Efektivët e policisë kufitare në Muriqan, Shkodër sekuestruan rreth 15 kilogramë lëndë narkotike kanabis sativa. Mësohet se është arrestuar në flagrancë shtetasi Eldi Aldisha, 23 vjeç, banues në Tiranë.
Gjatë kontrollit të ushtruar në vijën e dytë në automjetin tip “Renault”, me targa AA 689 JD që drejtohej nga shtetasi i sipërpërmendur, janë konstatuar në depozitën e gazit të kondicionerit disa pako të mbështjella me natriban, ku brenda tyre kishte lëndë narkotike.
Në vendngjarje ka mbërritur grupi hetimor dhe Specialistët e Seksionit Kundër Narkotikëve ku gjatë kontrollit të imtësishëm rezultoi se në brendësi të bombolës së gazit u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 21 (njëzet e një) pako, gjithsej 15 kg e 373 gr lëndë narkotike e dyshuar kanabis sativa.
Materialet i kaluan Prokurorisë Shkodër për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”.
6 korrik 2016 (gazeta-Shqip.com)