Ministri i Financave paralajmëron se buxheti mund të përballet me një faturë marramendëse nga vendimet e Gjykatës së Strasburgut, nëse nuk gjendet një zgjidhje përfundimtare
Ministri i Financave, Arben Ahmetaj paralajmëroi se buxheti mund të përballet me një faturë marramendëse nga dënimet e Gjykatës së Strasburgut nëse nuk do t’i japë një zgjidhje përfundimtare çështjes së pronave. “Mënyra se si është menaxhuar çështja sot mund të sjellë një risk nga Strasburgu, i cili mund të kalojë, nëse ne nuk bëjmë gjënë e duhur, në mbi 1 miliard dollarë në dy-tre vitet e fundit. Ky do të jetë risku më i madh që mund të kalojë 99 për qind të qytetarëve shqiptarë”, deklaroi Ahmetaj.
Ligji për pronat
Qeveria miratoi një ligj të ri për pronat, i cili sipas saj, i jep fund rrezikut financiar nga vendimet e Strasburgut. Por ligji kontestohet nga pronarët dhe është ankimuar në Gjykatën Kushtetuese, e cila e ka ende ne proces shqyrtimi. “Ligji i pronave i bërë nga qeveria, i kaluar në Parlament dhe që aktualisht ndodhet në Gjykatën Kushtetuese, nuk është perfekt por bën zgjidhjen më të mirë të mundshme duke adresuar këtë risk”, tha Ahmetaj.
Beteja e fortë në Kushtetuese është “de fakto” edhe një përplasje mes dy institucioneve më të larta të shtetit, qeverisë dhe presidentit. Qeveria kërkon hyrjen sa më parë në fuqi të ligjit, i cili sipas saj do të shmangte faturën e madhe nga vendimet e Strasburgut, ndërsa Presidenti i Republikës e konsideron ligjin si antikushtetues dhe që shkel të drejtat e pronarëve, duke qenë një nga kundërshtarët më të fortë të tij.
Sipas ministrit Ahmetaj, në 25 vite, politika e pronave është menaxhuar në mënyrë emocionale, politike dhe jokoherente dhe “sot më duhet të them që nëse ne nuk bëjmë gjënë e duhur, ky do të jetë risku më i madh. Që do të thotë se çdo shqiptar do të duhet të punojë për të shlyer gjithë pagesat për pronat apo dëmshpërblimet për pronat, jo më në një apo në dy apo tre vite, por besoj në 30 vitet që vijnë”.
Për Ahmetajn, ligji i pronave, i bërë nga qeveria dhe i kaluar në Parlament, megjithëse është në Gjykatën Kushtetuese, nuk është perfekt, por bën zgjidhjen më të mirë të mundshme, duke adresuar atë risk që është një nga risqet kryesore për ekonominë dhe buxhetin.
Ligji i ri organik
Ministri i Financave foli edhe ndryshimet “e rëndësishme” sipas tij, të prezantuara në ligjin e ri organik të buxhetit, i kaluar tashmë në Parlament nga dikasteri që ai drejton. “Në vite është diskutuar për atë që ne rëndom i referohemi si rregulli fiskal, që ka të bëjë me vendosjen ligjore të tavanit të borxhit. E mbani mend mire që para disa viteve ka pasur një tavan borxhi prej 60%,i cili ishte referues dhe jo i detyrueshëm dhe borxhi publik në të paktën 10 vite njohu një rritje prej 12%. 12 % duke patur edhe një event ligjor dhe politik të thyerjes së tavanit”, tha Ahmetaj, i cili shpjegoi dhe dy arsyet: e para kultura e borxhit, e riskut dhe e dyta sigurisht, mungesa e rregullit taksativ.
Sot në Parlament, tha ministri kemi kaluar ndryshimet në ligjin organik të buxhetit ku ka një nen taksativ, i cili i detyron të gjitha qeveritë që vetëm të ulin borxhin. Pra, asnjë qeveri nuk ka të drejtë, nuk ka mundësi dhe nuk ka asnjë instrument që të rrisë borxhin publik, të vijë me teka politike apo me ego ekonomike përtej mundësive të vendit dhe të shkatërrojë financat publike.
Shpenzimet elektorale
Kreu i Financave u ndal edhe tek një tjetër “element pozitiv” që sjell ligji, kufizimin për të shpenzuar deficitin në një vit elektoral.
“Ka një referencë të drejtpërdrejtë, taksative në fakt, që në një vit elektoral parlamentar, një qeveri nuk mund të shpenzojë në gjysmë të vitit më shumë se 55% të deficitit buxhetor, pra për ta korrektuar, disiplinuar ligjërisht dhe në mënyrë numerike atë fenomen që është vënë re në 20 vite, që qeveritë në vite elektorale kanë tendencë për të ‘shpërthyer’ deficitin dhe borxhin”, tha Ahmetaj. Sipas tij, trajektorja e borxhit në ulje, por dhe kontrolli i deficitit dhe politikat afatmesme dhe afatgjata, kanë bërë të mundur që të kemi një risk në ulje nga 83% në afërsisht 70% sot, pra një ulje risku gati 13%. Këto janë risqe, nënvizoi ministri, që disbalancojnë drejtpërdrejtë financat publike, ekonominë dhe sjellin një risk më të madh që është risku social. “Lajmi i mirë, edhe pse ende i pamjaftueshëm, është që për shkak të reformave por dhe të uljes së risqeve, sot papunësia është në ulje nga viti 2015 në 2016, tremujori i parë ka nxjerrë statistika pozitive me një ulje prej gati 0.4% të papunësisë dhe fatmirësisht, ulje të papunësisë së të rinjve”, tha Ahmetaj.
Letra e Bashës për Strasburgun
“A i keni pezulluar ankesat e pronarëve shqiptarë?”
Vetëm pak ditë më parë, kryetari i PD-së, Lulzim Basha i ka dërguar një letër Gjykatës së Strasburgut, në përpjekje për të kuptuar nëse kjo gjykatë ka marrëveshje me qeverinë shqiptare për të pezulluar shqyrtimin e ankesave nga pronarët shqiptarë.
Deklaratat e bëra nga kryeministri Edi Rama në Parlament, se qeveria shqiptare ka arritur një marrëveshje me Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg për të mos shqyrtuar më çështje të pronave të qytetarëve shqiptarë kundër qeverisë shqiptare janë ndjekur me shqetësim nga Basha. Ndaj ai i ka dërguar një letër Presidentit të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, Guido Raimondi, për të ditur se si është e vërteta e këtyre deklaratave, dhe nëse është arritur një marrëveshje e tillë, siç pretendon kreu i Ekzekutivit. Në letrën e tij të dërguar më 7 qershor, Basha i bën të ditur kryegjyqtarit të Gjykatës së Strasburgut se këto qëndrime të kryeministrit janë mbajtur në Parlament, pas takimit që kanë pasur me të me 9 maj në Strasburg, dy prej ministrave të qeverisë shqiptare. “Sipas opinionit të Partisë Demokratike, ky qëndrim përbën një interferencë të pastër ndaj procedurave që po kryhen nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, në lidhje me antikushtetuetshmërinë e ligjit të ri për kthimin dhe kompensimin e pronave, dhe ajo që është më shqetësuese është se sjell dyshime mbi opinionin publik shqiptar sa i përket kredibilitetit dhe pavarësisë së Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut”, shkruan Basha në letrën e tij. Kreu i opozitës shprehet se, kjo deklaratë e kryeministrit përbën gjithashtu një ndërhyrje të hapur përpara vendimit të Gjykatës tonë Kushtetuese në lidhje me ligjin e ri të pronave. Kreu i PD ngre shqetësimin se ky qëndrim i shefit të qeverisë bëhet për t’i ushtruar presion Gjykatës Kushtetuese dhe njëkohësisht për të dëmtuar kredibilitetin e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut në opinionin publik shqiptar.