë. Në Elbasan, myftiu Agim Duka, në fjalën para besimtareve tha: “Le të mbetet Bajrami i atyre të cilët thyen murin e egoizmit, përmes ndihmave, i atyre që treguan qetësinë shpirtërore, vëllazërinë dhe miqësinë, i atyre që ua hapën derën e shpirtit vëllezërve dhe motrave të tyre, i atyre që nuk i shtypën jetimët dhe atyre që nuk përbuzën të varfrit”.
Ky shkrim Fitër Bajrami, një shenjë e tolerancës fetare u publikua me pare te Gazeta SHQIP Online.