Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta, tha se partia që ai drejton është gati ta votojë që sot reformën në drejtësi. Ai tha se çdo vonesë tjetër do të ishte mjaft e kushtueshme drejt udhëtimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
“Nuk jemi për vonesa dhe përllogaritje partiake për votimin e reformës në drejtësi. Miratimi i kësaj reforme është një detyrë kombëtare, një detyrë që duhet përmbushur për interesin e qytetarëve tanë dhe rikthimin e besimit te ligji, – deklaroi Meta gjatë mbledhjes së këshillit drejtues kombëtar të LSI-së. – Kjo reformë shërben për të goditur në mënyrë dërrmuese krimin e korrupsionin që janë një shqetësim i madh dhe pengesë serioze për qytetarët tanë dhe zhvillimin e shpejtë të vendit”.
Meta iu referua edhe mesazhit të sotëm të Johanes Hahn, i cili i bëri apel politikës shqiptare të nxitojë për të miratuar reformën.
“Mesazhi i Hahn ishte shumë i qartë, dashamirës dhe sportiv, që do të thotë se Shqipëria të mos mbetet vetëm në fazën e grupeve si në Europian, por të kalojë edhe më tej. Pra, Shqipëria të miratojë reformën dhe të nisë bisedimet për hyrjen në BE. Ne mbajmë përgjegjësi për të gjithë LSI-në dhe shqiptarët që e duan këtë reformë. 20 votat e LSI-së nuk janë nga sot gati për këtë reformë, por prej disa javësh. Shpresoj që palët politike ta miratojnë këtë reformë brenda qershorit dhe ne i japim të gjitha votat tona. Reforma nuk duhet lënë në minutën e fundit, në mënyrë që të gjithë aktorët të jenë të përgatitur për rregullat e lojës”, – tha mes të tjerash kreu i LSI-së.
2 qershor 2016 (gazeta-Shqip.com)