Komisioni i Sigurisë
Përmes Sekretarit të Përgjithshëm të saj, Luan Rama, Lëvizja Socialiste për Integrim ka kërkuar sërish llogari dje nga qeveria për grabitjen që ndodhi katër ditë më parë në Aeroportin e Rinasit. Gjithçka do të ndodhte në mbledhjen e djeshme të Komisionit të Sigurisë, ku kërkesës së Ramës do t’i bashkoheshin edhe deputetët e Partisë Demokratike, të cilët “kryqëzuan” përfaqësuesit e PS-së në Komision, duke kërkuar që ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, duhet të vijë të raportojë për këtë çështje në komision, pasi ngjarja e Rinasit është mirëfilli cenim i sigurisë kombëtare. Luan Rama ka kërkuar që komisionit t’i jepet informacion nga ata që kanë përgjegjësi, duke theksuar se as Presidenti dhe as qeveria nuk kanë reaguar për grabitjen. “Insistoj që institucionet shtetërore në këtë vend nuk mund të heshtin siç kanë bërë deri tani, por duhet të reagojnë – tha Rama. – Nuk jam unë personi përgjegjës për të përcaktuar se kush duhet të mbajë përgjegjësi. Por në bazë të përvojës sime, institucionet përgjegjëse duhet të reflektojnë më shumë përgjegjësi”. Nga ana e saj, PD-ja ka kërkuar nëpërmjet deputetit Asllan Dogjani që në komision të paraqitej ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, dhe të tregonte zhvillimet.
Debatet te Siguria
Luan Rama: Prezumohej që ata mund të bënin çfarë të donin aty dhe reagimi ka qenë zero, siç është zero edhe sot që kanë kaluar ditë nga ngjarja. Ngjarje të kësaj natyre, ngjarje të kësaj përmase nuk kanë ndodhur as në vitin 1997 kur nuk ekzistonte shteti. Pasi ministria e jashtme tha që kemi marrë masa shtesë sigurie, pikërisht në këtë moment ky grup i armatosur bën një sfidë ndaj të gjitha organeve të sigurisë. Të na informojnë autoritetet e Ministrisë së Brendshme cilat kanë qenë masat shtesë që janë marrë një ditë para ngjarjes? Dhe pse këto masa shtesë të sigurisë favorizuan këtë grup të armatosur të pushtonte aeroportin e Rinasit?
Piro Lutaj: Shprehimisht në marrëveshje thuhet: Shteti, qeveria, ministria përgjegjëse dhe agjencitë e saj, janë tërësisht duar jashtë në menaxhimin e aeroportit. Siguria – thotë kontrata – është një përgjegjësi ekskluzive e koncensionarit. Dhe kjo sigurisht nuk lë jashtë përgjegjësisë institucionet e shtetit. Institucionet e shtetit janë të angazhuara në këtë çështje.
Luan Rama: Reagimi i institucioneve të sigurisë ka qenë zero. Është zero dhe sot.
Paulin Stërkaj: Unë mendoj që duhet të hetohen mirë këto, se u bë i treti rast që grabiten para dhe nuk kemi kurrkund transparencë. Ky është rasti i tretë. Për edukatë profesionale mendoj që duhet t’ia lëmë prokurorisë të flasin se çështja është në hetim, jo të vijmë ne si komision dhe të veprojmë mbi prokurorinë dhe mbi gjykatën. Kam bindjen se grupi që grabiti s’ka qenë grup i armatosur, por mirëkuptim midis disa individëve, me pozicione të ndryshme, për të grabitur ato lekë.
Asllan Dogjani: Unë nuk i diktoj askujt këtu asgjë, nuk jemi në diktaturë këtu. Pra, është cenuar siguria kombëtare sepse persona të armatosur, të maskuar kanë hyrë dhe kanë marrë në aeroportin më të rëndësishëm në vend paratë që mund të jenë në sasi shumë të mëdha. Dje thanë që e kanë fajin ata të sigurimit, sot kishin dalë ata të sigurimit të aeroportit dhe thoshin që ne e kemi njoftuar policinë kur autorët ishin në pistë dhe nuk janë ndjekur. Pra, këtu fajet i ka hajduti që ka shkuar të vjedhë, nuk i ka as policia e shtetit, as kompania e sigurisë.
Flamur Noka: Të gjitha lidhjet ju çojnë tek ministri dhe tek kryeministri. Ata tre banditë të armatosur që vodhën miliona euro në Rinas mund të ishin terroristë. Grabitësit e kanë ditur këtë testim, e kanë ditur ku është pika e dobët e aeroportit, kanë pasur të gjitha informacionet dhe komoditetet dhe mbrojtësit e mundshëm që të shkojnë pikërisht atje, ku vetëm policia e dinte që është pikë e dobët. Mund të ma shpjegojë kush si ka mundësi kjo?!
Pjerin Ndreu: Flamur, Luan Rama të ka përfaqësuar denjësisht.
Luan Rama: Pjerin po të kishte ndodhur në kohën kur ishe polic i Tiranës, do të ishe shkaktuar, po ashtu edhe unë si ministër.
Luan Rama: Duhet të kërkojmë informacion nga ata që kanë përgjegjësi. Presidenti dhe qeveria nuk kanë reaguar për grabitjen. Komisioni të kërkojë informacion nga ata që kanë përgjegjësi në Rinas. Si ka qenë reagimi i institucioneve të sigurisë për masat shtesë? Ministria e Brendshme ka folur për masa shtesë dhe ditën pasi foli për masa shtesë ndodhi edhe grabitja.
Asllan Dogjani: Nesër do të hyjnë në Kryeministri me maska. Rinasi jo rasti i vetëm, i treti që grabiten paratë duke shkuar në Rinas. Edhe kryetari i Komisionit Sigurisë do të mbajë përgjegjësi morale se do rritet numri i vrasjeve. Djemtë e politikanëve janë të përfshirë me krimin.
Piro Lutaj: Organet e shtetit të angazhuara në zbardhjen e ngjarjes.
Pjerin Ndreu: Nëse opozita ka ndonjë informacion rreth grabitjes të ndihmojë organet kompetente. A dini ju ndonjë lidhje kush ka qenë në grabitje? Nëse keni, shkoni denonconi, mos akuzoni policinë. Duke akuzuar policinë indirekt po ndihmoni grabitësit. Po shoh që shumë individë dinë shumë në këtë komision. Shkoni denonconi.
Luan Rama: Shoh se, po bëjmë protagonizmin duke thënë se çfarë ka bërë një ish-ministër apo ish-polic. Nuk ndava as Ministrinë e Transporteve e as atë të Brendshme. Nuk akuzova asnjë.
Xhemal Qefalia: Nëse dikush ka informacione duhet që të bashkëpunojë me policinë. Keni shumë informacione, denonconi se keni dhe shpërblim 30 mijë euro. Tahiri nuk ia ka marrë me dhunë postin Nokës.