Quantcast
Channel: Kryesoret – Gazeta SHQIP Online
Viewing all articles
Browse latest Browse all 12748

Ish-pronarët: Takohemi në Strasburg

$
0
0

Vorpsi: Fillimisht do të shkojmë në Kushtetuese. Rrëzohen të drejtat e fituara me ligjin e mëparshëm

Zamir Alushi

Myrshit VorpsiIsh-pronarët do ta kundërshtojnë ligjin e ri të pronave në Gjykatën Kushtetuese dhe në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg. Anëtari i kryesisë së shoqatës “Pronësi me drejtësi”, Myrshid Vorpsi, deklaroi dje për gazetën “Shqip” se do ta kundërshtojnë këtë ligj në Gjykatën Kushtetuese. “Nuk mundet që të drejtat e fituara me një ligj të mëparshëm të hiqen nga një ligj tjetër i mëvonshëm”, argumenton Vorpsi. Mendimi i shoqatës, sipas anëtarit të kryesisë, është se “qeveria përmes heqjes së termit ‘kthimi i pronës’ dhe trajtimit të pronave të kthyera si vlerë për kompensim, po ndryshon rregullat e lojës në fund të lojës”.

Formula e re e vlerësimit

Vorpsi shprehet se, me këtë ligj të ri, të shpronësuarit duhet të paguajnë qeverinë për ato prona që iu janë kthyer, të cilat do të rivlerësohen bazuar në kadastrën e vitit 1945. “Këto vendime të kthimit të pronave, vazhdon Vorpsi, janë tituj ekzekutivë dhe nuk mund të preken. Por, është gjetur metoda duke futur klasifikimin ‘truall’ dhe ‘tokë bujqësore’ të vitit 1945. Ndarje ‘tokë bujqësore’ dhe ‘truall’, sipas ligjit aktual, është ndarja sipas vijës së verdhë ekzistuese në momentin e hyrjes në fuqi të ligjit”. Referuar korrespondencave të qeverisë me Gjykatën e Strasburgut, nga viti 1993 deri në vitin 2010, u është njohur të shpronësuarve 15 mijë hektarë tokë “truall”. Ish-pronarëve u është kthyer fizikisht 5 mijë hektarë, ndërsa pjesa tjetër duhet kompensuar. Me këtë projektligj, sipas Vorpsit, pjesa e pronës tokë “truall” ulet minimalisht me 10 mijë hektarë dhe kthehet në statusin “tokë bujqësore”. Çfarë ndodh me llogaritjet e reja? Nga 100 euro/m² që është çmimi mesatar i tokës truall në treg, me kalimin në vlerësimin si tokë bujqësore, vlerësimi bie në mënyrë drastike, sepse çmimi i tregut për këtë kategori është 2 deri në 3 euro/m². Kjo përbën pjesën më të kundërshtuar të projektligjit nga grupet e interesit.

Fatura financiare

Vorpsi deklaron se qeveria fsheh qëllimisht faturën e këtij projektligji. Sa është vlera që duhet t’u kthehet ish-pronarëve? Sipas Vorpsit, vlera që duhet të kompensohen ish-pronarët shkon në afro 3 miliardë euro. “Projektligji është pa faturë financiare, ashtu si ligjet e mëparshme. Nëse do të shprehej fatura nuk do të ishte përcaktuar në ligj shuma qesharake që do të vendoset në dispozicion të kompensimit financiar 5 miliardë lekë në vit. Kjo shumë nuk i përgjigjet faturës reale”, deklaron Vorpsi. Sipas të shpronësuarve, qeveria po kërkon që barrën e faturës ta kalojë te kjo shtresë. Vorpsi thekson se vendimmarrjet e sotme dhe të kaluara janë politike, duke filluar nga ligji 7501 i vitit 1991 deri te ligji i fundit i legalizimeve. “Me këto ligje është shpërndarë toka falas dhe kërkohet që, tani në fund, vlera e tyre të faturohet në kurriz të pronarëve” shprehet Vorpsi. Nëse kërkohet pakt kombëtar për zgjidhjen e çështjes së pronës, sugjeron Vorpsi, atëherë të shpërndahet fatura njësoj tek të gjithë.

Dosjet e patrajtuara

Duke u përqendruar te kritika për pasigurinë juridike që mund të krijojë ky ligj, shoqata “Pronësi me Drejtësi” kundërshton fort afatin trevjeçar që vendos qeveria për llogaritjen e faturës financiare të kompensimit, por edhe si kohë gjatë së cilës subjektet e shpronësuara nuk mund të bëjnë padi gjyqësore. Në këtë pikë ngrihet problemi i 8300 dosjeve të patrajtuara, të cilat, sipas shoqatës, në fakt mund të jenë deri në 10 mijë. Vlerësimi i këtyre dosjeve, sipas rregullit të ri është pjesa më e dhimbshme e reformës së qeverisë, që të shpronësuarit e quajnë “ndryshim të rregullave të lojës”. Por, qeveria ka hapur sërish lojën me kërkesat për njohje të pronës edhe për 6 muaj të tjerë nga hyrja në fuqi e këtij ligji. Kjo do të thotë se do të shtohet numri i dosjeve për Agjencinë e Trajtimit të Pronave. Sipas Vorpsit, kjo është një “karamele” për subjektet e interesuara. “Qysh nga viti 2008 kjo e drejtë ishte hequr, por çdo njeri mund të shkonte në gjykatë dhe të kërkonte rivendosje në afat të çështjes dhe kështu kemi vepruar”, deklaron Vorpsi.

Dialogu me qeverinë

Ndërkaq, duke shpjeguar ballafaqimin e një dite më parë me kryeministrin, gjatë prezantimit të reformës së pronës, Vorpsi shpjegon se, ata që u larguan nga salla janë pjesë e shoqatës, por të tjerët e kanë ndjekur prezantimin e projektligjit. Lidhur me dialogun me qeverinë si grup interesi, Vorpsi thotë se “ne e morën draftin para tri ditësh, por kemi tre-katër muaj që njihemi me tezat kryesore të kësaj reforme që qeveria e ka testuar në opinion, duke e hedhur në shtyp herë pas here”. Vorpsi shprehet se dyshon në faktin që gjykatat do të pranojnë të zbatojnë tezat e kësaj reforme, sipas tij, me përmbajtje antikushtetuese dhe antijuridike.

 

Debati

Toro: Nuk njihet kthimi fizik i pronës; Qato: Pronarët nuk e kanë kuptuar

Përfaqësues të pronarëve kundërshtojnë ligjin e ri për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit, duke deklaruar se ai shkel parime të së drejtës, nene të Kushtetutës dhe Kartës Europiane të të Drejtave të Njeriut. “Është hequr koncepti i kthimit të pronës, nuk ka më kthim të pronës, por ka kompensim dhe ky kompensim do të bëhet sipas qejfit dhe interesit të qeverisë duke e vlerësuar me çmimet e ’45 për pronarët dhe duke vlerësuar tokën me çmimet e ’15 për shtetin”, tha Agim Toro, sekretar i përgjithshëm i shoqatës “Pronësi me Drejtësi”. Por kreu i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave hedh poshtë këto pretendime, si dhe sqaron formulën për kompensimin financiar të 26 mijë dosjeve që prej 23 vitesh presin për t’u kompensuar në favor të pronarëve pa përcaktuar mënyrën se si, si dhe 9300 dosjeve të tjera që do të shqyrtohen në një afat trevjeçar, sipas ligjit të ri. “Në qoftë se pronarët nuk e kanë kuptuar që ky draftligj njeh procesin e kthimit si një proces njohje prone dhe kompensimi fizik në pronën e njohur, atëherë ky është një sqarim të cilin në ditët e ardhshme me siguri do ta bëjmë me njëri-tjetrin. Instrumenti është i njëjtë për të tërë ata që në vitin e shpronësimit e kanë pasur tokën zë kadastral tokë bujqësore dhe sot e kanë tokë truall, do të kompensohet me zërin kadastral tokë bujqësore, por me vlerën aktuale të tregut për këtë zë kadastral”, thotë Sonila Qato, drejtoresha e AKKP-së. TCH

Ky shkrim Ish-pronarët: Takohemi në Strasburg u publikua me pare te Gazeta SHQIP Online.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 12748


<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>